Mentor Haziri: Pse i këndoj ‘plagës në zemër’, besoj se do të kem përkrahjen e kolegëve

0
SHPËRNDAJE

I ka shkruar vetë vargjet prekëse të këngës “Plagë në zemër” me muzikë të Gent Myftarajt. Këngëtari i rockut, Mentor Haziri, konkurron në këtë edicion të “Këngës Magjike” me një këngë që e quan “të madhe”, dhe që beson se do të votohet nga kolegët.

Për frymëzimin për këtë elegji dashurie, dashuriçkat në jetë dhe martesën si oaz qetësie apo burg, i rrëfen në këtë intervistë për gazetën “Panorama”…

Konkurron mes emrave BIG në këtë edicion të “Këngës Magjike” me këngën me titull “Plagë në zemër”. Ç’është kjo këngë me dhimbje kaq të madhe dashurie, kujt i dedikohet?

Kjo këngë lindi si ide bashkëpunimi mes meje dhe Gent Myftarajt, i cili ka shkruar muzikën. Pak a shumë dashurinë të gjithë e kemi diçka të brendshme dhe të dhimbshme. Si të tillë kam dashur ta paraqes në tekstin e këngës që e kam shkruar unë.

Tingëllon si një baladë shumë e fortë, më mirë të themi elegji dashurie. E ke përjetuar ndonjëherë dashurinë si vajtim, pra të të qajë shpirti?

Të them të vërtetën jo në këtë mënyrë se si e kam shkruar këtë këngë, por mund të them se kjo këngë është një vajtim i dashurive të humbura. Vij me këtë tematikë duke u nisur nga fakti se tashme çiftet shqiptare, duke u katandisur në trendin botëror, po ndahen më shumë sesa në të kaluarën, duke mos e pasur idenë se çfarë i shkaktojnë vetes, fëmijëve, etj., etj.

Pse more pjesë me një këngë të tillë në garën e emrave BIG të “Këngës Magjike”. Është ajo kënga e madhe për të cilën mendon se do të të votojnë kolegët?

Kjo patjetër që është një këngë e madhe, dhe prandaj pranova që të marr pjesë në garë me një vepër të tillë. Kur ma prezantoi Genti, menjëherë e kapa si melodi, dhe i thashë më lër të shkruaj diç- ka të dhimbshme për këtë melodi, sepse kështu duhet. Besoj që do të kem përkrahjen e kolegëve, pasi kënga është e një niveli që edhe të tjerët do ta përkrahin besoj.

I ke dëgjuar këngët e rivalëve, dhe të duket kjo një betejë e fortë e këtij edicioni?

Po, i kam ndjekur dhe jam i lumtur, sepse ka këngë shumë të bukura dhe artistët po sjellin krijimtari shumë të këndshme dhe konkurruese. Kurse për betejë, nuk e di se sa e fortë është, kjo do të shihet në finale.

Ndërkaq, gjatë prezantimit nte “E diela shqiptare”, Ardit Gjebrea të kishte përgatitur surpriza me Flori Mumajesin e Aurela Gaçen. Si janë marrëdhëniet e tua me këta të dy dhe artistët e tjerë?

Marrëdhëniet janë shumë të mira, i respektoj jashtëzakonisht shumë, pasi që kanë lënë vepra shumë të mira në industrinë muzikore shqiptare, siç është Flori me çdo këngë që bën, e bën hit, ashtu edhe Aurela një zë potent, që gjëmon nga Jugu deri në Veri. Ajo këndon gjithçka në mënyrë fantastike.

Nëse i qëndrojmë temës së këngës, për momentin je i zhytur në dashuri, ke hedhur pas krahëve një histori, apo je në kërkim të njeriut që të përmbush?

Dashuriçka sa të duash, por jam në kërkim të një lidhjeje serioze tashmë, sepse ka ardhur koha që të vendos dhe të shkruaj tamam për dashurinë që do ta kem në krah.

Sa afër apo larg vendimit të martesës je, e konsideron martesën një burg në vetvete për shpirtin e lirë të artistit?

Jo, besoj që është diçka që të drejton në një rrugë më familjare dhe të ndal rebelimin disi. Bëhesh më i urtë dhe më i kujdesshëm, mendon dy herë për gjërat që do të bësh. Gjithçka do të jetë më me kujdes, po edhe si burg ndoshta, kur shoh disa që u martuan. (qesh)

Çfarë e bën një marrëdhënie që të jetë shpirtërore, dhe një tjetër që të jetë thjesht seksuale?

Lidhja shpirtërore është një lidhje që më shumë çifte i kushtojnë njeri-tjetrit, kalojnë më shumë kohë me njëritjetrin para se të martohen, e thjesht e kalitën marrëdhënien fizike në atë shpirtërore. Koha për romancë ndaj njëri-tjetrit është ajo që të lidh shpirtërisht, kurse ajo seksuale nuk mund të themi që është pak e rëndësishme, pasi e gjithë kjo lidhje romance në fund përfundon në lidhje erosi apo seksuale. Kështu që është më shumë se e mirëpritur te një çift për një jetë sa më të lumtur dhe të gjatë.

Si artist i vërtetë që je, e lakmon pasurinë dhe si e vret mendjen përditë për ta vënë atë?

Pasuria është e rëndë- sishme, nuk duhet të themi që nuk na josh, të gjithë njerë- zimin e josh. Por nuk duhet të bëhemi skllevër të asaj, duhet të kemi parimet dhe qëllimet tona përpara që të na udhëheqin drejt progresit profesional dhe atij të mirëqenies sonë si individë. Siç është një shprehje “HEALTH IS WEALTH” apo “SHËNDETI ËSHTË PASURI”.

Ëndrra jote më e madhe cila është, çfarë ëndërron të bësh tënden një ditë?

Po si të gjithë të tjerët ëndërrojmë një botë më të mirë për të gjithë njerëzimin, po për mua normal që ëndrra është që të përparoj si artist dhe që në mënyrë profesionalë të tregoj aftësitë e mia prej kantautori, dhe që tutje të dëgjohet zëri im kudo që këndoj

KLOTILDA HARKA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakDyshime për krime kundër njerëzimit, arrestohen 13 persona në Bosnje Hercegovinë
Artikulli tjetërPse e mbani njërin sy mbyllur kur shkoni në tualet gjatë natës, gënjeni veten por jo vetëm

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU