Merrmë sytë dhe shih Farën

May 12, 2015 | 14:44
SHPËRNDAJE

Eli Fara gjatë xhirimeve të klipit të një kënge
Sa herë dëgjoja të flitej për rininë e pashtershme të Eli Farës, bëhesha gjithnjë kurioze të dija vitet e saj të vërteta por, asnjëherë nuk tepronte koha për të pyetur. Fundja, ishte interes disasekondësh që ngacmohej vetëm nga zërat e plotë të bisedonjësve. Mirëpo, historia përsëritej aq shpesh sa, një ditë, më në fund, pyeta. 46-47, më thanë (rreth një vit më parë). Gjithnjë kisha menduar se ishte rreth të 50-ave prandaj edhe çuditesha që njerëzve u dukej përditë e më e re! Mundet që të kem menduar që ka qenë problem i imi, se unë e gjykoja gabim, ndaj edhe u desh kaq kohë të artikuloja pyetjen. Mosha ishte vetëm gjysma e mendimit për këngëtaren, sepse, nga ana tjetër, nuk mendoja as që të ishte e bukur. Bisedës së këngëve nuk po u hy fare sepse nuk jam e zonja të analizoj zhanret që ka kënduar, që nga këngët vllehe e deri te ritmet e sotshme rinore (me sa duket nuk do të zhgënjej publikun). Pra, siç mund të jetë kuptuar tashmë, kur pashë që botuesja Arlinda Dudaj kishte thënë se nuk e përfshinte Eli Farën në grupin e femrave më të bukura shqiptare, u ndjeva e përfaqësuar. Me siguri që ka edhe njerëz të tjerë që mendojnë kështu, vetëm se nuk më kishte rënë rasti t’i dëgjoj. Kujtoj gjithnjë se bisedat janë të interesit shtatësor, pra, nëse ti do të shkëmbesh dy fjalë me kolegen, por nuk
Botuesja Arlinda Dudaj
do as të japësh o të marrësh nga vetja, flet për një personazh sa për të mos zvarritur heshtjen. Eli Fara, gjithnjë më ishte dukur një grua me simpati të zakonshme, asgjë përtej kësaj. Asnjë tipar pas të cilit të hutohesh apo të të mbesë në mendje e të thuash, sikur ta kisha edhe unë! Të mos harrojmë që, ka mundësi shumë të mira për t’u kuruar e kujdesur për veten me gjithë rehatinë e nevojshme. Kjo e fundit, sot, është shumë e rëndësishme. Të pasurit mundësi! Për shembull, bën të mundur që ta mbash për disa vite moshën tënde 46-47-vjeçare. Në fund, mendova se u tha ajo që duhej thënë e dëgjuar. Por, këtu, historia vetëm sa kishte filluar. Fara reagoi në rrjetet sociale sepse u ndje e fyer. Sigurisht, askujt nuk do t’i pëlqente ta konsiderojnë ndryshe nga ç’ai mendon se është, por kjo është një punë që duhet zgjidhur me veten. Pretendimet e mia për atë që më duket se jam, nuk janë fare realiteti, është gjithmonë një tjetër që mendon ndryshe. Mirëpo, në rastin e Elit, siç duket, media ka ndikuar aq shumë në fryrjen e zërit për rininë, lëkurën, shkëlqimin e të tjera si këto, sa që ajo është bindur se meriton gjithçka, prandaj, në momentin më të parë, thotë, “Me mua mos”. Tashmë, e zyrtarizoi këtë duke bërë një këngë me këtë titull. Eli, ti mund të jesh një yll i shndritshëm që nuk do ta humbasë kurrë shkëlqimin, me siguri që fansat po, edhe shumë të tjerë që nuk të ndjekin këngët, mendojnë kështu. Por, jemi edhe në të tjerët që kemi mendimin tonë, mundet të na i ketë krijuar edhe xhelozia këtë gjë, por tashmë mendimi është ky: i patjetërsueshëm. A na lejon ta mbajmë? Ti, nderofsh gjithë Jugun me bukurinë e krishterë që ke, por na lër edhe ne veriorëve myslimanë, të kemi, së paku, të drejtën e fjalës, pa u ndjerë të sulmuar. Tek e fundit, nëse ti je vërtet ashtu siç thonë, një mundësi që njerëzimit i vjen rrallë për t’u pasur, të gjykuarit keq do të jemi ne që nuk kemi sy të shohim (jo më t’i kemi të bukur!).

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura