Menopauza dhe efektet e saj tek femrat! Si të menaxhoni ndryshimet psikologjike që shkakton, nëse keni përjetuar më parë depresion…

Dec 27, 2022 | 10:36
SHPËRNDAJE

Menopauza është një periudhë e ndjeshme për çdo grua. Por si të menaxhoni ndryshimet psikologjike që ajo shkakton.

menopauze

Menopauza është një fazë kalimtare veçanërisht e ndjeshme për organizmin femëror, duke sjellë ndryshime dhe shqetësime si në organizmin ashtu edhe në psikologjinë e çdo gruaje.

Ndryshimet fillojnë qysh në vitet para menopauzës. Bilanci hormonal ndryshon, duke sjellë luhatje të humorit dhe simptoma të tjera.

Në një farë mase, këto ndjenja janë normale në këtë fazë të jetës dhe janë edhe për shkak të faktorëve të tjerë si divorci, largimi i mundshëm i fëmijëve nga shtëpia, karriera, edukimi dhe kujdesi për prindërit e moshuar.

Gratë e moshës së mesme mund të përjetojnë gjithashtu ndryshime të brendshme, për shembull në lidhje me vetëvlerësimin e tyre ose vështirësinë për të pranuar plakjen natyrale në një shoqëri që duartroket rininë.

Dhe sado që është normale që një grua të përjetojë këto tranzicione psikologjike për shkak të ndryshimeve që ndodhin në trupin e saj, ajo mund të ndërmarrë disa hapa për të arritur menaxhimin më të mirë të këtyre ndryshimeve dhe paqen e brendshme.

Është e rëndësishme që gratë në menopauzë të gjejnë ekuilibrin e tyre, duhet t’i kushtojnë vëmendje nevojave të veta dhe të mos lënë mënjanë veten për hir të punës apo familjes.

Kjo do t’i ndihmojë të përballen më mirë me sfidat, por edhe të ruajnë vetëbesimin.

Gjithashtu duhet të jeni veçanërisht të kujdesshëm nëse keni përjetuar depresion në të kaluarën, pasi mund të jeni më të prekshëm ndaj tranzicionit të menopauzës. Depresioni lidhet me një çekuilibër kimik në tru. Duhet të vini re nëse ndjeni lodhje të zgjatur, humbje të interesit për aktivitete të ndryshme, nëse përjetoni humbje peshe, trishtim ose nervozizëm.

Në këtë rast, do të ishte e dobishme t’i drejtoheshit një specialisti, i cili do t’ju ndihmojë, qoftë përmes seancave të psikoterapisë.

Mjekimi për depresionin është më efektiv kur përdoret së bashku me psikoterapi.

Ju gjithashtu mund të përjetoni ndjenja të shtuara ankthi. Këto ka të ngjarë të largohen vetë, por nëse episode të tilla përsëriten për një periudhë të gjatë kohore, mund të jenë shenjë paralajmëruese e sulmeve të panikut.

Simptomat e një çrregullimi të tillë mund të përfshijnë gulçim, dhimbje gjoksi, marramendje, ose ndjenjë paranojake.

Emocionet që lidhen me sulmet e panikut mund të imitojnë ose shkaktojnë një sulm. Trajtimet përfshijnë teknika relaksimi ose reduktimi të stresit, psikoterapi dhe medikamente me recetë.

Së fundi, nëse jeni të shqetësuar për kujtesën tuaj, është e rëndësishme të qëndroni aktiv fizikisht, socialisht dhe mendërisht. Shumë gra në menopauzë raportojnë vështirësi në përqendrim ose probleme me kujtesën afatshkurtër.

Në asnjë rrethanë nuk duhet të përpiqeni të diagnostikoni ose trajtoni veten pa u konsultuar me një specialist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura