Merrte makinat për t’i provuar dhe “arratisej”, blerësi fals vodhi tre automjete

Apr 26, 2015 | 16:00
SHPËRNDAJE

Prezantohej si tregtar automjetesh në Tiranë dhe pasi binte dakord për çmimin me persona që donin të shisnin mjetet e tyre i merrte ato “sa për t’i provuar”.

Gjykata e Tiranës

Në vazhdim ai largohej në drejtim të paditur, fikte telefonat dhe nuk u kthente më pronarëve makinat dhe as u jepte paratë e premtuara. Sipas Gjykatës së Tiranës, e tillë ka qenë skema e përdorur nga 33- vjeçari Elvis Spahiu, i cili është shpallur fajtor për akuzën e “mashtrimit më shumë se një herë” me pasoja të rënda dhe është dënuar me 11 vjet heqje lirie. Në vendimin e shpallur më 15 prill, Gjykata vlerëson si të provuara rastet ku 33-vjeçari ka marrë dhe nuk ka kthyer dy personave tri automjete. Përveç automjeteve, i pandehuri është fajësuar edhe për një shumë prej 66 mijë euro, të cilat ia ka marrë një të njohurit të tij dhe nuk ia ka kthyer. Spahiu u dënua në mungesë, për shkak se masa e sigurisë “arrest në burg” dhënë ndaj tij ende nuk është ekzekutuar. Procedimi penal ndaj tij nisi pas kallëzimeve të personave të mashtruar.

AUTOMJETET

Referuar vendimit të arsyetuar të Gjykatës, episodet për të cilin është fajësuar i pandehuri Spahiu janë shënuar gjatë vitit 2013, në kryeqytet. Në muajin maj, ai është takuar me shtetasin Ilir M., i cili ka pasur në pronësi një automjet “Benz”, që kërkonte ta shiste. “Fillimisht, i pandehuri e ka marrë makinën për ta kontrolluar dhe i ka thënë të dëmtuarit se do t’ia blinte për shumën 4500 euro. Meqenëse i pandehuri nuk e kishte në atë moment shumën e mësipërme kanë rënë dakord që likuidimi i shumës të bëhej për disa ditë. Pavarësisht sa më sipër, i pandehuri ka fikur numrat e telefonit që dispononte dhe i është fshehur të dëmtuarit, duke mos i dhënë as makinën dhe as shumën për të cilën kishin rënë dakord”, thuhej në vendim. Në një episod tjetër, i dëmtuari Blendi S. ka dashur të shesë një automjet tip “Audi A8”, të cilën ia ka lënë një personi që merrej me tregtim mjetesh. Ky i fundit, Erson Gj. është kontaktuar nga i pandehuri Spahiu. Përveç “Audi”-t, ai i ka kërkuar t’i blinte dhe një automjet “Toyota”, duke rënë dakord për 10 mijë euro secilën. Sipas Gjykatës, i pandehuri nuk i ka kthyer as makinat dhe as lekët për të cilat kishin biseduar.

PARATE

Sipas Gjykatës, në korrik 2013, i pandehuri Spahiu i ka kërkuar një të njohurit të tij, F.P. një shumë prej 66 mijë euro. Ai ka rënë dakord t’ia likuidojë për 2 muaj, duke nënshkruar edhe një kontratë noteriale. “Pavarësisht sa më sipër, i pandehuri ka fikur numrat e telefonit, ka shmangur çdo kontakt dhe nuk e ka kthyer shumën që i ka marrë të dëmtuarit”, shprehej Gjykata në vendimin përfundimtar. 

NGA ARMAND BAJRAMI 
 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura