Meri Lalaj, autorja e librit mbi ish-nxënëset e Institutit “Nana Mbretneshë”: Nga propozimi i Liri Belishovës, në gjurmët e një brezi që po shuhet

Aug 19, 2013 | 15:49
SHPËRNDAJE

Janë historitë e sa e sa vajzave të Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”. Ato që jetojnë ende janë fare të pakta, të tjera janë larguar, por kanë lënë historinë nga pas. Histori të cilën autorja e librit Meri Lalaj e ka hulumtuar për ta përmbledhur në një botim, që sipas saj mbetet ende për t’u pasuruar. Ndër të munguarat janë edhe Nexhmije Hoxha e Vito Kapo, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër janë vazhdimisht në qendër të vëmendjes.

Ende sot, nga gratë e moshuara që kanë mbetur prej asaj kohe, por edhe nga më të rinjtë që më shumë kanë dëgjuar për to, sesa kanë parë, kujtohen me nostalgji vajzat e famshme që patën studiuar në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Edhe kaq, do të ishte mjaftueshëm për të qenë subjekti i një libri, jo që, për të folur rreth tyre, autorja Meri Lalaj ka shumë më shumë. Ndërsa ishte Liri Belishova që, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij Instituti, i dha autores idenë e realizimit të një libri. Të sillte në vëmendje jetën e tyre, me të gjitha detajet që e bënin atë ndryshe nga të të tjerëve, nuk ishte e lehtë. Së pari, bisedat me Belishovën ishin një burim i mirë informacioni, por vetëm kaq nuk mjaftonte. Të tjera dëshmitare që kanë mbetur në jetë, apo fëmijë e mbesa të atyre që janë larguar, ndihmuan në pasurimin  e këtyre faqeve me jetën e disa prej grave më të bukura e më të suksesshme të kohërave.
“Për dekada me radhë, ndonëse është folur hera-herës për Institutin dhe vajzat e tij, nuk është bërë asnjë përpjekje, as individuale e as institucionale për hulumtimin faktik dhe hartimin e një monografie a historiku të këtij Instituti”, pohon Meri Lalaj.
Ky është libri i parë në përpjekje për të rindërtuar një histori që është lënë pas dore këto vite, sado që mbetet i hapur.
“Mbetet i hapur, sepse ka shumë ç’të shtosh në të, histori të tjera të pazbuluara. Njerëz të tjerë, të cilët unë s’e kam ditur që kanë studiuar aty, por që më kanë dalë pasi libri është botuar”. Por, përveç të tjerash, libri mbetet i hapur, edhe pse në të mungojnë dy nga figurat kryesore të kohës e të Institutit. Nexhmije Hoxha e Vito Kapo, dy nga gratë e figurave më të larta të komunizmit, Enver Hoxha e Hysni Kapo, janë lënë jashtë kësaj përmbledhjeje.
“Mendoj që për të dyja ato është folur pa fund nëpër media, aq sa njerëzit nuk kanë më të njëjtën kureshtje. Prandaj, edhe unë u mëshova figurave, për të cilat është folur më pak. Atyre që kanë qenë të gjitha shoqe të Nexhmijes e më pas iu shkatërrua jeta”.
Në fakt, të intervistosh Nexhmije Hoxhën, nuk është gjëja më e thjeshtë në botë, prandaj edhe nëse një ditë ndodh, historia e saj do t’i bashkëngjitet këtij libri.
Përveçse një shtysë nga Liri Belishova, pse ky libër?
Në fakt, shtysa e Lirisë shërbeu vetëm për të më nxitur, sepse edhe interesi im për këto gra nuk ishte i vogël. Shumë nga ju të rinjtë mund të mos kenë dëgjuar për to, por ishin më të mirat e këtij vendi, sepse që të mbaroje këtë shkollë, do ishe gati për kudo. Kujtoni që ishte viti 1933 kur u hap, kohë kur vajzat në vendin tonë ishin të mbuluara e i martonin prindërit. Ky Institut nuk ishte arsimim i rëndomtë, aty mësoje gjithçka, që nga gjuhët e huaja, veglat muzikore, vizatim, lëndët e kopshtarisë, blegtorisë etj.
Jeni marrë me disa figura, ndërsa me disa të tjera kanë mbetur jashtë, ndoshta ato më të rëndësishmet…
Jeta e gjithsecilit është e rëndësishme. Është e rëndësishme jeta e atyre vajzave që iu futën burrat në burg, që jetuan duke u zvarritur, e atyre që u pushkatuan e arrestuan. E të gjithave… Disa prej tyre nuk janë përmendur asnjëherë, prandaj edhe u kam mëshuar. Për të tjerat, ato që është folur gjithmonë, nuk u mora gjatë, sepse i shoh si figura të konsumuara.
Nga i morët të dhënat, përveç rastit kur zonjat rrëfejnë vetë, raste që nuk janë të shumta tanimë…
Po, për fat të keq, po largohen nga jeta një nga një, siç ishte rasti i Evanthi Cikos, që arriti ta marrë librin në dorë, por jo ta shfletojë, sepse u nda nga jeta menjëherë më pas. Këto gra janë shumë të moshuara, kanë kujtesë të dobët, nuk është e lehtë të kujtojnë, por janë përpjekur gjithsesi. Çdo ditë unë jetoja me vitet e shkollës së tyre, me përpjekjet dhe vetëmohimin e tyre në luftën për çlirimin e vendit, me idealet, me ëndrrat e tyre të bukura për të ardhmen. Herë-herë ndihesha e burgosur si Didi Biçaku apo Gjyslyme Dervishi, jetoja vitet e gjata të izolimit të Musine Kokalarit, provoja kulmin e karrierës dhe fundosjen me tridhjetë vite në internim si Liri Belishova, gëzoja për fatin e lumtur të Nermin Vlorës dhe Vera Blloshmit. E kudo më ndiqte nga pas Ramizeja (Gjebrea)… Pasi pata lexuar një shkrim në gazetë, doja të shkoja në Durrës për të takuar zonjën Drita Malile, kur më thanë: “Drita ka shtatë a tetë ditë që ka ikur nga jeta!”. Kërkova të bisedoj me zonjën Shpresa Qeribashi (Bushati), takova të birin, i cili më tha se nëna e tij nuk mund të fliste për shkak të një tromboze që i kishte ndodhur më 1 janar. Duke ecur rrugës, më zuri syri një lajmërim vdekjeje, në të cilin ishte shkruar emri Zaira Mati. Me zonjën Zaira pata pasur rastin të ndodhemi ulur në një nga datat 15 të muajit, siç mblidheshin zakonisht vajzat e kësaj shkolle, dhe patëm biseduar për librin që ajo kishte përkthyer. Një ditë u takova me zonjën Dhurata Strazimiri (Jegeni) dhe biseduam gjerë e gjatë, e kur telefonova për të saktësuar diçka, më doli e bija, duke më thënë se nëna e saj pat pësuar goditje cerebrale dhe ishte paralizuar krejt. Gjithnjë e gatshme më ka qëndruar pranë zonja Viktori Gjikondi me kujtesën e saj të mrekullueshme, duke m’u përgjigjur për çdo pyetje që i kam bërë. Vangjeli Mele, gjithashtu si dëshmitare e ngjarjeve të atyre viteve dhe punën e palodhur që ka bërë në mbledhjen e materialit nga Arkivi i Shtetit dhe nga burime të tjera. Këto gra e dokumente të kohës janë materiali bazë i këtij libri…

Disa nga nxënëset që studiuan në Institutin ‘Nana Mbretnesh” në librin e Lalaj
Ramize Gjebrea
Liri Belishova
Nermin Vlora
Musine Kokalari
Viktori Gjikondi
Drita Pelinku
Fazilet Gjilani
Shanisha Dosti
Ganimet Gjilani
Drita Kosturi
Evanthi Zoraqi
Didi Biccaku
Liri Gega
Musina Kumbaro
Vera Tetova
Mynever Fico
Margarita Tutulani
Shpresa Hoxha
Eleni Myzeqari
Eleonora Ikonomi

Nga ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura