“Mehmeti më thirri jo për tanket e Saukut, por për nusen e djalit që…”/ Plenum i V-të, tetor ’82, kur “kryqëzohej” ministri Hazbiu!

Jan 11, 2022 | 20:33
SHPËRNDAJE

hoxhaDashnor Kaloçi

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. 

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poliagjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR                                                                      Tepër sekret

                                                   -Sektori i Përgjithshëm-

 PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

SHOKU ENVER HOXHA: Me të tërë ke kundërshtime.

KADRI HAZBIU: Mirë, koha le ta tregojë, juve thoni si të doni.

(Shokët shprehin pakënaqësi dhe zemërim).

SHOKU NEDIN HOXHA: Desha të thosha dhe unë një fjalë.

SHOKU ENVER HOXHA: Thuaj, dy fjalë.

SHOKU NEDIN HOXHA: Lidhur me këtë që tha shoqja Naunka: Në mbledhjen e qeverisë, si gjithë populli, mbasi morëm vesh veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadriu ka thënë fjalën e tij me besim absolut për Partinë dhe natyrisht bëhej mbledhja e parë e qeverisë dhe neve do të thoshim fjalën tone, se kemi për të thënë dhe duhet akoma të thellohemi, të gjejmë tamam atë që kërkon Partia. U ngrita dhe unë të flisja.

Sa fillova unë të flas për Mehmet Shehun, ashtu si e gjykoja po me një qëllim që të thosha mendimin tim, Kadriu më ndërhyri: “ti, tha, kalo më poshtë, na fol për planin, se atje e ke të keqen”. Do flas edhe për planin, – i thashë, po unë jam anëtar i qeverisë, është hera e parë që mblidhet qeveria pas dënimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut dhe si komunist e kuadër, kam të drejtë të them mendimin tim.

Me kaq nuk mbaroi, po më tha: “ti gjithnjë e nxjerr gjuhën para dhëmbëve”. Natyrisht nja dy shokë ndërhynë aty dhe bënë atë që u takon të gjithëve. Domethënë këto që thonë shokët kështu janë.

KADRI HAZBIU: Po, ato janë të shkruara, shoku Nedin, në mbledhjen e qeverisë.

SHOKU NEDIN HOXHA: Janë të shkruara.

SHOKU ENVER HOXHA: Janë të shkruara ato.

KADRI HAZBIU: Po të jetë kështu, mirë.

SHOQJA NAUNKA BOZO: Unë mendoj se duhet të shohim propozimin që bëri shoku Enver.

SHOKU VELI LLAKAJ: Shoku Enver, ka mundësi?

SHOKU ENVER HOXHA: Urdhëro, fol!

VELI LLAKAJ: Ka pasur një radio-rrjet për garnizonin e Tiranës, ku ka qenë edhe ministri i Punëve të Brendshme, edhe kryeministri. Di gjë Kadriu Hazbiu për këtë punë si është organizuar, si është vënë dhe pse?

E dyta, të më falni shumë, se më duket se si ju kuptova unë, Mehmet Shehu, dy-tri ditë përpara se të vriste veten, më ka thirrur mua dhe Nazar Berberin në shtëpi për të na dhënë urdhër që “brigada e tankeve të mos lëvizë pa urdhrin tim”.

SHOKU ENVER HOXHA: Po.

VELI LLAKAJ: Të thotë Kadri Hazbiu ç’di për këtë punë, si i kanë thënë, si ia kanë sjellur pas një ose dy ditësh, si i kam thënë unë dhe këtë çështje ta sqarojë dhe shoku Nazar Berberi, t’i sqarojmë këto gjëra.

SHOKU ENVER HOXHA: T’i sqarojmë.

VELI LLAKAJ: Dhe e treta, unë kam bërë një fejesë të vajzës sime me djalin e Arif Haskos. Për këtë para një vit e gjysëm ose dy vjetësh kam pyetur shumë shokë dhe shokë të Partisë që e njihnin siç e njihja dhe unë, midis të tjerëve kam pyetur dhe Kadri Hazbiun si ministër i Punëve të Brendshme dhe mund të dinte ndonjë gjë për të, pavarësisht se unë dija aq sa mund të dija.

Kadri Hazbiu më ka rekomanduar që ta bëj këtë fejesë. Pse më ka rekomanduar, kur ky e paska ditur që Arif Haskoja paska qenë spiun? Donte të më lidhte në miqësi mua me Arif Haskon që ishte spiun dhe të më komprometonte në këtë rast, siç bëri Mehmet Shehu me Turdiun?

SHOKU ENVER HOXHAQartë, shpjegoi. Pyetjet janë të qarta.

KADRI HAZBIU: Për radio-rrjetin, shoku Enver, unë nuk e di, po këtë Ministria e Mbrojtjes Popullore na e ka dërguar dhe shoku Veli e di mirë si rregull, me të gjitha repartet e garnizonit të Tiranës. Edhe kur kam qenë ministër i Punëve të Brendshme dhe tani që kam qenë ministër i Mbrojtjes Popullore, kjo radio ka qenë me gjithë kode, me njërën e tjetrën e përgatitur nga shtatmadhoria, e rakorduar me të gjitha repartet e ka kaluar nga drejtoria e ndërlidhjes. Ky është fakt. Të shikohet.

Për brigadën e tankeve nuk më keni thënë as ti, as Nazari, që Mehmet Shehu ka dhënë urdhër të mos lëvizte pa urdhrin e tij. Ky është fakt i pakundërshtueshëm.

VELI LLAKAJ: Jo, jo, çfarë të kam thënë dy-tri ditë përpara se të bëhej mbledhja e Byrosë Politike.

KADRI HAZBIU: Asnjë gjë, hiçgjë nuk më ke thënë. Unë këtë e kam marrë vesh atëherë kur është marrë vesh, kur më është thënë nga shokët.

VELI LLAKAJ: Jo, unë të kam thënë, në qoftë se do t’i pranojmë gjërat hapur, çiltër.

KADRI HAZBIU: T’i pranojmë gjërat hapur, shoku Veli, ashtu.

VELI LLAKAJ: Unë të kam thënë dhe ka dokumente në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, tek operativi, që Mehmet Shehu, tri ditë përpara se të vetëvritej ka kërkuar me urgjencë Nazar Berberin, i cili ka qenë në Gjadër. E dini shumë mirë këtë fakt.

KADRI HAZBIU: Unë e di këtë?

VELI LLAKAJ: Po, po, kam ardhur unë dhe të kam thënë: shoku Kadri, “shoku ministër, Mehmet Shehu ka kërkuar me urgjencë Nazar Berberin kështu, e kështu e kështu”.

KADRI HAZBIU: A, po, e ka kërkuar.

VELI LLAKAJ: Ti më ke thënë që “këtë punë e di unë, pse e ka thirrur në shtëpi. Ka vajtur, ka sinjalizuar për nusen e tij dhe për këtë ka dijeni dhe shoku Ramiz, prandaj mos u shqetëso”. Unë te Mehmet Shehu nuk kam vajtur.

KADRI HAZBIU: Ore, të mos i ngatërrojmë gjërat.

VELI LLAKAJ: Një minutë, një minutë.

KADRI HAZBIU: Po të mos i ngatërrojmë gjërat tani, të lutem shumë (flet shumë i nervozuar). The për çështjen e tankeve.

VELI LLAKAJ: Epo ja, kjo lidhet.

KADRI HAZBIU: Jo, jo, nuk lidhet, nuk lidhet. Ajo është çështje tjetër, e kupton? Dhëndri im kishte bërë një njoftim në Komitetin Qendror të Partisë, ku shkruante se kishte parë nusen e djalit të Mehmet Shehut që ish takuar me një francez dhe kur e kishte parë, kishte qenë bashkë me Nazar Berberin duke pirë kafe. Këtë kam ditur unë. Dhe Nazari më ka thënë që më thirri Mehmet Shehu për këtë çështje. Unë këtë ta kam thënë. Po nuk është punë tankesh këtu.

VELI LLAKAJ: Ashtu është.

KADRI HAZBIU: Ë?

VELI LLAKAJ: Ashtu është.

KADRI HAZBIUAshtu është? Atëherë është tjetër problem ai.

VELI LLAKAJ: Po unë kam pyetur Nazarin.

KADRI HAZBIU: A, nuk e di unë.

VELI LLAKAJ: Unë kam pyetur Nazarin pse e kish thirrur Mehmet Shehu, ja ai është këtu dhe le të thotë.

KADRI HAZBIU: Një minutë, një minutë.

VELI LLAKAJ: Më ka thënë se e kishte thirrur për një tabelë, ja ku është Nazar Berberi dhe le të thotë.

KADRI HAZBIU: Ajo është tjetër punë.

VELI LLAKAJ: Mua Mehmet Shehu as më ka thirrur, as më ka thënë gjë.

KADRI HAZBIUKëtë s’e di unë.

VELI LLAKAJ: Të verifikohet në qoftë se Mehmet Shehu më ka thirrur dhe më ka dhënë porosi mua që të mos lëvizin tanket.

KADRI HAZBIU: Mirë, është tjetër punë ajo. Bashkë kemi biseduar për këtë çështje dhe unë e kam ditur që Nazari është thirrur për këtë problem. Edhe Nazari më ka thënë se e kish thirrur Mehmet Shehu për këtë çështje. Unë kaq di dhe këtë domosdo e di dhe shoku Ramiz.

Tani t’i përgjigjem edhe një pyetjeje tjetër për çështjen e Arif Haskos.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, dale.

SHOKU RAMIZ ALIAJa ta sqarojë Nazari atë çështje.

NAZAR BERBERI: Kam qenë duke pirë kafe në hotel “Tirana” bashkë me dhëndrin e Kadri Hazbiut. Atje kam qenë bashkë me gruan dhe pasi kam pirë kafen, jam kthyer në shtëpi. Në të nesërmen më ka thirrur Mehmet Shehu dhe më ka pyetur: ke qenë në hotel “Tirana”? Kam qenë, – i thashë.

KADRI HAZBIU: Ti më ke thënë që më ka pyetur në telefon?

NAZAR BERBERI: Po.

KADRI HAZBIU: Kurse Veliu thotë që të ka thirrur në shtëpi.

SHOKU ENVER HOXHA: E di vetë ky, mos e ndiko ti (i thotë Kadri Hazbiut).

VELI LLAKAJ: E ka thirrur në shtëpi.

NAZAR BERBERI: Më ka pyetur në telefon dhe pastaj më ka thirrur dhe në shtëpi. I kam thënë unë Veliut.

VELI LLAKAJ: Po, më ke thënë.

NAZAR BERBERI: Mehmet Shehu më pyeti nëse kisha qenë në hotel “Tirana”, dhe nëse kisha parë nusen e djalit të tij që ishte takuar me ca francezë. I thashë që nuk e njoh nusen dhe nuk kam parë gjë, po shoku që ishte me mua është i sinqertë dhe po e ka parë ai ashtu është, – i thashë, ai nuk di të gënjejë, prandaj ajo do të jetë takuar me ta, se në kohën që kam pirë kafen kam qenë me shpinë nga dera. Ai që ka treguar për këtë nuk gënjen prandaj do të jetë e vërtetë. Për problemin e tankeve dhe gjëra të tjera nuk kemi biseduar dhe as më ka thënë gjë për tanket.

VELI LLAKAJPo mirë, shoku Nazar, ju Kadriut i keni thënë që të kish thirrur për të të pyetur nëse e kishe parë ti nusen e djalit të tij që ish takuar me francezë kurse mua më the që i shpura tabelën e skalionit të municioneve dhe unë të thashë që pse e shpure këtë tabelë sepse kjo është tepër sekret.

NAZAR BERBERI: Jo, jo.

VELI LLAKAJ: Nuk i shpura tabelën, – më the, po ia thashë me gojë se e dija përmendësh (të gjithë shokët thonë: po njësoj është).

SHOKU ENVER HOXHA: Hë, përgjigju Veliut për këtë gjë, se këtu është çështja.

NAZAR BERBERI: Për tabelën nuk kemi biseduar, shoku Enver, dhe asnjë fjalë tjetër nuk kemi shkëmbyer veç problemit që thashë. “E ke parë, – më tha. As e njoh fare, – i thashë, po ashtu do të jetë, sepse personi që e ka parë është i sinqertë dhe nuk të gënjen”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po nga e nxori Veliu atë çështjen e tabelës.

NAZAR BERBERI: Nuk kemi biseduar gjë për tabelë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, ja Veliu këtu është.

SHOKU HEKURAN ISAI: Atëherë gënjen Veliu?

VELI LLAKAJ: E kemi biseduar, shoku Ramiz, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm me ish-drejtorin operativ dhe me ish-zëvendësministrin Maliq Sadushin, se me të vërtetë, ju them me sinqeritet, unë mbaj përgjegjësi shumë të rëndë përpara Partisë për këtë problem që nuk e informova, po u mjaftova vetëm me atë që informova ministrin e Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiun. Se u shqetësova. Unë, para Kongresit të 8-të të Partisë dija aq sa dija për Mehmet Shehun, jo sa dinte Kadriu për autokritikën dhe për fejesën. Unë u shqetësova pse kërkoi me aq urgjencë me domosdo të vinte Nazari nga Gjadri?! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura