Merkatoja vazhdon, Partizani “prenoton” dy sulmues

Sep 5, 2018 | 12:06
SHPËRNDAJE

Periudha e lëvizjeve dhe transferimeve të futbollistëve në Kategorinë Superiore është mbyllur më 31 gusht, por Partizani vijon të mbetet në merkato. Tingëllon si çuditshëm, pasi kur nuk e gjetën gjatë muajve të verës, të kuqtë do të arrijnë të godasin tani,kur gjithçka quhet e mbyllur.

Partizani

Duke u ndier të paplotësuar nga lëvizjet e verës, me sa duket klubi i kuq i ka bërë llogaritë për të sjellë të tjera prurje në ekip. Gjetja e një pike referuese në majë të sulmit ka qenë një nga synimet e merkatos, por ndonëse u afruan në këtë rol, nuk dolën të hairit, ku njëri prej tyre ishte problematiku malazez, Stefan Nikoliç. Por, “demat” nuk kanë hequr dorë dhe mësohet se drejtuesit po bisedojnë me dy sulmues, të cilëve mund t’u krijohet mundësia që të vishen të kuq që tani. Burime pranë drejtuesve të kuq bëjnë me dije për gazetën se aktualisht kanë prenotuar dy sulmues. Ata nuk preferojnë të japin emra pa u mbyllur marrëveshjet, pasi i druhen frikës së interferimeve, siç ka ndodhur edhe në ndonjë rast gjatë verës.

Partizani

Gjithsesi, flitet se njëri është qendërsulmues afrikan, ndërsa tjetri një shqiptar i rajonit (KosovëMaqedoni). Dëshira e drejtuesve është që ta mbyllin me lojtarin shqiptar, i cili mund të ketë dy mundësi federimi te “demat”, përmes vendit bosh si lojtar i lirë ose përmes hapësirës që u jep Partizani B, që militon në Kategorinë e Dytë. Partizani i ka marrë masat për këtë gjë, pasi në federatë ka depozituar një listë me 23 lojtarë duke lënë dy vende bosh, të cilat janë planifikuar për lojtarë që mbyllja e merkatos i ka gjetur të paangazhuar me asnjë klub. Thuajse e njëjta taktikë u përdor edhe në sezonin e shkuar me Jasir Asanin.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura