Zbulohet memo sekrete, SHBA kundër tre deputetëve të maxhorancës në grupin e miqësisë, Meta ishte përgatitur për fjalën e rastit

Mar 11, 2015 | 12:38
SHPËRNDAJE

“Panorama” shkruan sot se tre deputetë të maxhorancës mbajnë peng mbledhjen e Grupit të Miqësisë SHBA-Shqipëri. Dje mbledhja e konstituimit të këtij grupi dështoi, ndërsa ajo kishte 1 vit e gjysmë që nuk zhvillohej, që kur grupet e miqësisë janë ndarë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në krye të tij është caktuar ishkryeministri Pandeli Majko.

Ambasadori Donald Lu

Pas interesimit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkakun e dështimit të mbledhjes së parë të këtij grupi, jozyrtarisht u tha se mungesa e opozitës çoi në moszhvillimin e saj. Madje, mësohet se kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ishte përgatitur që të kishte një fjalë përshëndetëse në mbledhjen e parë të Grupit të Miqësisë SHBA-Shqipëri. Por, mësohet se arsyeja e vërtetë e bllokimit të mbledhjes dhe funksionimit të Grupit të Miqësisë SHBAShqipëri është një memo e Ambasadës Amerikane në Tiranë për të hequr nga lista prej 38 anëtarësh tre deputetë të maxhorancës.

Gazeta “Panorama” u interesua pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë rreth kësaj memoje që i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë dhe grupeve parlamentare. Por, përgjigja ishte se informacioni duhej marrë nga zyrat e Kuvendit, duke mos e mohuar faktin që një dokument i tillë i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë. Në Kuvendin e Shqipërisë, përgjigja që morëm ishte se përbërja e grupeve të miqësisë përcaktohet nga grupet parlamentare të partive në Kuvend.

Dje kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pranoi që ambasada amerikane në Tiranë ka shprehur disa shqetësime për disa deputetë. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Meta tha se “është e vërtetë që ambasada ka shfaqur disa shqetësime, por nuk mund të komentoj, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ambasadë”.

Një nga deputetët socialistë që Ambasada Amerikane kërkon që të mos përfshihet në Grupin e Miqësisë SHBAShqipëri është Tom Doshi, për të cilin ambasada doli me një deklaratë të fortë menjëherë pas përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar socialist.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive”, thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve, pak minuta pas përjashtimit të Tom Doshit nga Grupi Parlamentar i PS-së.

Por, duket se jo të mirëpritur nga Ambasada Amerikane në Tiranë janë dhe dy deputetë të tjerë të maxhorancës, emrat e të cilëve nuk citohen zyrtarisht. Nuk dihet se cilat janë arsyet pse tre deputetët e maxhorancës nuk janë të mirëpritur në Grupin e Miqësisë SHBA-Shqipëri, por fakt është se të paktën për rastin e deputetit Doshi, ish-deputeti socialist ka zhvilluar një vizitë në SHBA në nëntor 2013, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkaq, gjatë kohës që anulohej mbledhja e parë e Grupit të Miqësisë SHBAShqipëri, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ishte në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Mësohet se ai është takuar me kryetarin e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe njëkohësisht kryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Tema e bisedës mes kryediplomatit amerikan dhe deputetit të PS është mbajtur hermetikisht sekret nga të dyja palët, ndërsa reforma në drejtësi pritet që të prekë Kushtetutën e vendit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura