“Mehmet, te Shkolla e Partisë, ti ke dashur që t’u thuash studentëve se…”/ Zbardhet dokumenti me akuzat e Enver Hoxhës: Të mbash leksion pa lejen time është e dënueshme

Apr 15, 2022 | 7:21
SHPËRNDAJE

mehmet shehu enver hoxhaDashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982.

Dokumenti përmban me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë:

“Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

    KOMITETI  QENDROR                                                          Sekret               

   -Sektori i Përgjithshëm-

                                                        PROCES – VERBAL

                I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE

                                                    17 E 18 DHJETOR 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.

SHOKU MEHMET SHEHU: Atë e ka bërë Ministria e Mbrojtjes.

SHOKU ENVER HOXHA: E ka bërë Ministria e Mbrojtjes. Po ti se e ke lejuar?

SHOKU MEHMET SHEHU: Jam nisur nga ajo që nuk përbën çështje të sekretit shtetëror.

SHOKU ENVER HOXHA: Si është e mundur të ndodhë kjo me ty? Ne e ruajmë sekretin edhe për një qarkore të thjeshtë, që bëjmë për disiplinën në Ushtri, e quajmë këtë sekret dhe çdo gjë në Ushtri është sekret.

SHOKU KADRI HAZBIU: Përse nuk e ke vënë në dijeni, t’ia thoshe shokut Enver, se ti do të trajtoje këtë çështje?

SHOKU ENVER HOXHA: Dëgjo, shoku Mehmet, duhet folur më hapët këtu, në Byronë Politike. Ky është një gabim i madh. Të vesh të mbash një leksion në Shkollën e Partisë pa lejen time, mbi Artin Ushtarak Popullor, që është sekret, është e dënueshme, të shtypet dhe të përhapet ky leksion mbi Artin Ushtarak Popullor dhe ta marrë atë haptazi edhe agjentura, që vetë e blen në pazar, ky është një tjetër gabim…!

SHOKU MEHMET SHEHU: Në pazar nuk shitet kjo broshurë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti të gjitha këto i di shumë mirë. Unë të jem si ty, do të thosha kështu: Kam dashur t’u them studentëve të Shkollës së Partisë, e gjithë të tjerëve, që ky Art Ushtarak Popullor, që ka nënshkruar Enver Hoxha, nuk është i tij po është imi. Kjo të ka shtyrë ty, tjetër gjë se nuk e thua. Unë eksplodoj përpara Byrosë Politike, çdo qëllim armiqësor nga ana jote, mendoj se nuk ka këtu punë armiqësore nga ty, por në këto kushte, ke dashur ta bësh një akt të tillë. Vetëm kjo e shpjegon këtë, domethënë: t’ju them unë atyre që do të më dëgjojnë, që autor i Artit Ushtarak Popullor jam unë, pavarësisht se atë e ka firmuar Enver Hoxha, si Komandant i Përgjithshëm.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk e kam afirmuar asnjëherë, që jam unë ai që e kam bërë këtë Art.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, po ta them unë. Atë e kam thënë unë që ti ke bërë punën kryesore, dhe ke bërë një punë të mirë, po ti doje ta bëje publikisht atë?

SHOKU MEHMET SHEHU: Ministria e Mbrojtjes, e botoi këtë material për përdorim të brendshëm.

SHOKU PALI MISKA: Kjo broshurë sipër ka emrin tënd: ‘Mehmet Shehu’.

SHOKU ENVER HOXHA: Ç’përdorim i brendshëm, shoku Mehmet?! Ti e di mirë që Arti Ushtarak Popullor, nuk është si Ditarët e mia, që i kam botuar për përdorim të brendshëm. Ai është një dokument sekret ushtarak, se me të, ne do të vemi në luftë. Ky Art, përmban taktikën dhe strategjinë tonë, është një nga armët tona, me të cilën ne do të kundërshtojmë armikun, kurse ti ia jep atë armikut. Përse? Për një egoizëm personal, pse, siç thashë, unë eksplodoj tjetër synim, punën armiqësore. Ti duhet ta kuptosh që ky është një gabim i rëndë.

SHOKU FOTO ÇAMI: Ky është qëllimi yt, shoku Mehmet, prandaj duhet thelluar shumë, se pikërisht këtu, më duket, është burimi i shumë të këqijave.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe si ngjet që ky leksion, bëhet në Shkollën e Partisë, duke biseduar më parë me Fiqretin pësh-pësh dhe nuk të shkon mendja një herë që ky është një dokument sekret, prandaj të vete të pyes më parë shokun Enver, Komandantin tonë të Përgjithshëm të Ushtrisë, për këtë? Shiko se ku të çojnë familjaritet dhe pikëpamjet jo të shëndosha! Egoja e bën këtë gjë.

SHOKU PALI MISKA: Kam qenë një herë i deleguar në Komitetin e Korpusit në Burrel. Atje dëgjova një referat ku, pa ekzagjerim, dhjetë herë thuhej: shoku Mehmet ka thënë kështu, shoku Mehmet ka thënë ashtu.

SHOKU ENVER HOXHA: Përse, për çështjet ushtarake?

SHOKU PALI MISKA: Po për çështjen ushtarake. U them atyre shokëve atje, jo hapur, të kuptohemi, me ca kujdes: More, po vini këtu ç’ka thënë edhe shoku Enver!

Një herë tjetër në Qytetin ‘Stalin’, shoku Enver, në një Shkollë të Lirë Ushtarake, pashë edhe atje citate të Mehmet Shehut. More, u thashë atyre, përsëri me kujdes njëçikë kështu…! Të bien në sy, shoku Enver, pikëpamje dualiste në këtë çështje. Dhe nga kjo pikëpamje…!

SHOKU ENVER HOXHA: Këto tani po i dëgjoj.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk e kam parë këtë, nuk kam parë citate nga të miat atje.

SHOKU PALI MISKA: Jo juve duhet t’i keni parë, shoku Mehmet, se keni ndenjur 4-5 vjet në Ushtri. Si i lejon ti të venë citate nga të tuat? Përse nuk ka citate edhe nga të shokut Hysni atje, ose nga të shokut Ramiz?

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo nuk ka citate atje!

SHOKU PALI MISKA: Jo citate ka atje, po kemi edhe citate të shokut Enver. Pra këtu ka shenja të dualitetit.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk i kam parë këto që thoni ju.

SHOKU PALI MISKA: S’është e mundur që të mos të kenë rënë në sy ty, se ke qenë ministër kaq kohë.

SHOKU MEHMET SHEHU: U kanë dërguar poshtë reparteve nga diskutimet e mia.

SHOKU KADRI HAZBIU: Dëgjo, shoku Mehmet, të flasim ashtu siç është. Juve ju vjen mirë të shikoni nga citatet tuaja, ju vjen  mirë që të dëgjoni të thuhet se: shoku Mehmet tha këtë, e bëri këtë, prandaj mendoj se duhet reflektuar në këtë çështje, se ka disa fakte, që në këtë veprim flasin për defekte serioze në karakterin tuaj.

Marrim një shembull… më falni shoku Enver, më fal shoku Foto, se nuk do të flas gjatë. Shoku Enver më thirri mua, pastaj ia ka thënë edhe vetë shokut Mehmet, të shikonin edhe anët negative të sistemit të fortifikimit, si në pikëpamje psikologjike, ashtu edhe në pikëpamje të ndërtimit të Artit të Luftimit etj. Sa munda të mësoja unë nga shoku Enver, menjëherë vajta e i mblodha shokët në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u thashë ç’do të bëjmë.

Filluam atje nga puna. Aq sa mundën shokët, e zbërthyen porosinë. Pas një kohe edhe shoku Mehmet, e zbërtheu këtë orientim. Por është mungesë modestie dhe duhet medoemos, të thoshte përpara kuadrove se kjo punë, po bëhej sipas porosive të shokut Enver. Pse nuk e thatë ju këtë, shoku Mehmet? Në repartin e konferencës së Partisë u tha: Sipas zbërthimit të shokut Mehmet Shehu. Unë jam detyruar ta korrigjoja këtë, duke u thënë shokëve për saktësi, për ekzaktësi, se nuk janë mendimet e shokut Mehmet Shehu këto që thuhen këtu, por të shokut Enver.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë s’e kam thënë këtë. Kur ka ardhur në mbledhjen tuaj për këtë çështje, kam thënë sipas porosive të shokut Enver.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po të ishte shkruar ashtu, nuk shkruhej kështu. Veç kësaj citatet… një minut shoku Pali, çështja duhet parë kështu, të pëlqen apo s’të pëlqen, të të bëjnë iso? Po këto janë fakte. Unë ju kam folur juve për citate në Spitalin Ushtarak, që kur ju keni qenë ministër. Edhe sot atje janë ato.

Unë kam thënë se e kam të vështirë t’i heq, po është e mira ju, shoku Mehmet, të urdhëroni vetë t’i heqin. Jemi komunistë këtu dhe unë nuk dua të shfajësoj veten, po ama jua kam thënë këtë dhe e kam ndërgjegjen të pastër. Edhe tani citatet tuaja për higjienën, shëndetësinë, njërën e tjetrën, ku ta di unë se çfarë janë atje. Partia, sigurisht do të marrë masa për t’i vënë në vend këto gjëra, po pse nuk i vini ju?

SHOKU ENVER HOXHA: Kur të thashë unë, shoku Mehmet, që të rishikoje analizën e atij gabimit të madh të Grupimit të Tiranës, që nuk e kishe parë mirë, prandaj dhe ta ktheva, të bëra të qartë, se këto rezultate e konkluzione që kishe nxjerrë, ishin të gabuara. Atje të thashë, se u bë “la deronte” dhe këtë ‘derutë’ të Brigadës së Parë, e kishe theksuar, thashë se ti vajte atje, e përveç të tjerave, u the: “më turpëruat mua”, pse isha komandant i Brigadës së Parë, ke theksuar gjithashtu që në Spanjë, nuk mund të ngjiste një gjë e tillë etj. Me këtë dua të them, që Brigada e Parë, nuk është Brigade jote, po Brigade e Partisë dhe lufta e Spanjës, nuk karakterizohet me cilësitë luftarake të Brigadave tona.

SHOKU MEHMET SHEHU: Sigurisht që ajo është Brigade e Partisë dhe Luftën e Spanjës, as që e kam përmendur fare.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, mirë, po mua kështu më kanë thënë, por Brigadat tona, nuk mund të karakterizohen me ato të Spanjës, tonat qëndrojnë më lart, e janë më të disiplinuara nga Brigadat e Spanjës.

SHOKU KADRI HAZBIU: Me sa më kujtohet mua, shoku Enver, ju e keni kritikuar shokun Mehmet, duke i vënë në dukje, që ka pasë bërë gabim që ka folur si ish-komandant i Brigadës së Parë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Ajo është e drejtë, unë kam folur si komandant i Brigadës së parë, por për Spanjën jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Kam thënë, si nuk i kam thënë. Ti ua ke thënë atyre.

SHOKU FOTO ÇAMI: Kur është fjala për aksionin e Brigadës së Parë, për çarjen e rrethimit, është bërë si asnjëherë diferencimi, që ajo nuk krahasohet me asnjë tjetër, por…!

SHOKU ENVER HOXHA: Ajo e mbulon të tërë luftën…!

SHOKU FOTO ÇAMI: Nuk flitet fare nga shoku Mehmet, për luftën e Shtabit të Përgjithshëm, që doli vetë nga rrethimi.

SHOKU KADRI HAZBIU: Pse nuk e korrigjuat ju vetë, shoku Mehmet, tërë këtë trajtim të Brigadës së Parë, por na keni vënë edhe ne në pozita të vështira?! Unë e kam thirrur Ndreçi Plasarin dhe i kam vënë në dukje, që nuk e ka drejtë. Pse nuk e keni bërë juve vetë këtë? Pse nuk e korrigjoni trajtimin historik që i keni bërë çlirimit të Tiranës? Shikoni nga ky kënd.

Pse po jua bëjmë ne këto pyetje? Se duam t’ju ndihmojmë. Këtu nuk duhen bërë interpretime, më the kështu, e të thashë ashtu, po të shikohet në themel problemi. “Unë”, tek ju e kërkoj këtë gjë, ky “Unë”, e kultivon këtë prirje që duket tek ju. Këtu duhet parë çështja.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe ju ja bëni hyzmetin kësaj, shoku Mehmet. Këto ditë, duke lexuar raportet e Kongresit, më bëri shumë përshtypje, se në çështjen e intensifikimit të Bujqësisë, shoku Enver, më fal shoku Foto, se të lamë në mes, është bërë një shtesë. Këtu, në Byronë Politike, dhe pikërisht në sallën lart, në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror, vendosëm që intensifikimi i bujqësisë, të përfshijë zonën fshatare të gjashtë rretheve: Vlorës, Lushnjes, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit.

Ndërsa në raportin që është mbajtur në Kongres nga shoku Mehmet, për çështjen e intesifikimit, flitet ashtu siç e tha shoku Enver, por në intesifikim, futet edhe zona e Korçës. Kush e vendosi këtë, shoku Mehmet? Unë menjëherë morra Haxhi Kroin dhe i kërkova raportin e shokut Mehmet, që shqyrtoi Byroja Politike, i cili u nxorë nga arkivi dhe pashë se aty, nuk figuronte kjo! Kërkova gjithashtu raportin që pa Komiteti Qendror, po edhe aty, nuk figuron kjo!

Me ç’të drejtë ju, pa vendim të Byrosë Politike, pa vendim të Komitetit Qendror të Partisë, normë partie kjo elementare, i tha Kongresit se në intesifikim, futej edhe zona e Korçës?! Edhe mënyra se si e keni thënë në raport këtë gjë, nuk është e drejtë. E kam këtu fjalën, më fali shoku Enver, por shoku Mehmet, kur ishte në Korçë, tha në Konferencën e Partisë, se edhe zona e këtij rrethi futej në intesifikim. Megjithëse e thatë atje këtë ju, nuk do të thotë se ky u bë vendim.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo është fjala për përhapjen e eksperiencës së Plasës.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, ju ashtu e keni shtruar. Nuk duhesh thënë ndryshe.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, është shkruar ashtu. Unë dua të theksoj një gjë, përparimin e bujqësisë në Fushën e Korçës, nuk e kam bërë as unë, as ti, as Hysniu. Më konkretisht, unë kam qenë në Korçë më parë se të veje ti me ekipin që dërgove dhe shokët atje, më vunë në korrent për eksperiencën e Plasës që e dija. I pyeta ata: A e keni zgjeruar ju eksperiencën e Plasës? Ata, si problem ngritën çështjen e pengesës nga malësia dhe sidomos këtë vit thanë, na dëmtuan më shumë kodrinat, se sa malësia.

Ngritën gjithashtu problemin e shtimit të kapacitetit të rezervuarit. ‘Mirë e kemi këtë’, u thashë, ‘paraqiteni çështjen që rezervuari të zgjerohet. Për sa i përket atyre dy mijë hektarëve, shikojeni këtë me leverdinë e tyre, pra natyrisht, këto dy mijë hektarë, nuk do t’i lëmë pa mbjellë, por, në qoftë se duhet të heqim diçka atje, e ta shtojmë këtu, bëjeni’. Tani, pse e them këtë histori? E them për të vënë në dukje, se shokët e Partisë dhe të pushtetit atje, kanë punuar më parë se të veje ti dhe të veja unë.

Por ti, siç tha Ramizi, t’u duk se, me vajtjen tënde, morri fund çështja e Korçës dhe përfshirja e saj në intesifikim. Korça, vërtet merr 45 kv. grurë për hektarë, ajo i ka të gjitha mundësitë për këtë, por këtu, është edhe çështja e malësisë. Prandaj, këtë situatë, nuk e bëre as ti, nuk e bëra as unë. Bile, Hysniu, ka një meritë të madhe, se ju qep Plasës, ndërsa këtë ti e ke kundërshtuar, nuk ke lejuar që të zgjerohej eksperienca e kësaj kooperative dhe tani na del si luftëtar i Plasës.

Prandaj, nuk ka pse mburremi për këtë, po ti ama, deri në Kongres e shpure këtë çështje. Në qoftë se flasim që nuk është përhapur eksperienca e Plasës, këtë duhet ta shohim në rrethet, si në Lushnje etj., pse në Korçë, në qoftë se nuk është përhapur qind për qind, 90 % fusha e këtij rrethi, është rregulluar.

SHOKU MEHMET SHEHU: Është çështja e heqjes së 1.200 ha.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, 1.200 ha. nuk është tërë Fusha e Korçës, janë një gjë e vogël, 1.200 ha. për këtë rreth.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, edhe atë ju e pengoni, shoku Mehmet. Pasi, e mbani mënd plenumin e Komitetit Qendror vjet? Enver Halilin e thirrët dhe i folët derrçe, kur i thonë, pse e shtron këtë çështje? Ju nuk e keni studiuar. Fjala tamam, ishte për 1.200 ha. Ky është një problem, apo jo? Atje kemi qenë të tërë, po ka një vit e ca kjo…! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura