Mesazhet e reja greke në Kongresin e PBDNJ-së

Jul 6, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

Mentor Nazarko

MENTOR NAZARKO

Pak ditë më parë, fjalimi përshëndetës i një drejtuesi të lartë të Syrizës në kongresin e PBDNJ-së ofroi rastin më të rëndë- sishëm për debat partiak shqiptar rreth këtij kongresi. Ja shkurt preteksti i debatit dhe vetë debati që pasoi: Antonis Markopulos i Syrizës deklaroi jo pa dëshpërim: dikur PBDNJ kishte më pak deputetë, por disa ministra; sot kur trashëgimtarët e partizanëve shqiptarë janë në pushtet, PBDNJ-ja ka më shumë deputetë, por nuk ka asnjë ministër, sepse në vend të tyre janë trashëgimtarët e nazistëve.

Pas këtij fjalimi të mbajtur në praninë e Edi Ramës si Kryeministër dhe Edi Palokës si kryetar i Grupit Parlamentar të opozitës, foli kreu i PDIU-së. Idrizi akuzoi përfaqësuesit e dy partive të mëdha si sehirxhinj që nuk reaguan, ndërsa përfaqësuesi i njëfarë rangu të Syrizës, pa i përmendur nominalisht, akuzoi përfaqësuesit e PDIU-së, përkatësisht të komunitetit çam në këtë parti, si trashëgimtarë të nazizmit.

Ky fjalim, megjithatë, ofron rast për një lexim më të plotë sesa sehiri i partive të mëdha. Janë dy kënde shikimi. Ai që lidhet me ndikimin në rënie të Greqisë, në zhvillimet shqiptare, veçanërisht në PBDNJ e në minoritetin grek. Dhe këndi i dytë është ai i pretekstit të këtij fjalimi për faktorizimin e mëtejshëm të PDIU-së në funksion të garës së partive të mëdha për ta pasur në koalicionin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

NDIKIMI GREK ËSHTË ULUR SHUMË

Zyrtarit të lartë grek, Antonis Markopulos, në Sekretariatin e Marrëdhënieve me Jashtë të partisë së Cipras-it, mediat shqiptare ia ngatërruan emrin, mbiemrin, funksionin, duke treguar indirekt se ardhja e tij dhe mesazhet nuk u konsideruan të ndonjë rëndësie të madhe. Më drejtpërdrejt, ky nënvleftësim, siç kemi argumentuar edhe më parë, lidhet pak a shumë me rëndësinë e zbehur të Greqisë në politikën shqiptare.

Këtë e pranoi me sinqeritet (megjithëse me gabim shënjestre) zyrtari partiak grek, ndërsa tha se dobësimi i PBDNJ-së ka lidhje me politikën përçarëse të forcave politike greke. E vërteta është se, mbi të gjitha, dobësimi i forcës ndërkombëtare të Greqisë prej krizës financiare të saj, heqja e armëve të saj “diplomatike”-viza Shengen dhe pensionet për minoritarët,- kanë sjellë si pasojë edhe dobësimin e PBDNJ-së.

Në këtë tablo, ishte krejt e qartë se PBDNJ-ja, ashtu si kishin parashikuar ekspertë realistë grekë të ELIAMEP, do të dobësohej akoma dhe më shumë si pasojë e mungesës së një kauze serioze dhe të fuqishme. Minoriteti grek nuk është subjekt i ndonjë diskriminimi të egër shqiptar që do të justifikonte ekzistencën e një partie të fortë elektoralisht, siç thoshte dikur Arben Xhaferi. Minoriteti grek, në përputhje me shifrat zyrtare shqiptare, i gërryer nga emigracioni, mund të prodhonte atë parti, aq të madhe sa është PBDNJ-ja sot, me gjithë avantazhet e sistemit proporcional rajonal dhe mbështetjen e PS-së.

Minoriteti grek mund të ketë më shumë se 5 deputetë me origjinë, por ama ata nuk kanë zgjedhur të jenë në një parti minoritare, por brenda partive të mëdha, si PS dhe PD. Ndaj PBDNJ me zor ka vetëm një deputet zyrtar, që megjithatë është politikani më profesionist i minoritetit. Fjalimi i shkurtër i Markopulosit nuk ishte vetëm njëlloj nekrologjie e PBDNJ-së, të drejtuar megjithatë mjeshtërisht nga Vangjel Dule.

Përfaqësuesi i një partie të majtë ekstremiste, të ardhur nga trashëgimtarët realë të partizanëve komunistë të EAM, pranoi jashtë kornizave të politikës zyrtare të vendit të tij se shqiptarët kanë luftuar kundër pushtuesve nazistë dhe fashistë! Ky pranim është kapërcim i pozicionit të pandryshueshëm të të gjitha qeverive greke, sipas të cilit, në 1940-n, Shqipëria e bashkuar vullnetarisht me Italinë e sulmoi vendin fqinj, ndaj gjendja e luftës kundër saj ishte plotësisht e justifikuar me ligjin e luftës në fuqi dhe sot.

Me një saktësim gjithsesi: Kryeministri Cipras nuk ka ende asnjë deklarim publik në lidhje me çështjen çame, apo konfliktin imagjinar shqiptaro-grek gjatë Luftës së Dytë Botërore, hiq deklarimet e Kotziasit për komunitetin çam, deklarime që megjithatë e fraksionojnë këtë komunitet në disa grupe. PDIU, NË VEND TË PBDNJ Le të vijmë tani te pjesa e deklarimit të Markopulosit (jo Makropulosit) që lidhej me komunitetin çam dhe PDIU-në si trashëgimtare të nazizmit, por pa e përmendur nominalisht.

Kjo pjesë e deklaratës ishte shprehje e dëshpërimit të madh të politikës greke në Shqipëri, si dhe pjesa tjetër e fjalimit të tij. Në qeverinë e majtë, megjithëse në nivel zëvendësministri dhe me një prani të vogël në rangje të tjera, është PDIU, e shpallur si parti e çështjes kombëtare, me fokus kryesor çështjen çame. Për herë të parë, me socialistët e Ramës në pushtet, nuk ka minoritarë në qeveri.

Nga pikëpamja e cilësive profesionale, dhe jo e përfaqësimit etnik, mund të kishte më shumë se një minoritar, ashtu siç mund të mos kishte asnjë si sot. Në të gjitha rastet, kjo mungesë përfaqësimi shoqërohet dhe me një politikë të jashtme dinjitoze të kësaj qeverie ndaj Greqisë, diçka që mërzit më shumë sesa vetë mungesa e ministrave grekë.

Nuk di si kanë qenë rrethanat në kongres, por imagjinoj se as Rama dhe as Paloka, si mysafirë, nuk mund të reagonin aty për aty në shtëpinë e dikujt tjetër që kishte të përcaktuar rendin e ditës, folësit etj., etj. Pa diskutuar për rangjet e ndryshme të tyre në raport me zyrtarin partiak grek: Markopulos nuk ishte as këshilltar i Ciprasit, por thjesht një koordinator në Sekretariatin e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Mbrojtjen në Syriza.

Rama vinte në kongresin e PBDNJ-së, pas një fjalimi historik në kongresin e PDIU-së, që kishte mërzitur jo pak grekët para një muaji. Ai vinte pa u çlodhur, madje pas pozës triumfante me Erdoganin mbi urën e madhe turke me jo pak mesazhe diplomatike dhe historike në dy brigjet e saj. Pas atij fjalimi të Ramës, por jo vetëm, u duk se PDIU po e rriste praninë e vet në qeveri.

Pra, përgjigjja e Kryeministrit socialist ishte në fakt paradhënie për atë çfarë tha Markopulos. Ndërsa reagimi i PDsë erdhi dy ditë pas kritikës së Idrizit si “sehirxhinj” ndaj dy përfaqësuesve të partive të mëdha. Duhet me qenë plotësisht dakord me vërejtjen e demokratëve pse zyrtari partiak grek, pa kurajë megjithatë, iu referua komunitetit çam si trashëgimtarë të fashizmit.

Por a nuk u duk se pjesa tjetër kritike e reagimit të PD-së vinte si miklim për PDIU-në, që ngjan e mërzitur për nivelin e ulët të përfaqësimit në qeverinë e majtë? Dhe nëse është kështu, ky reagim i vonuar i PD-së në favor të PDIU-së, e rriti jehonën e kritikës së Idrizit për fjalimin e zyrtarit grek.

Dhe kështu në planin e brendshëm, fjalimi i Markopulosit, theksoi dhe një herë nevojën që dy partitë e mëdha, PS dhe PD, kanë për aleatë si PDIU apo dhe PBDNJ, që nuk e duan njëra-tjetrën në fund të fundit. Madje, kundër dëshirës së Markopulosit, u duk se në garën për këta aleatë, prioritetin e mori PDIU, megjithatë: PD i bëri indirekt vërejtje Ramës që t’i respektojë më shumë aleatët e vegjël dhe ndjeshmëritë e tyre historike!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura