Merret vendimi: Qeveria akordon fond 3 mld lekë për garanci sovrane, për bizneset që tregtojnë produktet e shportës

May 26, 2022 | 20:51
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare ka vendosur miratimin e garancisë shtetërore me vlerë 3 miliardë lekë për bankat tregtare që të do jenë pjesë e skemës së garancisë për huadhënien për subjektet që tregojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë.

-640-0-620620d225cc4

Në vendim thuhet se shuma e garancisë shtetërore që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare do të përcaktohet nga ministri i Financave.

“Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive”, thuhet në vendim.

Vendimi i qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 8, të aktit normativ nr.7, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë pjesë e skemës së garancisë, që do të mundësojë huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, për të siguruar financimin e nevojshëm për të mbajtur rezerva për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë, të krijuar në treg.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson përcaktimin e shumave të garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta të garancisë, që do të lidhen me secilën prej bankave.

Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë mundëson, nëse rezulton e nevojshme, rialokimin e shumës së garancisë nga huadhënësi që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi, që e ka ezauruar atë plotësisht, duke ndryshuar për këtë qëllim edhe marrëveshjet e lidhura/nënshkruara të garancisë

Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.

Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, me urdhër të posaçëm, mund të ngarkojë ndjekjen dhe administrimin e të dhënave të kësaj skeme garancie, duke përfshirë mbajtjen, përllogaritjen, rakordimin dhe raportimin e të dhënave nga punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura