Mentor Quku, profesori që i thoshin shpirti binjak i Mjedës

May 29, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Kur kanë kaluar plot dy vjet nga vdekja e Mentor Qukut, shkrimtarit dhe albanologut të mirënjohur shqiptar, Ali Hasani dhe Irfan Domnori sjellin në një shkrim në “Panorama” të pathënat e studiuesit të madh, njohësit të Mjedës.

Mentor QukuAta tregojnë të vërtetat e Mentor Qukut dhe të veprës së tij “Mjeda” me 5500 faqe dhe 1000 fotografi nga poeti shqiptar.

ALI HASANI DHE IRFAN DOMNOR

Plot dy vjet më parë ndërroi jetë në Shkodër studiuesi dhe shkrimtari Mentor Quku. U nda nga jeta, kur sa kishte finalizuar projektin 30-vjeçar, veprën “Mjeda”, me 5500 faqe dhe 1000 fotografi. Iku kur na risolli të plotë profilin dhe veprën e mendjendriturit, albanologut, rilindësit të dimensioneve të mëdha, Dom Ndre Mjeda. Nuk pati jehonë ky lajm në zhurmnajën shqiptare, por kjo s’e brengosi fort autorin e saj. Për të i rëndësishëm ishte fakti që shqiptarët tashmë do të kenë të plotë gjeniun e letrave, kolosin e harruar në pluhurin e kohës.

Vepra “Mjeda” ishte epilogu i një pune të gjatë hulumtuese e kërkimore, ishte finalja e një sfilitjeje të jashtëzakonshme. Ideja për këtë projekt madhor, tregonte profesori, më ka ngacmuar që në vitet e shkollës dhe u konturua më qartë kur fillova punën si mësues. Busull për sfidën e pazakontë, u bë një bibliografi e profesor Jub Kastratit, botuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Mjedës.

Pastaj u investova totalisht dhe iu futa detit në këmbë për të realizuar një vepër sa më të plotë për të madhin Dom Ndre Mjeda”. Fakti që gjendej përpara një figure shumë komplekse me përmasa të jashtëzakonshme, e bënte dhe më të vështirë sfidën e studiuesit të njohur deri në atë kohë për një krijimtari modeste, por gjithsesi me vlera të qenësishme.

Në një kohë të shkurtër u bë miku më i mirë, por edhe më i bezdisur për punonjësit e redaksive, librarive, arkivave, bibliotekave, muzeve, por edhe i shokëve e miqve të tij. Bëri çfarë ishte e mundur në atë kohë për të grumbulluar sa më shumë fotografi, intervista, dokumente, dorëshkrime, albume, harta, skica, libra, revista që iu deshën për plotë- simin e projektit.

Ai gjurmonte dhe grumbullonte çdo fletë, fashikull, libër, ku bëhej fjalë për Mjedën. Për ditë e muaj me radhë rendi sa në Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Pukë, Rrëshen, Gramsh, por dhe në fshatrat rreth Kuklit, në Kodhel, Kakarriq, Nënshat, Koman, Blinisht, Barballush, Mabë etj., zona këto ku ka punuar dhe jetuar Ndre Mjeda.

Bashkëkohësit e bashkëpunëtorët e Qukut tregojnë se ai në atë kohë futej kudo, shtëpi më shtëpi, shkollë më shkollë, zyrë më zyrë, për të takuar njerëz të ndrojtur, por sidomos të friguar se duhej të flisnin për një prift.

Ishte koha kur feja ishte ndaluar me ligj dhe predikuesit e korifenjtë e Kishës ishin shpallur armiq të popullit. Çdo trokitje në portën e një prifti apo kishe, mund të kishte pasoja të rrezikshme. Ia deshi puna të përballej me këtë shqetësim të madh Quku, pothuajse gjatë gjithë kohës që punonte për Mjedën. I rrëmbyer nga ethet e pasionit, profesori i papërtuar, tejkaloi çdo pengesë, duke vënë heraherës edhe veten në rrezik, deri sa ia doli mbarë. Ai u bë shpirti binjak i Mjedës. U bë vuajtja dhe dhimbja e tij.

U bë ideali i tij. Me punë të përditshme e të pandërprerë, me gjithë forcën e shpirtit dhe potencialin e tij, u angazhua për ta ringjallur, ndriçuar e mësuar, mendjendriturin, albanologun, rilindësin e dimensioneve të mëdha, Dom Ndre Mjedën, dhe për ta vendosur atë në piedestalin e merituar. Me shumë punë, profesor Quku krijoi arkivin e Mjedës, bibliotekën e Mjedës, fonotekën e Mjedës. Njëherazi mendoi edhe për një shkencë të re: MJEDOLOGJINË.

Iu përkushtua shpirtërisht sfidës për të ndriçuar Mjedën si njeri, si atdhetar, si poet, si gjuhëtar, si shkencëtar. Në kulmin e përpjekjeve, profesor Willy Kamsi, themeluesi dhe përgjegjësi i bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, i ofroi me bujari të gjitha materialet që dispononte, të cilat ia kishte kërkuar me insistim Mentori në gjurmim të jetës dhe veprës së Mjedës.

I mori ato në shtëpinë e vet, duke e bërë Mjedën e madh pjesë të familjes Quku. Aty gati çdo ditë flitej për të, për librat dhe kujtimet e tij. Në tërë mjediset e shtëpisë, zunë vend librat, dokumentet, fotografitë, shënimet dhe dhjetëra e qindra skeda për Mjedën. Ndodhte jo rrallë, siç tregonte me shpoti Mentori, që fëmijët i thoshin jo pa shaka “Baba, shtyje pak më tutje Mjedën, që të ulemi edhe ne”.

Ishte koha kur Mentor Quku kishte zbuluar “thesarin” më të madh të jetës së tij, të cilin po e ndriçonte, po e analizonte dhe po e shpluhuroste, për të ndërtuar veprën e madhe, “MJEDA”, kushtuar këtij gjiganti të kulturës kombëtare, babait të Ilirizmit dhe të lirikës shqiptare, që për një shekull pothuajse u la në harresë nga administrata shtetërore dhe institucionet shkencore.

Quku, shkrimin e parë për Mjedën e pati botuar në gazetën “Bashkimi” me ndihmën e gazetarit dhe mikut të tij, Besnik Dizdari. Për dhjetë vite me radhë, pas kësaj ai shkroi dhe botoi mbi 100 studime për Mjedën e madh.

Ndërsa në vitet 2004-2013 realizoi projektin 30-vjeçar duke u dhuruar bashkëkombësve të vet kryeveprën e tij, serialin “Mjeda” me dhjetë vëllime. Është vepra më madhore dhe më shkencore e Mentor Qukut, me një paraqitje dinjitoze, me 5500 faqe, 12 kapituj, 60 pjesë të veçanta, bibliografinë, si edhe 1000 fotografi, harta dhe skica mjaft interesante, që flasin shumë me gjuhën e tyre, duke ngritur në tribunën e nderit albanologun zamadh.

Kështu, studiuesi e kritiku, shkrimtari e albanologu punë- tor, përmbushi premtimin e bërë se me veprën “MJEDA” nuk do ta sillte atë as si hero, as si viktimë, por si gjeniun e vërtetë të letrave dhe kulturës shqiptare.

Vepra “Mjeda” 1-10 është puna jetësore më hulumtuese dhe projekti më i madh i hartuar ndonjëherë për një krijues të Rilindjes Kombëtare, siç është shkrimtari dhe poeti ynë i madh, Dom Ndre Mjeda.

Kjo hapi një epokë të re në studimin e figurës dhe veprës MJEDIANE, për të cilën studiuesit e fush- ës, po jo vetëm, do t’i jenë për jetë mirënjohës Qukut, profesorit, që me të drejtë i thoshin “shpirti binjak i Mjedës”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura