Mëmuesja e VIP-ave në 90-vjetorin e lindjes,mes nxënësve edhe Linda Rama

Aug 13, 2015 | 9:44
SHPËRNDAJE

Kush ka pasur fatin të jetë nxënës i Shkollës Ushtrimore “Kosova” në vitet ‘60-‘70, veçanërisht i klasave A, me siguri e kujton emrin e mësueses së klasës së tretë fillore, Eleonora Pançe. E brishtë në trup, por me një personalitet që rrezatonte vetëm dashuri e përkujdesje për nxënësit e që nuk kishte nevojë ta impononte respektin, ajo dinte t’i bënte për vete të gjithë me zërin e butë dhe të ëmbël, por, mbi të gjitha, me pasionin dhe kujdesin me të cilin e ushtronte profesionin e saj si mësimdhënëse.

Taulant Dedja
Taulant Dedja

Këto ditë ajo feston 90-vjetorin e lindjes, e rrethuar nga dashuria e dy djemve të saj, Kristi dhe Genci, bashkë me familjet e tyre. Si ishnxënës i saj, ndjeva detyrim moral e vendosa të shkruaj disa radhë për këtë grua të rrallë e të jashtëzakonshme, të cilën kam gati 45 vjet që jam mësuar ta thërras Zysh Leonora, ashtu si të gjithë shoqet e shokët e Shkollës “Kosova” të viteve ’70 – ‘75. Eleonora Pançe ka lindur më 10 gusht të vitit 1925 në Nartë të Vlorës.

Ishte vajza më e vogël e një familjeje me shumë emër dhe arsimdashëse. Babai i saj, Kristaq Ikonomi, i vëllai dhe të gjithë xhaxhallarët ishin të diplomuar në universitete perëndimore në disiplina si shkencat, avokatura apo mjekësia, në fillimet e shekullit XX. Duke ndjekur nga pas të atin dhe lëvizjet e tij për arsye pune, si projektues dhe zbatues i Reformës Agrare në periudhën e Mbretit Zog, ajo i kreu klasat e fillores në vitet ‘31-‘36 në katër qytete të ndryshme, Fier, Berat, Kavajë dhe Vlorë.

Ish-nxënësit e Shkollës “Kosova” - Tiranë, 1971 - 1975, mes të cilëve edhe Linda Rama me mësuesen Eleonora Pançe
Ish-nxënësit e Shkollës
“Kosova” – Tiranë, 1971 – 1975, mes të cilëve edhe Linda Rama me mësuesen Eleonora Pançe

Në moshën 12-vjeçare, e pikërisht në vitin 1937, ajo nis studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, pas Luftës së Dytë Botërore i emërtuar Shkolla Pedagogjike, institucion me të cilin do të mbante lidhje të forta përgjatë gjithë periudhës së saj si mësimdhënëse aktive. Falë mendimit vizionar të ministrit të Arsimit të atyre viteve, Mirash Ivanaj, u arrit të krijohej në Shqipëri një shkollë e mesme elitare për vajzat, edukatoret e ardhshme, sipas modeleve më të përparuara perëndimore të kohës.

Ky realizim mbetet nga më të arrirët për epokën në fjalë për faktin se më shumë se kushdo tjetër janë nënat të parat që projektojnë të ardhmen e çdo shoqërie përmes rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Si nxënëse e Institutit Femëror, së bashku me shoqet e saj të afërta të klasës, Liri Belishova, Vera Pojani etj, dhe e frymëzuar nga idealizmi i moshës, Eleonora Pançe mori pjesë aktivisht edhe në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u dalluar edhe si drejtuese e Rinisë Antifashiste.

Rezultatet e larta në shkollë, por edhe pjesëmarrja në luftën për çlirim, do t’i jepnin asaj potencialisht të gjitha kredencialet për karrierë në sistemin e ri, por gjërat dukej se po ndryshonin … Idealizmin që kish pasur brenda vetes po e shihte gjithnjë e më pak rreth saj e në vend të tij, konstatonte gjithnjë e më shumë konformizëm, për t’u shprehur me fjalë të kursyera. Kësisoj, në një realitet të ri, me dëshirën për të mbetur vetvetja, ajo merr vendime që pakkush mund t’i merrte për atë kohë jo të zakontë.

Në vitin 1946 heq dorë nga mundësia për të ndjekur studimet e larta në Moskë në degën Psikologji për të qëndruar pranë prindërve dhe pasi refuzon edhe disa poste drejtuese në Ministrinë e Arsimit, vendos përfundimisht t’i përkushtohet mësimdhënies në arsimin fillor. Menjëherë ajo bie në sy për profesionalizmin e saj, sepse klasat ku ajo jep mësim shpallen model për nga rezultatet e larta në shkollat e Tiranës. Veçanërisht ajo shquhet gjatë periudhës kur angazhohet pranë Shkollës Ushtrimore “Murat Toptani”, shkollë e atashuar pranë asaj Pedagogjike.

Shkolla Ushtrimore ishte konceptuar si “laborator” për Shkollën Pedagogjike, e cila përgatiste mësues. Një lloj “bërthame”, ku shumë shpesh do të bëheshin mësime të hapura, ku nxënësit e Pedagogjikes do të praktikonin mësimdhënien. Ishte në fakt modeli më i avancuar i arsimit fillor në Shqipëri, ku më vonë u eksperimentua edhe mësimi i gjuhëve të huaja qysh në klasën e dytë. Natyrisht, më- suesit e ngarkuar për realizimin e këtyre programeve duhej të ishin shumë të përgatitur, si nga ana shkencore, edhe psikologjike e pedagogjike, por edhe veçanërisht të përkushtuar e të motivuar. Ideja e këtij tipi shkolle u arrit të realizohej plotësisht në vitin 1960, me hapjen e Shkollës Ushtrimore “Kosova”, një shkollë me shumë emër e reputacion falë mësueseve Hava Shehu, Andromaqi Noçka, Elonora Pançe, Afërdita Shala etj.

Pas 14 viteve plot pasion e përkushtim si mësuese e klasës së tretë, në vitin 1974 Eleonora Pançe emërohet drejtoreshë e Shkollës Ushtrimore “Kosova”, funksion që e kreu deri ditën e daljes në pension në fund të vitit shkollor 1976-1977. Për meritat e saj të veçanta ajo mban titullin “Mësuese e merituar” si edukatore e më shumë se 1200 nxënësve në rreth 30 vite karrierë, për pjesën më të madhe të të cilëve ajo vazhdon të kujtojë detaje. Për të gjithë ne ish-nxënësit e Shkollës “Kosova”, ajo mbetet mësuesja e mrekullueshme, mësuesja model që na rrethoi vetëm me dashuri e ngrohtësi. Në gjithë formimin tonë, ajo ka pa dyshim një pjesë dhe kontribut shumë të veçantë e të rëndësishëm. Mirënjohje e respekt pa fund për ty, Zysh Eleonora. Jetë të gjatë e plot shëndet të urojmë të gjithë në këtë 90-vjetor!

Taulant Dedja
Ish-nxënës i Shkollës “Kosova”
Tiranë, 1971 – 1975

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura