Mesazhet e një vrasjeje

Jan 20, 2018 | 12:49
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRIleonidha-mertiri-150x150

Kur në Bruksel rifillonte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në Mitrovicën e Veriut, pranë selisë së partisë së vet, vritet kreu i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç. Një ngjarje e rëndë kjo, që nuk ka si të mos çojë në tronditje të mëtejshme të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Jehona e kësaj vrasjeje, sikurse është vërejtur dhe gjatë këtyre ditëve, vazhdon të mbizotërojë me të drejtë në mediat e dy vendeve, por dhe në atë europiane. Pavarësisht se kush fshihet pas këtij akti terrorist, pa bërë rolin e hetuesve, mendoj se kujtdo i krijohet përshtypja e një skenari të përgatitur me kujdes, qëllimet e të cilit nuk është e vështirë për t’i evidentuar.

Mesazhet e kësaj vrasjeje janë të qarta: Krijimi i një destabiliteti në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, me ndikim në tërë rajonin tonë, nëpërmjet radikalizimit të gjendjes në vend- ngritjes së tensioneve, inkurajimit dhe nxitjes së urrejtjes midis dy popujve, shqiptarë dhe serbë, do të ishte jo pak e kërkuar nga autorët e këtyre skenarëve. Ata nuk mund të pajtohen me shqetësimin dhe përpjekjet e Brukselit, por dhe të liderëve të moderuar vendas për vazhdimësinë e dialogut midis dy palëve, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, sipas Marrëveshjes së arritur më 19 prill 2013, pas bisedimeve të atëhershme, prej dy vjetësh, për çështje teknike. Me fjalë të tjera, t’i qëndrohet sa më larg rrugës së bashkimit të tyre në familjen europiane dhe t’i mbushin mendjen kësaj të fundit dhe më tej, sipas avazit të njohur, se Kosova e ka të vështirë të bëjë shtet.

Dhe pse u gjet, pikërisht vrasja e Ivanoviçit? Me gjithë akuzat ndaj tij për krime lufte, politikani serb Oliver Ivanoviç, është parë përgjithësisht si më i moderuari i komunitetit serb në Kosovë. Ish-deputeti dhe funksionar i lartë i qeverisë vendase, shpesh ka bërë të qartë opinionin e tij kundër ndarjes së Kosovës meqë serbët nuk jetojnë vetëm në Veriun e Mitrovicës. Disa herë, atij dhe familjes u është rrezikuar jeta, ndaj këmbëngulte në ndihmën e strukturave shtetërore të Serbisë dhe Kosovës. Siç vlerëson këto ditë, Sasha Jankoviç, lideri i opozitës serbe, Aktivisti i të Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit të Republikës së Serbisë gjatë dekadës së fundit, qeveria e Vuçiç, në të kaluarën ishte tepër kritike ndaj Oliver Ivanoviçit. Bie në sy që, Ivanoviç, pa glorifikuar figurën e tij, nuk i shikonte kërcënuesit në mesin e shqiptarëve, madje, nënçmimin e shqiptarëve nga Beogradi, e vlerësonte si gabimin më të madh historik. Ndërkohë, pas atentateve të bëra, paralajmërimet e tij se shumë shpejt publiku do të njihej me gjëra që lidheshin drejtpërdrejt me zyrtarë serbë në Beograd, me struktura kriminale në pjesën veriore të Mitrovicës, të pleksura me fije të ndryshme me politikën, nuk mund të kalonin në heshtje dhe të mos krijonin shqetësim. Në këtë mënyrë, hiqej qafe ai dhe kështu realizoheshin edhe qëllimet e mësipërme.

Logjika të çon gjithashtu në atë që, kemi të bëjmë me një vrasje politike. Sepse këto të fundit, duket, kanë qenë jo rrallë “çelësi i artë” në Serbi apo dhe në vende të tjera të rajonit tonë, për t’u dalë mbanë synimeve të prapështa. Rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, u vra lideri i njohur reformator serb, Zoran Gjingjiç, Kryeministri i parë i Serbisë pas diktaturës së Millosheviçit, i cili bashkëpunoi me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte, pa folur për vrasjen e mëparshme të ish-presidentit Ivan Stamboliç, kundërshtar politik i Millosheviçit. Apo përpjekjet e bëra në tetor 2016, në Mal të Zi, në tentativë për grusht shteti, duke vrarë më parë ish-kryeministrin Millo Gjukanoviç, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe kur kjo republikë priste t’i bashkohej NATO-s, si anëtar i 29-të i saj. Vrasja e Ivanoviç mund të jetë kryer dhe për shkak të rivaliteteve midis serbëve në Mitrovicën Veriore apo gjetkë.

Sipas edhe një prononcimi të djeshëm të gjeneralit serb, Miomir Stojanoviç, ish-drejtor i Agjencisë Ushtarake të Serbisë, pas kësaj vrasjeje nuk mund të qëndrojë faktori shqiptar; ajo është me motive politike ose pjesë e bandave kriminale. Duket që shqiptarët qëndrojnë larg kësaj vrasjeje dhe sikurse është e njohur tashmë, ata, për raste të tilla, më shumë mund të merren me njeri-tjetrin.

Mendojmë se në këto momente është i rëndësishëm një ingranim serioz i strukturave përkatëse në Kosovë për të gjetur vrasësit realë dhe pse Veriu i Mitrovicës është lënë prej tyre, si të mos ishte pjesë e këtij shteti. Kjo do të ishte e shumëdëshiruar dhe do të parandalonte ecurinë e këtyre lloj skenarëve. Por, do të ishte dhe një tjetër dëshmi se shteti i pavarur i Kosovës nuk mund të nëpërkëmbet dhe të gjithë shtetasit e tij, pa kurrfarë dallimi, kanë ku t’i mbështetin të sigurt krahët e tyre. Në këtë mënyrë, sikurse edhe besojmë, rifillimi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë i pashmangshëm. Forca dhe politikanë të ndryshëm serbë, edhe më tej do të përpiqen të bëjnë të kundërtën. Me vrasjen e Ivanoviçit dhe keqësimin e situatës së komunitetit serb në Kosovë, ata, nga njëra anë do të motivojnë ngadalësimin e dialogut, ndërsa, nga ana tjetër, do t’u japin kahe të tjera çështjeve dypalëshe për të realizuar qëllimet e veta. Pavarësisht këtyre, dialogu dypalësh, edhe me ndihmën e Bashkimit Europian, vështirë të vonojë, pavarësisht rrethanave të mësipërme, me qëllim që, sikurse nënvizoi këto ditë dhe Zëvendësja për Politikë të Jashtme e BE-së, të përmbushen marrëveshjet e arritura, si detyrim i të dyja palëve, për progres sa më të shpejtë në rrugën e tyre europiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura