Memoriali për Shqipërinë europiane

Oct 9, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

RIGELS LENJA rigels-lenja

Para disa muajsh, qeveria ngriti një memorial për të vrarët e tentativës për grusht shteti të ndodhur në Turqi, në vitin 2016. Një grusht shteti i çuditshëm për mënyrën sesi u zhvillua, ku, për herë të parë, askush nga gjeneralët e ushtrisë nuk u pa në qendër të tij. Grushtet e shtetit në historinë e njerëzimit jo gjithmonë kanë qenë antidemokratike, ato shpesh kanë sjellë edhe rrëzim diktaturash apo regjimesh autoritare. Rasti më i fundit, rrëzimi me anë të një grushti shteti të liderit të Sudanit Omar al-Bashir, i cili kishte krijuar një regjim diktatorial ndërthurur me tipare terroriste.

Memorialët janë objekte që të kujtojnë pjesë nga e shkuara, vështirë të ripërsëriten dhe që dëshmojnë momente apo personazhe që kanë tentuar të sjellin ndryshim e progres për vendin. Një memorial për 250 të vrarët në Turqi është i pamjaftueshëm. Për këtë, qeveria ose Bashkia e Tiranës duhet të ngrenë edhe një memorial për atë që dikur na premtonin Shqipërinë europiane të gjeneratës tjetër. Shqipëria europiane është e pamundur të ndërtohet në nivelin që ndodhet sot vendi. Një sistem, i cili mbështetet mbi ekonominë informale, mbledhja e taksave nuk kryet ashtu si duhet, taksohet më shumë punëtori se pronari, korrupsioni është i kudogjendur e galopant, drejtësia jepet në formë ankandi, tenderat publike me letra false, me dhe pa letra fare ose me gjysmë letra. Të gjitha këto janë dukuri të etapës së fundit të Perandorisë Osmane, e që sot janë elementë të qeverisë sonë tipike neootomane. Edi Rama, nga një prej liderëve më karizmatikë kur drejtonte dikur Ministrinë e Kulturës, është përherë e më shumë një lider më toksik. E për ta dëshmuar, ka detyruar opozitën e vendit të tij të braktisë Parlamentin, një rast i paprecedent në historinë tonë dhe atë europiane. Ka arritur deri atje, sa kryetari i opozitës nuk pranon të ulet me të në tryezë për bisedime. Kjo, pasi edhe një shtrëngim duarsh me Edi Ramën, Lulzim Basha rrezikon jo vetëm të ngelë i papunë, por edhe të përfundojë në koshin e plehrave të historisë dhe partia që ai drejton të futet në kalandrat greke. Simboli i demokracisë (Çërçilli) u takua katër herë me simbolin e totalitarizmit (Stalin); dy prej këtyre takimeve u zhvilluan në zyrën e këtij të fundit. Rama e ka takuar një herë Bashën si kryetar të opozitës dhe nuk po arrin dot të ulet për një herë të dytë, me pak fjalë as stadin e Stalinit nuk po arrin të kapë.

Kryeministri nuk është refuzuar vetëm nga opozita. U detyrua të përdorë repartet “pararojë” të partisë së tij, që të ulej në bisedime me studentët kur këta protestonin në dhjetor. Madje, që ta mbyllte protestën që i kishte rrëzuar gjysmën e qeverisë, u detyrua të përdorte edhe dekanët, të cilët dikur në opozitë i akuzonte se i bënin fresk paraardhësit të tij. E nuk është mjaftuar me dekanët, po ka huazuar edhe ish-ministra, drejtorë e vartës të paraardhësit të tij, që nuk linte studio pa i atakuar për t’i bashkuar në ekipin e tij.

E, veç të tjerash, edhe në një garë ku nuk ka rivalë, i dalin kandidatë me të shkuar jo të rregullt e votuesit nuk i përputhen me votat në kuti. E për ta mbyllur, i duhet t’u japë urdhër të tijve, që të mos shkelin në emisionet që atij s’i tingëllojnë mirë, si në atë të Zhejit, Rakipit apo Krastës.

Shqipëria europiane duket se ka jo vetëm pak gjasa të realizohet, po edhe pak shpresa të shqiptohet. Në këtë ritëm, nuk është larg dita të shqiptohet “E duam Shqipërinë si Turqia”. Tetori është jo edhe shumë javë larg. E qeveria do duhet të presë përgjigje nëse do ta kalojë provimin e hapjes së negociatave, që ka 5 vite që nuk e merr dot. Gjasat janë të vogla, pasi progresi është pothuajse zero. E sigurt është që në rast të një JO-je, këtë herë qeveria do të gjejë fajin absolutisht jo te vetja, por se BE nuk kishte arritur të shihte rezultatet “mbresëlënëse” të ekzekutivit shqiptar, se kishte qenë e zënë për të shuar zjarret e Amazonës, protestat e Hong Kong-ut apo krizën e Iranit. Po cilat janë arritjet e kësaj qeveria dhe veprat me të mëdha? Është i vetmi vend në Europë ku zgjedhjet kryhen me një parti, emigrimi apo dëshira për të emigruar është e njëjtë me atë të viteve 90’, centimetri për ndërtimin e një rruge është i barabartë me atë të një unaze “Swarovski”, sistemi gjyqësor ka ngelur rrugëve dhe së fundi ka miratuar një ligj për mediat, i përafërt me atë të Putinit. Për të mos u treguar të padrejtë, arritja më e madhe, stadiumi me kullë ose kulla me stadium.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura