Meksi në krah të ortodoksëve: Kisha u përkiste atyre

Aug 27, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Debati i hapur për Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi ka bërë pjesë të diskutimeve, krahas përfaqësuesve të besimeve fetare, edhe arkeologët dhe studiuesit e monumenteve.

meksiIsh-kryeministri Aleksandër Meksi, në pozitat e arkeologut dhe njohësit të mirë të monumenteve të kulturës, sqaron edhe një pjesë të historisë që lidhet me ndërtesën e kishës për të cilën përfaqësuesit e besimit ortodoks kanë ngritur një sërë pretendimesh. Sipas studiuesit dhe arkeologut të njohur, objekti dhe trualli në të cilin ishte ngritur kisha u përket besimtarëve ortodoksë, fakt të cilin ai e cilëson si të pakundërshtueshëm dhe të panegociueshëm me qeverinë.

Meksi thekson se do të ishte në të mirë të ruajtjes së harmonisë fetare në këtë zonë që qeveria të konsultohej përpara se të ndërmerrte aksione konkrete mbi objektin në fjalë.

“Mendoj se kishë katolike quhet ajo që përdoret nga besimtarët katolikë. Territoret e dy kishave edhe kanë ndryshuar në kohë, por sot quhen të atyre që i kanë prej një kohe jo të vogël. Këtë nuk e vendosin qeveritë. Deri kur u prish, kisha ka qenë në përdorim nga besimtarët ortodoksë. Do të ishte mirë që shteti të lidhet me komunitetin që e përdor, strukturat e Kishës dhe besimtarët dhe të mos shkojë tuj përça. Se po filloi ky farë sherri, nuk e mbyllim dot”, shprehet Meksi.

Sa u takon vlerave historike që kishte Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi, Meksi ka sqaruar se ai objekt nuk ka qenë asnjëherë monument kulture, ndërkohë që prishja e saj është bërë në vitin 1972. Në gjykimin e arkeologut, pronësia e këtij trualli i përket Kishës Ortodokse, ndaj edhe ajo mund ta përdorë atë duke pasur parasysh objektet e religjionit.

Ish-kryeministri nuk ka preferuar të bëhet pjesë e debatit politik, lidhur me aksionin e ndërmarrë nga Inspektorati Ndërtimor dje në orët e para të mëngjesit mbi Kishën e Shën Thanasit, ndërkohë që ofron një zgjidhje edhe për varrin e misionarit Nilo Katalano, i cili ndihmoi në përhapjen e gjuhës shqipe.

Në vlerësimin e Meksit, përfaqësuesit e qeverisë dhe personat që do të merren me këtë çështje mund të jepnin një zgjidhje që do të nderonte kujtimin dhe kontributin e rëndësishëm në përhapjen e gjuhës shqipe që ka dhënë Nilo Katalano.

“Le të gërmohet varri si duhet, le ta lënë aty në mënyrë dinjitoze, le ta spostojnë pranë. Duhet dhe një përmendore për kontributin e tij ndaj shqiptarizmës”, thekson Meksi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura