Merkel ose vëmendja gjermane

Jul 6, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

    Vizita e Kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë dhe më pas në Beograd nuk është një rastësi. Sikurse Ballkani ka nevojë për Europën, edhe Europa ka nevojë për të. Bashkimi Europian, edhe pse po ndeshet me probleme tepër të vështira brenda vetes, përpiqet të mbështetë vendet e rajonit tonë për plotësimin e aspiratës së ballkanasve në familjen europiane. Gjermania, si vendi më i zhvilluar i Bashkimit Europian, ka për këtë rolin e vet të fuqishëm. Pavarësisht axhendave të saj të ngarkuara, duket që tema e Ballkanit është bërë gjithnjë e më e pranishme, pjesë e pandarë e vëmendjes gjermane.
Ishte nisma e Kancelares gjermane Merkel që në fund të gushtit të vitit të kaluar të mblidhet në Berlin konferenca e parë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrës të së cilës ishin jo vetëm kryeministrat e këtyre vendeve, por edhe përfaqësuesit e zëshëm të Komisionit Europian dhe të shteteve ku do të zhvillohen konferencat e ardhshme të po këtij formati, Austrisë dhe Francës. Një nismë serioze kjo në shërbim të rajonit tonë, për një progres konkret të tij në drejtim të reformave, zgjidhjes së problemeve kryesore në marrëdhëniet dypalëshe dhe atyre të brendshme. Pra, një Ballkan i stabilizuar, por edhe me një ekonomi prosperuese.

Perspektiva europiane e Ballkanit doemos që kushtëzohet me implementimin e reformave. Probleme të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar vazhdojnë të jenë gangrenë e vendeve tona. Sa më shpejt që ato t’i kalojnë proceset e reformave, aq më i shpejtë është edhe anëtarësimi në BE, nënvizonte qysh herët Merkel. Një Bashkim Europian i fortë, për Merkel dhe politikën gjermane kërkon patjetër krijimin e të gjitha kushteve nga secili vend aspirant për sundimin e ligjit dhe efektivitetit në punën e administratës. Çështja gjithashtu është: mosperceptimi i kritereve të pranimit si barrierë apo pengesë, por si nxitje për të punuar me të vërtetë me sukses për qytetarët e tyre.

Sipas krerëve të BE-së, synimi i tyre politik, ekonomik dhe gjeostrategjik është udha e duhur për prosperitetin e të gjithë qytetarëve të BE-së, mbrojtjen e stabilitetit të vet këtij organizmi. Ehe Merkel ose vëmendja gjermane është e interesuar që në këtë rrugë vendet e Ballkanit të kenë një bashkëpunim aktiv me njëri-tjetrin, duke rrëzuar me kurajë barrierat e njohura. Ajo kërkon që Serbia të mos sprapset nga çka ka bërë deri tani, kur është fjala për vazhdimin e bisedimeve me Kosovën dhe progres të mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë. Dy muaj më parë, ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier, gjatë vizitës zyrtare në Beograd diskutoi konkretisht për përmirësimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, nëpërmjet përmbushjes së kërkesave për përparim në rrugën e integrimit të vendit në BE.
Merkel është e vendosur edhe më tej për këto. Ndaj dhe pritet që ato të jenë në rend të ditës të takimeve të saj në Beograd. Mendohet që kjo vizitë të jetë gjithashtu një inkurajim për liderët e rinj serbë, si Kryeministri Vuçiç, për t’u ngritur mbi paragjykimet e njohura dhe për t’ua lehtësuar ndërkohë atyre lidershipin përballë ekstremizmave të njohura.

Kjo është njëra anë. Ana tjetër mendojmë se lidhet me një problem gjithashtu të njohur: drojën që vende si Serbia dhe Maqedonia mund të flirtojnë edhe më tej me Rusinë. Një shpejtim i procesit të anëtarësimit të tyre në BE, sigurisht, pas atyre çka thamë më lart, do t’i ndihmonte këtij synimi. Përpjekjet për flirtim të mëtejshëm nuk mund të mos sjellin shqetësime për Bashkimin Europian. Është i njohur fakti i refuzimit të sanksioneve europiane kundër Rusisë apo manovrat serbo-ruse në territorin serb. Apo aleanca të tjera të ngushta të tyre. Më 19 nëntor të vitit të kaluar, Merkel foli për ndërhyrjet ruse në Ballkan, sikurse dhe Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Çështjeve të Jashtme dhe atyre të Sigurisë të BE-së, e cila paralajmëroi Rusinë për ndërhyrje në Ballkan dhe zgjerimin e influencës së saj në këtë rajon. Për këto rreziqe të influencës ruse në Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi rreth katër muaj më parë në deklaratën e tij edhe John Kerry, sekretari amerikan i Shtetit, se “për sa i përket Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, ato janë në vijën e zjarrit”.

Ardhja gjithashtu në Tiranë e Angela Merkel shënon vizitën e dytë në vendin tonë pas asaj të Kancelarit Gerhard Schroeder, gjashtëmbëdhjetë vite më parë. Shqipëria dhe më tej vlerësohet për rolin e saj te shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, në zonën e Preshevës, në Mal të Zi. Ky rol do të kërkohet të rritet dhe më tej. Rëndësia e vizitës së Merkel në Tiranë shikohet në dy aspekte: në atë politik dhe atë ekonomik. Vëmendja gjermane, siç duket, është rritur tashmë ndaj Shqipërisë, duke e parë atë si partner të saj gjeopolitik. Edhe në fushën ekonomike vihet re një shtim i firmave gjermane. Sot numërohen 146 të tilla, si dhe ato gjermano-shqiptare. Vitin e kaluar volumi tregtar midis dy vendeve kapi shifrën 287 milionë euro, duke u radhitur në partnerin tonë të pestë tregtar. Po kështu, Gjermania është për Shqipërinë donatori më i madh ndër vendet anëtare të BE-së. E rëndësishme është rritja e progresit në vend, sepse, sikurse nënvizoi këto ditë Kancelarja Merkel, “Shqipëria ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”. Anëtarësimi në Bashkimin Europian, sigurisht, nuk është një rrugë e lehtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura