Mesazhi i Presidentit Meta për Fiter Bajramin: Të angazhohemi së bashku për të mbrojtur demokracinë dhe për të forcuar Shqipërinë

May 12, 2021 | 21:37
SHPËRNDAJE

Me rastin e mbylljes së muajit të shenjtë të agjërimit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta uron besimtarët myslimanë, duke theksuar se nesër gjatë faljes së Fiter Bajramit, besimtarët do të shënojnë përmbylljen e Ramazanit, “një muaji reflektimi shpirtëror plot sakrifica, por edhe me sfida të tjera të vështira shoqërore, që kaluam së bashku”.

ilir meta

Meta thekson se klerikët myslimanë dhanë kontribut të çmuar për forcimin e atdheut, duke bërë apel që së bashku “duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë, pa të cilën liria e besimit sot nuk do të ishte e mundur dhe për të forcuar Shqipërinë në tërësi, për ta kthyer atë në familjen tonë të përbashkët”.

Reagimi i plotë:

Sonte i bashkohem festës së çdo besimtari mysliman shqiptar për mirëseardhjen e Fiter Bajramit dhe urimeve të përzemërta për agjerim të pranuar, për më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe në familjet tuaja.

Me thirrjen e lutjeve të mëngjesit, nesër nga xhamitë e qyteteve dhe të fshatrave tona, besimtarët do të shënojnë përmbylljen e Ramazanit, të një muaji reflektimi shpirtëror plot sakrifica, por edhe me sfida të tjera të vështira shoqërore, që kaluam së bashku.

Shumë shqiptarë ndanë gjatë Ramazanit ndihmën e tyre fisnike për njerëzit në nevojë, duke ju gjendur pranë të sëmurëve, të varfërve dhe të pamundurve, me qëllimin e mirë për të ndërtuar një jetë të përbashkët komunitare, më të drejtë dhe më solidare.

Mbështetur në këto parime dhe vlera të larta hyjnore, morale, sociale dhe kombëtare është koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore, që udhëhiqet me besimin në Zot, me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale, vetëm drejt së mirës së përbashkët dhe që e refuzon arrogancën, korrupsionin, veset dhe dhunën, në çdo formë që ato mund të shfaqen.

Kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sot me krenari sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e mrekullueshme ndërfetare.

Kjo trashëgimi e vyer nuk do të ishte e mundur pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve myslimanë, të cilët mbi gjithçka vendosën Atdheun, si gjënë më të shenjtë.

Së bashku, edhe ne, duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë, pa të cilën liria e besimit sot nuk do të ishte e mundur dhe për të forcuar Shqipërinë në tërësi, për ta kthyer atë në familjen tonë të përbashkët, ku të gjithë të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre të sigurt europiane dhe ku askush të mos ndihet i përjashtuar, i izoluar, i nënçmuar dhe i vjedhur.

“Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni për të mirë dhe mos nxisni urrejtje.” Kuran

GËZUAR FITER BAJRAMIN! ??

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura