Pse kjo heshtje për “Panama Papers”?!

Apr 30, 2016 | 11:49
SHPËRNDAJE

 

meidaniNGA REXHEP MEIDANI

Ditët e para edhe në Shqipëri u fol për skandalin e Panama Papers, por  më pas gjithçka u la në harresë. Kjo ka ndodhur dhe më parë me akuzat për depozitime parash të pista në Qipro. Ndërkohë, mjaft vende kanë kërkuar informacion më të plotë nga ICIJ, duke qenë të gatshëm të bashkëveprojnë e shkëmbejnë të dhëna në fushën financiare e bankare.

 

A është dhe kjo një histori që zgjat një ditë? Apo mos është e rastit një heshtje e tillë shqiptare dhe pas saj fshihet një “frikë” konkrete?!…

ICIJ DHE PANAMA PAPERS

ICIJ është një Konsorcium Ndërkombëtar Gazetarësh Investigativë me organizatë mëmë – Qendrën për Integritet Publik. Sipas këtij grupimi gazetarësh, funksionon një industri sekrete, që shfrytëzohet nga bankat dhe studiot ligjore për fshehje e manovrime financiare të klientëve të fuqishëm, përfshi politikanë, plutokratë e kriminelë. Pikërisht, file-t e zbuluara, të njohura si Panama Papers, përmbajnë, midis të tjerash, zotërimet offshore të këtyre individëve.

Këto file-e, në total mbi 11.5 miliona dokumente, përmbajnë detaje të një skandali financiar global. Aty, bëhet fjalë për shmangie taksash, fshehje e pastrim parash për 140 persona publikë të sotëm dhe të djeshëm (jo vetëm të politikës, por dhe të sportit, biznesit të artit, etj). Nuk mohohet se mjaft shërbime të industrisë offshore mbeten ende legale dhe respektojnë sistemin fiskal të vendit origjinë, por sipas këtyre dokumenteve, disa banka, firma ligjore e aktorë të tjerë offshore shpesh kryejnë transaksione të dyshimta, nuk i respektojnë rregullat dhe kërkesat ligjore, veçanërisht që klientët e tyre të mos jenë të përfshirë në veprimtari kriminale, në shmangie taksash, në mitmarrje e korrupsion politik.

Konkretisht, bëhet fjalë për regjistrime gati 40- vjeçare të firmës ligjore të Mossack Fonseca, me bazë në Panama dhe me degë Hong Kong, Miami, Zyrih apo 35 qytete të tjera, në botë. Kjo firmë konsiderohet si një nga të fuqishmet në krijimin e strukturave, me anë të të cilave kodohet e fshihet pronësia, zotërime e asete të tyre.

Aty, midis të tjerash, janë përmendur depozitime mbi 2 miliardë dollarë të bashkëpunëtorëve të Presidentit rus, llogari offshore për drejtues të FIFA-s, kompani offshore të kontrolluara nga kryeministra në detyrë, si ai i Islandës apo Pakistanit, ato të Mbretit të Arabisë Saudite etj. Po kështu, siç shkruan “Le Monde” (20.04.16), aty flitet dhe për një pasuri offshore të Autoritetit Palestinez, ku përzihet dhe emri i njërit prej djemve të Presidentit palestinez.

Nuk kanë munguar dhe emra individësh e kompanish në listën e zezë të SHBA-ve, për përfshirje në biznes me lordët e drogës, me organizata terroriste, me vende të tilla si Koreja e Veriut etj. Shtojmë se një pjesë e informacionit përftohet nga “rrjedhjet” prej fileve të ndryshme, regjistrimeve të pronës, dokumenteve financiare, vendimeve gjyqësore, intervistave me ekspertë të pastrimit të parasë, zyrtarëve të zbatimit të ligjit etj.

MOSSACK FONSECA NË VENDIN E PESTË

Sipas regjistrimeve legale, p.sh. në Nevada (SHBA), kjo firmë ligjore kishte krijuar 123 kompani. Prej tyre, një mik i ishpresidentit të Argjentinës arrinte të zhvaste miliona dollarë nga kontratat qeveritare. Para një situate të tillë, u kërkuan të dhëna prej firmës së Mossack Fonseca për kompanitë në Nevada. Firma ligjore nuk e dha këtë informacion, mbështetur te konfidencialiteti në funksionimin e saj. Ajo u përpoq madje ta bllokonte këtë kërkesë për një nga kompanitë e marra në hetim.

Ajo ishte “M.F. Corporate Services (Nevada) Limited”, pjesë e grupit Mossack Fonseca. Një nga drejtuesit e saj nën betim deklaroi se “MF Nevada dhe Mossack Fonseca nuk kanë marrëdhënie shef – vartës, dhe se Mossack Fonseca nuk ka kontroll në çështje të brendshme e operacione ditore të veprimtarisë së MF Nevada”.

Por, regjistrimet e fshehta, të përftuara nga ICIJ, gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe më shumë se 100 partnerë të tjerë të medias ngritën dyshime mbi këtë dëshmi nën betim. Për më tepër, ata konstatuan që Mossack Fonseca u përpoq që të fshinte të gjitha rekordet nga telefonat e kompjuterët, për të mbrojtur klientët e vet nga Drejtësia amerikane. Sidoqoftë, SHBA njoftoi zyrtarisht nisjen e procedimit penal për 200 shtetas amerikanë, emrat e të cilëve figurojnë në dokumentet e Panama Papers.

Ndërkohë, agjencitë e taksave në Spanjë, Kanada, Britani e Madhe, etj., u kanë kërkuar gazetarëve të ICIJ që t’u vënë në dispozicion listën e plotë të individëve dhe kompanive, që vijnë nga vendet e tyre. Veçse, nuk duhet harruar, se firma Mossack Fonseca është vetëm një nga firmat e këtij lloji.

Ndër to në botë, 10 firmat e para, sipas kompanive të regjistruara, janë në: Ishujt e Virxhinës Britanike (113,648 kompani të regjistruara), Panama (48,360), Bahamas (15,915), Seychelles (15,182), Niue (9,611), Samoa (5,307), Anguila Britanike (3,253), Nevada (1,260), Hong Kong (452), Mbretëria e Bashkuar (148).

DISA SHEMBUJ

Për të ilustruar tronditjen e krijuar në botë nga Panama Papers po sjellim këtu shembujt e mëposhtëm:

Dorëheqja e Kryeministrit të Islandës. Pas botimit të dokumenteve, i pari që dha dorëheqjen nën një trysni popullore ishte Kryeministri i Islandës, Gunnlaugsson. Ai zotëronte së bashku me gruan një kompani offshore në ishujt britanikë të Virxhinias.

Kur ky politikan i ri erdhi në pushtet, në vitin 2013, ai premtoi vendosjen e interesit kombëtar mbi interesat e tij financiare. Në fakt, ai me kolapsin e bankave kishte në zotërim miliona dollarë në bonde si gjysmë-pronar i një kompanie offshore të quajtur Wintris Inc. Por, me futjen e tij në Parlament një gjë e tillë dhunonte etikën parlamentare dhe shprehte një konflikt interesi, pavarësisht që ai ia kaloi këtë zotërim gruas së tij, që më 2009. Madje, sipas tij, ajo kishte qenë zotëruesja e vërtetë e aksioneve edhe më parë.

Akuzat ndaj Kryeministrit Cameron. Edhe Kryeministri britanik, David Cameron, u ndodh në një situatë politike tepër të vështirë dhe një acarimi të dukshëm të opinionit pas bërjes publike të detajeve të fondit të investimeve offshore të babait të tij, prej të cilit ai kishte përftuar mjaft asete, që i shiti sapo u bë Kryeministër.

Nën këtë trysni publike, ndryshe nga praktika e deritanishme, ai e bëri plotësisht transparent bilancin e tij financiar për vitet e fundit (sipas këtij bilanci, edhe e ëma i kishte transferuar 200,000 paund në llogarinë e tij, të ndara në dy pagesa, për të shmangur taksën e trashëgimisë).

Pas tij, e bënë publike këtë bilanc kancelari G. Osborne, kryetari i opozitës J. Corbyn dhe kryetari i Bashkisë së Londrës B. Johnson. Po ashtu, në fjalën e tij në Parlament, Cameron premtoi krijimin e një “task-force” lidhur me Panama Papers, si dhe formulimin e rregullave të reja, në shërbim të autoriteteve tatimore për të penalizuar firmat e korporatat, që do të lehtësojnë evazionin fiskal.

Po ashtu, sipas tij, edhe rajone të tilla si Ishujt Virxhinia apo Kejman do të detyrohen që të furnizojnë informacion mbi zotëruesit e kompanive off-shore për autoritetet tatimore dhe ato të zbatimit të ligjit (por jo patjetër për publikun!).

Rusia. Sipas Panama Papers, mbi 2 miliardë dollarë janë shpërndarë nëpër banka dhe kompani hije nga bashkëpunëtorë të Putinit. Por, ama, në file-et e Mossack Fonseca nuk ekziston emri i Presidentit rus, edhe pse është vështirë që ai të mos jetë në dijeni të këtyre veprimeve të miqve të tij.

Vetë Banka Rossiya është identifikuar si instrumentale në ndërtimin e një rrjeti të fshehtë kompanish offshore, duke realizuar transaksione bankare në Rusi, Qipro dhe Zvicër.

Kina. Nuk është sot sekret që fëmijë apo nipër e mbesa të heronjve të Revolucionit Kinez kanë arritur suksese në botën e biznesit. Sot, ekonomia e Kinës është bërë ekonomia e dytë në botë, duke mundësuar kështu krijimin e disa qindra miliarderëve kinezë.

Në fakt, kjo lidhej dhe me një politikë konkrete për ruajtjen e pushtetit! Por, problemi qëndron tek ata individë që nëpërmjet lidhjeve politike janë përfshirë në rrjetet offshore për të fshehur zotërimet e tyre. Aq më tepër që disa prej tyre i mësuan “sekretet” e botës offshore në moshë fare të re!

Pavarësisht se autoritetet kineze i hodhën poshtë akuzat e “Panama Papers”, në këto dokumente flitej për të afërm të disa drejtuesve më të lartë të Partisë Komuniste (p.sh., lidhje familjare të Xi Jinping, një nip nga gruaja e Mao Zedong, vajza e Li Peng dhe i shoqi i saj, mbesa e Jia Qinglin, dhëndri i Zhang Gaoli, nusja e Liu Yunshan, vëllai i Zeng Qinghong, djali i Hu Yaobang, etj.) me kompani, prona, zotërime apo tituj offshore.

Madje, kompanitë offshore të lidhura me Kinën dhe Hong Kong-un llogariten afro 29% të kompanive aktive të Mossack Fonseca në të gjithë botën.

Rasti i Pakistanit. Kryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif, pas akuzave në Panama Papers, po përballet me thirrje për dorëheqje në sajë të parave të depozituara prej familjes së tij në kompani offshore. Madje, pas shtrimit të tij në një spital në Londër, “zhurma” në Pakistan ishte se ai, ndryshe nga ç’thuhej zyrtarisht, mund të kthehej në Pakistan vetëm pas zbehjes së këtij inati popullor ndaj tij. Në fakt, sipas file-ve, vajza dhe dy djemtë e tij kishin kompani offshore, me anë të të cilave ata kishin përftuar prona mjaft të shtrenjta në Londër.

Kjo është arsyeja që kundërshtarët politikë kanë kërkuar dorëheqjen e tij dhe krijimin e një komisioni investigimi për këto afera offshore.

Dorëheqja e ministrit në Spanjë. Margarita Garcia-Valdecasas Salgada, që drejton zyrën e investigimit të abuzimeve në agjencinë e taksave në Spanjë, iu drejtua direkt ICIJ duke kërkuar: “shkëmbimin e informacionit për individë spanjollë dhe entitete që do të na ndihmonin për luftuar evazionin tatimor dhe abuzimet me taksat në Spanjë”.

I pari që dha dorëheqjen, prej informacioneve të ICIJ, ishte ministri spanjoll i Industrisë, José Manuel Soria, për zotërimet e tij offshore. Në fakt, ai, fillimisht, në gazetën online “El Confidencial” dhe në televizionin “La Sexta”, mohoi çdo lidhje me kompaninë e vendosur në Panama apo me ndonjë parajsë tjetër taksash. Por, shumë shpejt, media spanjolle zbuloi një mori gënjeshtrash mbi përfshirjen e tij në kompani offshore, që kulmoi me gazetën “El Mundo”.

Aty, u provua se ministri kishte qenë drejtor i një kompanie me qendër në Xhersi, që nga viti 2002, kur ai ishte i përfshirë në politikë. Duke dhënë dorëheqjen, ai theksoi se po tërhiqej nga posti për shkak të një “serie gabimesh” të ditëve të fundit në shpjegimin e aktiviteteve të biznesit të tij, gjë që i bëri një dëm të madh edhe vetë qeverisë spanjolle.

Protestat në Maltë. Sipas Panama Papers, ministri i Shëndetësisë dhe Energjisë i Maltës, Konrad Mizzi, zotëron një kompani në Panama dhe një trust në Zelandën e Re. Përballë këtij “dekonspirimi”, ai u kërkoi autoriteteve tatimore të kryenin një auditim të financave të tij dhe se me mbarimin e tij ai do ta mbyllte kompaninë. Nën të njëjtat akuza u ndodh edhe shefi i kabinetit i Kryeministrit, Keith Schembri. Këto fakte, tashmë të ekspozuara, e kanë rritur presionin e opozitës mbi Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, për të dhënë dorëheqjen.

Rasti i Shqipërisë. Midis emrave e vendeve të përfshirë në Panama Papers janë dhe disa individë e kompani nga Shqipëria. Sipas të dhënave të deritanishme, të publikuara nga ICIJ, janë 2 kompani, 3 individë përfitues e 22 aksionerë shqiptarë të gjetur në dokumentet e firmës. Njëri prej tyre është shtetasi Ismail Mulleti.

Ai është bashkëthemeluesi i kompanisë “GFI Technologies”, të regjistruar në vitin 2013 në ishullin Anguila, për të investuar më tej në kompani shqiptare të teknologjisë së lartë. Sipas të njëjtave burime dhe gazetës izraelite “Haaretz”, Ismail Mulleti, avokati Asaaf Halkin dhe firma kanadeze “Global Fluid International” janë pronarët e kompanisë “GFI Technologies”.

Madje, sipas të dhënave të qendrës kombëtare të regjistrimit “Global Fluid International”, është një nga ortakët e kompanisë “GFI Albania”. Kjo e fundit është shoqëria e kontraktuar, në shkurt të 2013- s, për markimin dhe monitorimin e karburanteve në Shqipëri. Ende nuk janë ekspozuar të dhëna të tjera rreth kompanive e 22 aksionerëve shqiptarë dhe përfshirjes së tyre në këto lloj skemash financiare.

Ndërkohë, pritet që të zbulohen dokumente, që do të nxjerrin në pah pastrimin e parave të disa udhëheqësve e zyrtarëve të korruptuar në rajonin e Ballkanit. Sidoqoftë, shpërthimi i skandalit Panama Papers ka vënë në lëvizje dhe disa institucione shqiptare. Kështu, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka nisur hetimet dhe po shkëmben informacion me organet e zbatimit të ligjit dhe institucione homologe ndërkombëtare.

BURIME TË TJERA TË VEPRIMTARIVE OFFSHORE

Artet. Panama Papers ka hedhur një shikim tronditës në lidhjen midis tregtisë ndërkombëtare të veprave të artit dhe zotërimeve apo “sekreteve” offshore. Miliarderë e tregtarë veprash arti kanë shfrytëzojë kompani offshore për të fshehur vepra të çmuara arti të plaçkitura nga nazistët.

Sportet. Edhe mjaft dorëheqje në FIFA në nivelin e lartë të saj lidhen me shmangie tatimore. Po ashtu, nën investigimin e ICIJ, Juan Pedro Damiani, një anëtar i Panelit të Etikës, dha dorëheqjen, në sajë të lidhjeve të tij të biznesit me 3 persona të akuzuar në SHBA për mitmarrje e korrupsion.

(Firma e tij ligjore ka punuar për kompani offshore të lidhura me Eugenio Figueredo, një ish-zëvendëspresident i FIFA-s, i akuzuar nga autoritetet amerikane për abuzime e pastrim parash; apo biznesmenët Hugo e Mariano Jinkis, të akuzuar po për mitmarrje për të drejtat e transmetimit të veprimtarive të FIFA-s në Amerikën Latine.

Ndërsa, Presidenti aktual Gianni Infantino ka firmosur një marrëveshje transmetimi me Jinkis, kur ishte drejtor legal në strukturën europiane. Ndërkohë, prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës ka konfirmuar kontrollin e zyrave të UEFA, për “sigurimin e provave” në investigimin e tij, apo nisur nga raportimet e Panama Papers mbi lidhjen e kësaj strukture europiane me një biznesmen të akuzuar në SHBA…

Shërbimet sekrete. Edhe emra shefash kryesorë të shërbimeve sekrete apo agjentësh të rëndësishëm të tyre ndeshen midis atyre që shfrytëzojnë kompanitë offshore. Disa nga këto kompani offshore janë: Octopussy, Goldfinger, SkyFall, GoldenEye, Moonraker etj.

REAGIMI I BANKAVE DHE I ORGANEVE TATIMORE

Bankat. Mbi një duzinë bankash, përfshi: Deutsche Bank AG, Credit Suisse Group AG, Commerzbank AG, ABN Amro Group NV, etj., janë nën një kontroll rregullator bankar për ndërveprimin e tyre me Î firmën ligjore Mossack Fonseca. Urdhri u lëshua nga Departamenti i Nju Jorkut i Shërbimeve Financiare.

Atyre iu kërkua një përgjigje brenda 10 ditëve, përfshi komunikime të ndryshme, telefonime, regjistrime transaksionesh etj., midis degëve të tyre të Nju Jorkut dhe agjentëve të Mossack Fonseca; por dhe të dhëna konkrete mbi personelin e tyre në kompani offshore, për zotërime të tyre në kompani anonime etj. Po analizohet, kështu, shkelja e rregullave nga firma ligjore, ndërkohë që vetë bankat nuk akuzohen për ndonjë veprim të gabuar.

Nga ana tjetër, në kongres u propozua një ligj për transparencën dhe zbatimin e ligjit, sipas të cilit zotëruesit apo pronarët e vërtetë të kompanive në vendet e përfshirjes së tyre duhet t’u përgjigjen nga ana tatimore kërkesave të shtetit përkatës.

Taksat. Si përgjigje ndaj investigimeve në Panama Papers, pesë vende europiane: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja ranë dakord të shkëmbejnë të dhëna mbi taksat dhe zbatimin e ligjit. Por, që kjo të funksionojë duhet të përfshihet dhe SHBA apo disa vende të tjera. Edhe Panamaja, nën këtë skandal, premton se do të adoptojë standarde ndërkombëtare në taksim, sipas sekretarit të Përgjithshëm të OECD, José Ángel Gurría.

Po ashtu, zyrtarët e taksave të 28 vendeve janë takuar në Paris për të zhvilluar strategjinë e një veprimi të përbashkët, pas daljes së skandaleve të Panama Papers. Midis tyre përfshihen dhe propozimet për një investigim tatimor global dhe përpunimin e një sistemi rregullator ndërkombëtar, që të shmangë shformimet në veprimtari të tilla, ose kontrollin ligjor të tyre…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura