Mesazhi i nji mërgimtari të shqetësuem

Jan 27, 2020 | 10:04
SHPËRNDAJE

 

SAMI REPISHTI, PHD*

Sami Repishti

Nga leximet në shtypin amerikan kuptohet se vrasja e komandantit kriminel iranian, gjeneral Kasem Soleimani, ka qenë nji akt i paramenduem, i përgatitun dhe i ekzekutuem nga Forcat Speciale të SHBA-së, me urdhën direkt të Presidentit Donald Trump. Natën e datës 2 janar 2020, nji aeroplan special ishte caktue me u ngritë nga aeroporti i Damaskut (Siri), me destinacion kryeqytetin e Irakut, Bagdad. Disa orë kaluen në pritje dhe “udhëtari” i shquem që pritej nuk erdhi. U sugjerue që udhëtimi të anulohet, por sapo avioni po mbyllte dyert, nji karvan maqinash arriti në pistën e aerodromit.

Gjenerali Kasem Soleimani, komandant i Forcave të Sigurimit iraniane, doli nga maqina dhe hypi në avion bashkë me dy persona të gardës personale. Fluturimi 6Q501 u ngrit me tri orë vonesë në drejtim të Bagdadit. Avioni zbriti në “Bagdad International Airport”, në orën 00:35. I pari që zbriti ishte gjenerali Soleimani dhe suita e tij. Në pritje gjendej gjenerali irakian, Abu Mahdi Al Muhandis, kryetar i milicisë shi-ite irakiane dhe mik i Iranit. Dy maqina u nisën në errësinën e natës, të ndjekuna nga dronet ajrore amerikane. Në orën 00:42 të mesnatës, nji seri misilesh ranë mbi dy maqinat, i banë pluhën dhe brenda tyne edhe trupat e karbonizuem nga zjarri të 10 (dhjetë) udhëtarëve. Në mes tyne, gjenerali Soleimani dhe kolegu i tij, gjenerali Al Muhandis.

Ky akt i papritun mbante në vete mundësinë e nji konflikti të gjanë amerikano-iranian. Presidenti Trump, që kishte deklarue në fushatë elektorale se “do të nxjerrim Amerikën nga ‘luftërat pafund'”, theu premtimin e dhanun.

Administrata amerikane u gjet në befasi. Hapi i parë nga qeveria amerikane ishte njoftimi me ndërmjetësinë e ambasadës zvicerane në Teheran për qeverinë iraniane, të mos shkallëzojë konfliktin me nji “hakmarrje” të madhe, që do të detyronte Presidentin me ndërmarrë sulme të reja. Irani u kufizue me bombardimin e dy aeroporteve në Irak, ku gjendeshin trupa amerikane. Për fat të mirë, pa viktima. Njikohësisht, Irani njoftoi se nuk planifikonte sulme të tjera.

Në Amerikë u krijue nji gjendje konfuzioni. Pse Presidenti Trump urdhnoi eliminimin fizik të gjeneralit Soleimani? Përgjigjja e parë ka qenë se ai planifikonte sulme të reja kundër objektivave amerikane në atë zonë dhe përbante kështu “nji rrezik iminent”, mundësisht kundër ambasadave amerikane në Lindjen e Mesme. Analisti amerikan, Anthony Coleman, i ISIS, Washington, vërente se “kemi marrë qëndrime pa konsultime me aleatët dhe pa paraqitë nji plan të qartë paqeje”.

Sot, demokratët dhe republikanët janë të ndamë në gjykimin e aktit të Presidentit. Demonstrata në shumë qytete të Amerikës kërkojnë “jo luftë me Iranin”. Demokratët janë të mendimit se sulmi do të sjellë pasoja serioze për stabilitetin e gjendjes në atë zonë. Shefi demokrat në Senat, Charles Schumer, shprehej: “Nevoja për konsultim paraprak dhe transparencë me Kongresin asht vendosë me Kushtetutë. Për nji arsye…me evitue mungesën e transparencës me Kongresin që mund të përfundojë me vendime të nxitueme dhe të keqmendueme”. Shefi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, zonja Nancy Pelosi, deklaroi: “Presidenti urdhnoi nji sulm ajror pa autorizimin e Kongresit”, nji akt antikushtetues. Zyrtarë amerikanë, tue përfshi edhe Ministrinë e Mbrojtjes e shefat e Ushtrisë, deklaruen se ata nuk ishin në dijeni të nji sulmi të këtillë “imminent”. Konfuzioni u rrit, Presidenti nuk dha asnji hollësi dhe i gjithë ky episod i frikshëm duket se u shkaktue nga nji impuls agresiv dhe i pakontrollueshëm i Presidentit Trump.

Kur “duartrokitjet” pushuen, filloi heshtja, fatmirësisht nji heshtje pjellore! Populli amerikan kërkoi shpjegime që nuk i gjente në deklaratat zyrtare. Mbetej tashti vetëm argumenti se Presidenti i dëshpruem nga zbulimet e akteve të tija joligjore, mori nji iniciativë që kërcënonte me sjellë nji konflikt në Lindjen e Mesme. Asht nji akt radikal, i pajustifikueshëm dhe me rrjedhime të paparashikueshme! Nji zyrtar i CIA-s përcaktoi vrasjen “…nji akt i ndërmarrun pa mendue rrjedhimet”

Rrjedhimet e nji akti agresiv të vrasjes së nji ushtaraku të naltë të nji shteti që NUK asht në gjendje lufte me SHBA-në vazhdojnë.

E para, Kushtetuta amerikane kërkon që çdo akt luftarak i SHBA-së mund të merret vetëm mbasi Presidenti merr pëlqimin e Kongresit. Në rast të kundërt, Kongresi ka autorizimin zyrtar “…me këputë financimin e Ministrisë së Mbrojtjes”. Në këtë rast nuk u konsultue Kongresi.

E dyta, në botën e jashtme aksioni antiiranian nuk u aprovue nga asnji nga “shtetet kryesore” europiane. Presidenti mbetet i izoluem në skenën ndërkombëtare. Britanikët nuk e përkrahen aksionin. Gazeta franceze “Le Monde” shkroi për nji “përçarje” në aleancën veri-atlantike dhe nji divorc në politikën e Lindjes së Mesme. Sot komentohet se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja nukleare me Iranin e vitit 2015 ka qenë nji gabim i madh dhe se ka krijue atmosferën që lejoi këtë “aksion agresiv”, me frikën se mund të fillohet nji cikël i ri sanksionesh dhe kundërveprimesh që rrezikojnë paqen. Irani u përgjigj me rifllimin e prodhimit të materive nukleare me qëllim luftarak.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heik Maas, deklaroi se “vrasja” nuk e ban ma të lehtë stabilizimin e rajonit. NATO bani thirrje për përmbajtje dhe uljen e tensionit. Rusia dhe Kina dënuen vrasjen e Soleimanit. Analistët mendojnë se Teherani mund të kërkojë mbështetje ma të madhe nga ‘aleatët’ e tij. Pak ditë para sulmit, Kina, Rusia dhe Irani zhvilluen manovra të përbashkëta detare në Gjiun Persik dhe Gjiun e Omanit. Në Irak, frika e konfliktit në mes sunitëve dhe shi-itëve mund të përsëritet. Francezët ofruen me veprue si ndërmjetës. Presidenti E.Macron u tregue ma aktiv, tue marrë kontakt me të dyja palët, pa aprovue ose dënue aktin agresiv dhe sugjeroi diplomacinë. Ashtu edhe japonezët, nji ofertë që zemëroi Presidentin Trump. Europianët në përgjithësi vendosën të përpiqen me bindë Iranin të mos shkallëzojë konfliktin. Nji diplomat gjerman dhe kolegët e tij europianë dërguen mesazhe për Iranin, me telefonata dhe me nota të veçanta, tue sigurue Iranin të qetësohet sepse “bota” nuk ashtë kundër tyne.

Vendi europian me randësi në këto ditë të vështira ka qenë Zvicra, mentaliteti dhe serioziteti i diplomacisë zvicerane, si ndërmjetës në mes të SHBA-së dhe Iranit që nga viti 1979, i revolucionit iranian.

Në Amerikë, problemi u përqendrue në shpjegimin e arsyes së aktit agresiv. Shpjegimet zyrtare nuk kanë qenë në gjendje me dhanë nji përgjigje të kënaqshme dhe nuk kanë gjet bindje në publik. Analisti Marc Mazzetti i “The New York Times” e cilëson sjelljen e Presidentit “ma shumë pushtet, ma pak kufizime dhe qëndrime të paqëndrueshme”. Ai shpjegon: “Që nga qëndrimet e tija me Iranin, Sirinë, Jemenin dhe Afganistanin, z. Trump ka tregue pak evidencë angazhimi këto tri vitet e fundit dhe vendimet e tija për luftë ose paqe janë marrë pa diskutime të kujdesshme dhe konsiderata për rrjedhimet e aktit”. Prof. Jack Goldsmith (Harvard, Law) u shpreh: “Vendi ynë i ka dhanë me ndërgjegje nji personi të vetëm të drejtën enorme dhe pa kufi me udhëheqë, si dhe diskresionin me e përdor atë në mënyra që përfundojnë lehtësisht në luftëra masive. Ky ashtë shteti ynë. Nji person i vetëm drejton gjithçka”

E treta, arbitrariteti i sulmit amerikan ashtë sot subjekt diskutimi edhe në botën akademike amerikane. Në shoqëninë e hapun të demokracisë sonë, aktet qeveritare i nënshtrohen shqyrtimit nga ekspertë. Megjithëse nuk derdhen lot për vrasjen e nji krimineli si gjeneral Soleimani-me përjashtim të xhihadistëve fanatikë – vrasja e tij nuk justifikohet.

Ajo vrasje ka qenë nji akt politik i gabuem dhe moralisht i dënueshëm!

Prof. Benjamin B. Ferenz ,(Harvard, Law) shkruen: “Administrata këto ditët e fundit njoftoi se me urdhën të Presidentit (Trump), SHBA ka ‘nxjerrë jashtë’ (ka vra!) nji udhëheqës ushtarak të nji vendi, me të cilin nuk kemi qenë në gjendje lufte…. Unë e shoh nji akt të këtillë imoral si nji shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare e kombëtare.

Populli ka të drejtë me njohë të vërtetën. Karta e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, The Hague, janë anashkalue plotësisht. Në botën tonë të ‘cyberspace’, rinia kudo në botë janë para nji rreziku vdekësor, në qoftë se nuk ndryshojnë zemrat dhe mendjet e atyne personave, që duket qartë se preferojnë luftën pa respekt për paqe”.(The NY Times)

Në komentin e tij, analisti Thomas L. Friedman e cilëson sulmin amerikan si “…pjesë e kodit të pandershmërisë së Trumpit”. Ai vë në pyetje arsyetimin zyrtar të sulmit : “Asht ba pa nji strategji të qartë, pa nji kuadër moraliteti…”

Të shqetësuem nga mungesa e parashikimeve (unpredictability) të akteve të Presidentit Trump, udhëheqja e Partisë Demokratike Amerikane në Kongres po shpejton me kufizue ligjërisht autoritetin e Presidentit për veprime luftarake kundër Iranit. Historikisht, nji keqpërdorim i këtij autoriteti janë shembujt e luftës në Kore (1950-53) dhe në Vietnam (1961- 1973), kur vendimet për aksione ushtarake u morën nga Presidenti për arsye të “rrezikut iminent”. Sot, PD amerikane kërkon zbatimin ma me rigorozitet të War Powers Resolution dhe me pengue nji luftë me Iranin.

Nga pikëpamja ligjore, Executive Order 12333, i firmuem në vitet 1970 nga Presidenti Gerald Ford, nuk lejon zyrtarët e qeverisë me u angazhue në konspiracione për vrasje, por nuk përcakton mirë fjalën “vrasje”, meqenëse vrasja e elementëve armiqësorë për vetëmbrojtje nuk quhet “vrasje”. Në vitet 1970 u zbulue se CIA eliminoi disa udhëheqës me tendenca komuniste. Ma vonë u krijue problemi me “terroristët islamikë”; aksioni kundër tyne u konsiderue “vetëmbrojtje”.

Gjenerali Soleimani ishte zyrtar i naltë i nji qeverie kombëtare dhe jo udhëheqës i nji grupi terrorist joshtetnor, si Osama Ben Laden ose Al Bagdadi… Eliminimi i tij shënon rastin e parë kur SHBA konsideron nji entitet shtetnor si “grup terrorist”. Sot, The War Crime Act konsideron si “felony” (krim) shkeljen e ligjit dhe dënimi asht i randë: ” …burgim i përjetshëm ose ekzekutim në rast se ka viktima”.

Vrasja e gjeneral Soleimanit gjatë këtyne ditëve u gjykue nga shumë autoritete ushtarake si nji akt i papërgjegjshëm dhe shkallëzim drejt konfliktit të hapët. Temperamenti i paqëndrueshëm i Presidentit Trump ka lanë gjurmë në aleatët e zhgënjyem – tue përfshi edhe aleatët europianë të NATO-s….Edhe vendet arabe në Gjiun Persian shqetësohen për pasigurinë që krijohet në “pavendosmëninë” e Presidentit me i përkrahë ata në rast të nji sulmi direkt nga Irani. Për analistët iranianë, vrasja e gjeneralit iranian dobëson pozitën e elementit të moderuem iranian dhe ka mundësi të kthejë të moderuemët në agresivë.

Në Shqipëri dhe në Kosovë, vrasja e gjeneralit Soleimani u mbështet nga grupet politike. Kjo përkrahje u konsiderue si nji përkrahje pa rezerva e “aleatit strategjik”. Vetëm dy ditë mbas ngjarjes, deklaratat e pushtetarëve shqiptarë u banë publike edhe nga “Zëri i Amerikës”.

Reagimi i parë erdhi nga “udhëheqësi suprem”, Ajatolla Al Khomeini i Iranit, i cili foli për “…nji vend shumë të vogël, por të djallëzuar europian, ku amerikanët bashkëpunojnë me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”, tue iu referue Shqipërisë. Partia Demokratike e Shqipërisë shprehu mbështetjen “…angazhimit të SHBA-së në luftë kundër terrorit. Vendimi i Presidentit Trump për goditjen e njërit prej arkitektëve dhe drejtuesve të aktiviteteve terroriste është një akt i fortë i lidershipit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike e të paqes…dhe PD-ja, në çdo kohë, qëndron në krah të SHBA-së. (VoA,4.1.2020).

Më 8 janar, Presidenti I.Meta shkroi se “raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij”. Presidenti i Kosovës, H.Thaçi, dhe KM në detyrë, R.Haradinaj “… dënuen sulmet iraniane me raketa kundër forcave amerikane. Kosova qëndron në mbështetje të Shteteve të Bashkuara dhe familjes atlantike në këtë kohë trazirash”. (VOA, 9.1.2020). Në Prishtinë arrestohet drejtoresha e Institutit për Kërkime “Naim Frashëri”, zonja Ikbale Berisha-Huduti, sepse “…në rrjetet sociale kishte shprehur pikëllimin për vrasjen e gjeneralit Kasem Soleimani…”, nji absurditet i rrobës zyrtare!

“Lufta e fundit nuk ka mbarue ende dhe në flasim për fillimin e nji lufte të re; kjo asht marrëzi…SHBA ashtë aleati ynë; Irani ashtë fqinji ynë”, deklaroi Presidenti i Irakut. (The New Yorker, 5.1.2020)

Të shtunën, 4 janar 2020, Parlamenti irakian votoi mos me lejue përdorimin e territorit irakian-tokë, ajër, det- për çfarëdo arsyeje qoftë nga trupat e hueja.

********

Shqetësimi im rrjedh nga qëndrimi i padrejtë i pushtetarëve shqiptarë -në të dyja anët e kufinit- ndaj aktit të Presidentit Trump të kryem në shkelje të plotë të dispozitave ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo tregon nji rrymë degradimi moral nga pushtetarët e njimbasnjishëm për afër nji shekulli të viteve të pavarësisë shqiptare. Unë shqetësohem nga frika se akte të tilla të rastit, me kohë do të bahen kultura politike e vendit tonë! Ky asht mesazhi i nji mërgimtari politik shqiptar për vëllaznit dhe motrat shqiptare në atdheun e përbashkët në të dyja anët e kufinit!

Në vend që të tregohet shqetësimi i justifikuem për nji akt ilegal që mund të sjellë në prishjen e paqes dhe konfliktin, si dhe me kërkue nji zbritje të tensionit nga të dyja palët, pushtetarët shqiptarë duartrokasin “vrasjen” dhe lavdërojnë dorën e fortë të Presidentit me angazhimin se shqiptarët do të ndjekin me besnikëri politikën amerikane…(siç!)

Historikisht, që nga viti 1925, Shqipëria e vorfën ekonomikisht u gjunjëzue para presionit politik fashist italian. Në vitin 1935, kur Lidhja e Kombeve dënoi unanimisht Italinë për agresionin kundër Etiopisë, Shqipëria u rreshtue krah agresorit. Okupatorët italianë e gjermanë treguen fytyrën e tyne të vërtetë, me gjithë “premtimet” e “betimet” e dhanuna, si armiqtë e mëdhenj të Shqipërisë” (siç!). Që nga viti 1944 deri në vitin 1991, për 47 vjet me radhë shqiptarët u lodhën me lëvdatat për mareshalin Tito, për gjenialin Stalin, për mikun e madh Mao, pa të cilët nuk do të ekzistonte Shqipëria sot (siç!). Si rrjedhim, Shqipëria përfundoi me medaljen “vendi ma i vorfën i Europës”, nji përcaktim që vazhdon edhe sot.

Sot kam frikë se shqiptarët do të zbresin aq poshtë, sa të zvarrisin “nderin” e kombit tonë në moçalin e servilizmit politik…dhe vuej!

Hymja e Shqipërisë në Botën e Lirë, 1992, ka qenë premtimi ma i madh historik i Shqipërisë. Në Botën e Lirë nuk mbretnojnë frika dhe pjella e saj, servilizmi politik dhe ekonomik. Premtohet liri, unitet dhe paqe!

Shqiptarët e duen Amerikën, jo për fjalë e premtime, por për fakte të jetueme edhe nga të gjithë ne: integritetin territorial të Shqipërisë (1919) dhe Pavarësinë e Kosovës (2008) – hapi i parë dhe vendimtar për bashkimin kombëtar shqiptar. Lista asht e gjatë…

Shqiptarët e duen Amerikën jo për pasunitë përrallore, por për parimet politike që e drejtojnë dhe për vlerat morale që ajo përfaqëson.

Shqiptarët e duen Amerikën dhe betohen me e mbrojt, si nji republikë “…me liri dhe drejtësi për të gjithë”, pa dallim, pa përjashtim, nji qëndrim i njohun si “The American exceptionalism”.

Kjo asht rruga e besës, e nderit, e burrnisë tradicionale shqiptare!

* Autori asht qytetar amerikan, me kombësi shqiptare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura