Mendoj, pra jam, në Dhjetor

Dec 8, 2015 | 16:35
SHPËRNDAJE

MARK MARKUmarku

Gjëja e rrezikshme, së cilës i druhem shumë në raste të tilla përkujtimore si ky i sotmi, është rënia në kurthin e të treguarit të ngjarjes së ndodhur 25 vite më parë, kurth ky që, nga njëra anë, nënkupton shfaqjen e rrëfyesit si protagonist të ngjarjes dhe nga ana tjetër, nënkupton historizimin e ngjarjes, që do të thotë organizimin e një diskursi ideologjik sepse nga këndvështrimi i një studiuesi të komunikimit, siç është autori i këtij shkrimi, historia nuk është fakti, aq më pak dëshmia, siç duan të na bëjnë të besojnë historianët pozitivistë, por diskursi mbi faktin. Dhe ky diskurs, siç tashmë dihet, përcaktohet fort nga tërësia e dijeve, ndjeshmërive dhe përkatësive ideologjike apo kulturore të autorit.

Nuk kam ndërmend të tregoj në këtë shkrim as përjetime të momenteve, që 25 vjet më parë si student në Universitetin e Tiranës kam përjetuar si pjesëmarrës i lëvizjes studentore që solli përmbysjen e njërit prej regjimeve më antihumane të shekullit të njëzetë, as kujtime si student i Grevës së Urisë, as heroizma, as rreziqe, shkurt: asgjë mallëngjyese apo prekëse për lexuesin. Do të përpiqem të bëj një refleksion fare të shkurtër për kuptimin e asaj ngjarjeje, ku zë fill historia e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

Sa herë bëhet fjalë për Lëvizjen e Dhjetorit 1990, karakterizimet që ndeshen më shpesh për të, sillen rreth fjalëve guxim, frikë, revoltë, diktaturë, demokraci, ndryshim, e të tjera si këto. Dhe harrohet shpesh fjala mendim, ose aftësi e të menduarit, siç përdoret termi në filozofi. Mendoj se vlera kryesore e asaj lëvizjeje ka të bëjë me faktin se studentët dhe një pjesë e pedagogëve të tyre, për herë të parë në historinë e institucioneve arsimore shqiptare, e përdorën në kuptimin e plotë të fjalës këtë aftësi të racës njerëzore. Domethënë filluan të mendonin për gjendjen në të cilën ndodheshin. Filluan të mendonin për hipokrizinë dhe mashtrimin e pafund që lëshonte mbi kryet e tyre propaganda totalitare, për hendekun e madh që ekzistonte mes realitetit të zymtë dhe të pashpresë ku jetonin dhe delirit surreal ideologjik që regjimi kërkonte të injektonte në kokat e tyre, për varfërinë ekstreme, urinë e përditshme, mungesën e kushteve elementare njerëzore si uji, dritat, veshjet e kështu me radhë. Përmes të menduarit, ata kuptuan se gjendja e tyre njerëzore ishte mizerabël, se perspektiva e jetës së tyre ishte spartanizmi komunist pa kushte, pa argëtim, pa seks, pa asgjë nga ato që propaganda i quante pretendime mikroborgjeze. Këtej buron edhe dyshimi e më pas revolta ndaj aparatit ideologjik dhe represiv të regjimit komunist, revolta ndaj elitave të korruptuara të regjimit, ndaj aparatçikëve ordinerë të partisë, organizatave të tjera leva të saj dhe administratës shtetërore të shndërruar në instrumente të verbra të vrasjes së jetës, perspektivës, lirisë, dinjitetit të tyre, revolta ndaj një shoqërie të nënshtruar dhe të frikësuar.

Kamerat kanë fiksuar revoltën dhe demonstrimet e studentëve në sheshin Studenti apo në Rrugën e Elbasanit (të cilave iu bashkuan më pas një pjesë e qytetarëve të Tiranës dhe qyteteve e fshatrave të tjerë të Shqipërisë). Dëshmitarët dhe protagonistët e shumtë e kanë përshkruar pafund lëvizjen e studentëve nga godinat për në sheshet ku demonstrohej, por deri tani është folur shumë pak ose thuajse aspak për dhomat e studentëve (me nga gjashtë studentë), ku diskutohej deri në orët e vona të natës dhe jo në dhjetor, por në shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor. Mendoj se këto dhoma (si dhe vatrat familjare shqiptare, ku një pjesë e popullsisë shfrynte pakënaqësitë e saj) janë agora-ja e parë e demokracisë moderne shqiptare. Mendoj se këtu e ka zanafillën gjithçka, sepse këtu u ushtrua me plot kuptimin e vet aftësia njerëzore e të menduarit.

Filozofja Hanah Arendt, në librin e saj “Banaliteti i së keqes”, ka ngritur shumë pyetje dhe ka dhënë po aq përgjigje për një çështje themelore të shekullit të njëzetë: nënshtrimin thuajse total të shoqërive perëndimore ndaj regjimeve totalitare. Ajo bën një zbulim të rëndësishëm, teksa ndjek 120 seancat e gjyqit ndaj funksionarit nazist Eichman, personi i ngarkuar me deportimin e hebrenjve nga e gjithë Europa për në kampet e përqendrimit të ngritura nga regjimi hitlerian. Siç tashmë dihet, Eichman u kap nga shërbimet izraelite në Argjentinë ku ishte fshehur dhe u soll para gjyqit në Jeruzalem për t’u përgjigjur për krimet e kryera. Hanah Arendt, atëherë e dërguar nga një e përditshme amerikane për të ndjekur gjyqin e kriminelit të famshëm, zbuloi se personi që kishte kryer ato krime, nuk ishte një “njeri anormal”, një skizofren, një njeri me çrregullime psikike. Ajo vëren se ai ishte një njeri i zakonshëm, normal, banal dhe që e kishte kryer deportimin siç kryhet një detyrë çfarëdo, siç shprehet ai: si një “detyrë shtetërore”. Ai nuk shprehej në deponimet e tij para gjyqit se kishte bërë deportimin dhe vrasjen e miliona burrave, grave dhe fëmijëve hebrenj, ai shprehej se kishte “realizuar transportin e tyre”. Nuk kishte asnjë vrasje ndërgjegjeje, thjesht “kishte kryer detyrën”. E nxitur nga qëndrimi i Eichmanit në gjyq, Hanah Arendt bëri një analizë që do të trondiste jo vetëm opinionin politik, por edhe studiuesit e dukurisë së regjimeve totalitare. Ajo thotë se e keqja nuk bëhet dominuese në shoqëri, për shkak se njerëzit duan të bëjnë të keq. E keqja në shoqëri, thotë Arendt, bëhet mbizotëruese, për shkak të banalitetit të saj. Ajo ndodh jo sepse njerëzit mendojnë, por se ata nuk mendojnë. Mendimi është i thellë dhe ushtrimi i aftësisë së të menduarit pamundëson të keqen ose kufizon shtrirjen e saj në shoqëri. E keqja është banale, e pamenduar dhe regjimet totalitare e përhapin me aq sukses, sepse i shndërrojnë njerëzit në instrumente pa logjikë, në zbatues mekanikë. Regjimet totalitare kanë qenë të suksesshme në misionin e tyre dehumanizues, sepse kanë vrarë aftësinë e njeriut dhe shoqërisë për të menduar për gjendjen e tyre shoqërore, veprimet dhe pasojat e veprimeve të tyre në shoqëri.

Duke iu kthyer edhe njëherë argumentit për Lëvizjen e Dhjetorit, mendoj se studentët e sfiduan regjimin sepse, së pari, sfiduan banalitetin e së keqes brenda vetes. Studentët menduan. Kjo mendoj është vlera më e madhe e Lëvizjes së Dhjetorit. Të tjerat pastaj dihen: pluralizmi, demokracia përfaqësuese, një demokraci e gjymtuar dhe me kaq probleme pikërisht prej bartësve të banalitetit të së keqes që ekzistojnë ende dhe që administrojnë jetët tona, shoqërinë, të tashmen dhe të ardhmen. Bartësit e banalitetit të së keqes, këtë specie të nënshtruar nuk i zhduk as demokracia. Madje, edhe ajo i prodhon ata me shumicë. Por që sistemi demokratik të mos degradojë në një sistem surrogat duhet kultivuar dhe ushtruar aftësia e të menduarit, parakusht për mospërkeqësimin e gjendjes sonë politike, ekonomike, kulturore, arsimore, parakusht ky për mosdegradimin e pushtetit dhe të të qeverisurve, parakusht për ndryshime të vazhdueshme që e sfidojnë banalitetin e së keqes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura