Melania Trump largon nga Shtëpia e Bardhë njohësen më të mirë të historisë së Kosovës

Nov 15, 2018 | 11:33
SHPËRNDAJE

Mira Ricardel, një gjeostratege me origjinë kroate dhe zëvendëse e këshilltarit për siguri nacionale, John Bolton, është larguar nga Shtëpia e Bardhë pas një kërkese të pazakonshme nga Zonja e Parë, Melania Trump.

melania kosove

Ricardel, e lindur Radieloviq, ka qenë këshilltare shumëvjeçare e Robert Dole, të cilin e ka shoqëruar në vizitën e tij të famshme në Kosovë në vitin 1990.

Enver Robelli/

Donald Trump është i njohur për stilin e tij agresiv dhe spektakular të largimit të zyrtarëve nga administrata e tij. Ministrin e Jashtëm Rex Tillerson e ka larguar përmes një njoftimi në Twitter, ndërsa Tillerson gjendej në një vizitë në Afrikë. H.R. McMaster, këshilltar për siguri nacionale, është larguar pasi Trump, mes tjerash, kishte thënë se nuk i pëlqenin kostumet e gjeneralit, i cili ka një dije të gjerë edhe përtej domenit ushtarak. Jeff Sessions, ministër i Drejtësisë, u detyrua të japë dorëheqje javën e kaluar. Më herët Hope Hicks, shefe për komunikim e Shtëpisë së Bardhë, ishte përzënë pas vetëm 6 muajsh qëndrimi në post. Dina Habib Powell, zëvendëskëshilltare për siguri nacionale, u largua për «arsye familjare». Powell, e lindur në Egjipt, angazhohej për kontinuitet të politikës amerikane në Lindjen e Afërt. Atë e trashëgoi në post Nadia Schadlow, por ajo dha dorëheqje menjëherë pasi u takua me këshilltarin e ri për siguri nacionale, John Bolton. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur në prill se e ka emëruar Mira Ricardel në postin e zëvendëses së John Boltonit.

Emërimi i Mira Ricardel u mirëprit nga shumë diplomatë europianë, e veçanërisht nga ata të Ballkanit, me përjashtim të emisarëve të Beogradit në Washington. Ricardel, me origjinë kroate, është një njohëse e shkëlqyer e zhvillimeve politike në Europë dhe është përshkruar si kundërshtare e rreptë e Rusisë. Por, si shumë zyrtarë të tjerë edhe Mira Ricardel është detyruar të largohet nga Shtëpia e Bardhë – pas një kërkese publike të Melania Trumpit, Zonjës së Parë të SHBA-ve, e cila është sllovene. Në një komunikatë Melania Trump shkroi se Mira Ricardel nuk i takon më nderi të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë. Arsyet janë të paqarta dhe kërkesa e Zonjës së Parë është shumë e pazakonshme.

Babai i Mira Ricardel, Peter Radieloviq, erdhi në SHBA në vitin 1954. Mira Ricardel ka shërbyer në administratën e presidentit Ronald Reagan dhe ka qenë këshilltare shumëvjeçare e senatorit republikan Robert Dole, mbështetësit të madh të Kosovës. Në administratën e presidentit George W. Bush Mira Ricardel shërbeu në postin e «Assistant Secretary of Defense for International Security Affairs» dhe si këshilltare. Në vitet ’90 është përshkruar si grua me shumë ndikim në politikën amerikane ndaj Ballkanit. Qarqet serbe e kanë akuzuar se ka ndikuar që Robert Dole të ketë qëndrime të qarta «antiserbe». Në të vërtetë, qëndrimet e Dole kanë qenë përherë konsekuente kundër politikave agresive të presidentit serb Sllobodan Millosheviq. Sidoqoftë, komunikata e Melania Trump ka mjaftuar që Mira Ricardel të largohet nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka bërë të ditur se Ricardel do të ushtrojë një rol të ri në administratë.

Sipas Richard Perle, një strategu të politikës së jashtme amerikane, në vitet ’90 Mira Baratta (kështu quhej ajo sipas mbiemrit të burrit të saj të atëhershëm), ishte – krahas Richard Holbrooke – individi me më së shumti ndikim në krijimin e politikave amerikane ndaj Ballkanit. Mira Ricardel filloi të punojë për Robert Dole në fund të viteve ’80. Në gusht të vitit 1990 një delegacion i senatorëve amerikanë, të prirë nga Robert Dole, vizitoi Beogradin për të diskutuar mbi të drejtat e njeriut. Pala serbe insistoi që senatorët amerikanë të anulojnë planet e tyre për të vizituar Kosovën, por Dole refuzoi.

Millosheviqi kishte suprimuar autonominë e Kosovës dhe vendosur një regjim ushtarako-policor. Dole dhe gjashtë senatorë të tjerë amerikanë erdhën në Prishtinë dhe kjo vizitë pati ndikim të madh në qëndrimet e tij të ardhshme ndaj zhvillimeve në Ballkan dhe politikës shfarosëse të Serbisë ndaj popujve të tjerë. Para hotelit «Grand» në fund të gushtit 1990 mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës pritën senatorët amerikanë me thirrjet «USA, USA» dhe «Liri, liri». Në «Grand» delegacioni amerikan u takua me prijësit e Alternativës Kosovare, mes tyre me Ibrahim Rugovën, Veton Surroin, Adem Demaçin, Rexhep Qosjen. Protesta e shqiptarëve u shpërnda me dhunë nga policia serbe, pati të plagosur dhe të arrestuar. Në një shkrim të mëvonshëm në «Washington Post» Dole theksoi se këto skena për të ishin të tmerrshme dhe të paharrueshme. «Kur Dole po i vëzhgonte këto taktika të Gestapos (policisë naziste të Hitlerit, v.j.) pranë tij ishte Baratta (Mira Ricardel)», shkruante «Weekly Standard» në dhjetor të vitit 1995. Ishte puna e palodhshme e Mira Ricardel që ndikoi te senatorët dhe politikanët e tjerë amerikanë që të jenë të informuar si duhet mbi agresorët dhe viktimat në Ballkan. Këshillat e saj qenë vendimtare për politikat amerikane ndaj synimeve të Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës për pavarësi nga tutela e Beogradit. DialogPlus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura