“Merrni kazma dhe lopata”/ Kreu i Emergjencave sqaron deklaratën: Zjarri nuk fiket me kompjuter! FA kanë mjete moderne, por në momente të caktuara…

Aug 4, 2021 | 14:44
SHPËRNDAJE

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka deklaruar se situata me zjarret në qarkun e Gjirokastrës paraqitet e stabilizuar. 

Në një intervistë për “News24” Çako tha se flakët nuk rrezikojnë Parkun Kombëtar të Llogarasë. Kreu i Emergjencave Civile sqaroi edhe deklaratat e tij të fundit për përdorimin e mjeteve rrethanore për shuarjen e flakëve, duke u shprehur se ato janë përdorur vetëm në raste emergjente, pasi ka mjete të modernizuara për menaxhimin e situatës.

Jam duke u kthyer nga Gjirokastra në drejtim të Karaburunit. Tani do të ndjek operacionin në Karaburun, në kufi me Parkun e Llogarasë. Në Gjirokastër pas një lufte dhe përpjekje të vazhdueshme, pothuajse situata është vendosur në kontroll. Atje janë angazhuar një numër i konsiderueshëm i forcave të Armatosura, policisë, zjarrfikëse. Aty patëm fatkeqësisht një humbje të qytetarit, por situata është në kontroll të plotë. Në Karaburun, janë po ashtu forca të shumta. Janë rreth 380 forca që operojnë në pjesën fundore të Karaburunit. Operacioni po vijon me tre helikopterë. Mund të themi që është shmangur rreziku për Parkun Kombëtar të Llogarasë, por jemi ende në proces pune. Raportohet vatra zjarri në Durrës, Shkodër, Dibër, por këto vatra vihen në kontroll prej tyre.

Janë vatra që nuk rrezikojnë jetë njerëzish. Kemi një plan kombëtar, në varësi të situatave që jepen bëjmë organizimin. Ne kemi ditë që kemi angazhuar dhe angazhojmë strukturat qendrore. Pajisjet dhe uniformat mbrojtëse i kanë efektivët e FA, janë aktivizuar. Zjarri nuk fiket me kompjuter, mjetet rrethanore në momente të caktuara shfrytëzohen. Kuptohet janë në varësi të rrethanave të krijuara. FA ka në dispozicion pajisje moderne, falë edhe ndihmës së partnerëve dhe njësive vendore. Ka pasur njësi të caktuara me uniformë, ndërsa njësi të tjera mund të jenë me mjete rrethanore. Më e rëndësishme është mobilizimi dhe të gjithë kanë qenë të mobilizuara. Pasojat që vijnë nga zjarret dëmtojnë ekonominë e fermerëve, gjithsesi detyra është e të gjithëve e jo vetëm e shtetit”, tha Çako në “News 24”.

Një video do të bëhej virale në media ditën e djeshme, ku shfaqej kreu i Emergjencave Civile duke thënë: “Merrni kazma dhe lopata që të shuani zjarrin!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura