SPROVË HISTORIKE/ Korriku i Mehmet Shehut dhe Labinoti në mes
Rishfaqja pas pesë vitesh në vendlindje dhe kontaktet e para me liderët e lëvizjes komuniste
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, edhe pse nuk njiheshin, përfytyrohen se e kishin kërkuar njëritjetrin. Dhe e kishin gjetur përmes dashurisë dhe urrejtjes. Jo që në krijimin e PK-së, por përgjatë LANÇT-it, përmbysjes klasore revolucionare, ndërtimit të socializmit dhe diktaturës së proletariatit, deri në tragjizmin e fundit shqiptar.
Ndaj Mehmet Shehut dalin tri njësi vlerësimesh: (i) ajo që e gremis atë në humnerë së bashku me Enver Hoxhën, (ii) tjetra e lë në heshtje për të nënkuptuar se atë e vrau diktatori (kështu që i falen mëkatet në atë cikël të vetëngrënies komuniste “të paktën kemi se ku të mbahemi!”)dhe e fundit (iii) ndarja e mitizimi i figurës së tij, që vjen nga krahu i “nostalgjikëve”, të cilët nuk e hedhin poshtë Enverin e më shumë, Mehmetin e mitizojnë.
Thelbit njerëzor, atij shndërrimi të natyrshëm në kushtet që përcillen, zgjojnë mbresa aq kontradiktore, të cilat dridhen e përdridhen si ai tymi që nxjerr oxhaku i egër i dëshirës dhe vullnetit për pushtet në të gjitha luftërat, regjimet e përmbysjet e mëdha. Korrikun e vitit 1943 ne po e quajmë “Korriku i Mehmet Shehut”, si një metaforë pjesore e luftës dhe e përpjekjeve të tij për të gjetur rrugën drejt synimit kryengritës, falë natyrës së tij aq të veçantë dhe energjive që gurgullonin në të gjithë gjindjen dhe fillimet e luftës së tij.
TË JETË VALLË KY MEHMET SHEHU?
Mehmet Shehu mbërriti në Shqipëri në gusht të vitit 1942. Vinte nga kampet e Francës, ku u përplas pas Luftës së Spanjës. Qëndroi aty nja tre vjet të errët si askush tjetër nga Vullnetarët Internacionalë. Sipas Petro Markos, në letrat që kishin këmbyer, ai ishte i përfshirë në një dëshpërim shumë të madh. Kur takohen më vonë, atëherë kur Mehmeti ishte ngjitur në pushtet të lartë, ata zunë të qajnë njëri përballë tjetrit. Në rininë e tij, pas Luftës së Spanjës, ai provoi rënien e dytë në prag gremine, kur i shkruan një letër një shokut të tij, në vitin 1938. Ai shprehet: “Unë ankohem kurdoherë për fatin tim, se shokët e mi ndodhen në universitete… Jam aq pesimist kundrejt avenirit tim, sa e shoh veten si një krimb që gërmon e s’di ku vete… Në një moment melankolik e të pamendtë, kam thënë duke iu lutur Zotit, ja të më merrte ymrin, ja të më nxirrte në dritë, si gjithë shokët e mi”.
Sapo ta kenë lexuar këtë (apo ta lexojnë) mitologët e Mehmet Shehut, do të ulërijnë me të madhe, se për Mehmetin ka një fluturim tjetër, e askurrë ai s’mund të vetëdeklarojë se i ngjante vetja si një krimb që gërmon e nuk di ku vete. Kjo është një dëshmi që nuk e ul dhe nuk e poshtëron, as e zhburrëron, veçse na rrëfen aq qartë se njeriu i ngrysur, që nuk i qeshte buza, i mbyllur që në rini të tij, ka pasur atë pulsimin e kërkimit e të përpjekjes për t’u ngjitur, kështu që rëniet e tij në melankoli në atë shtypje të fundit janë pjesë e natyrës njerëzore e të luhatjeve skijor të veçanta të Mehmet Shehut. Pragvdekja që i ishte afruar te “kuota 196”, të cilën e përshkruan aq mjeshtërisht nga Lufta e Spanjës (thirrjet pranë transheve nga të dyja palët: “Viva la muerte! Viva la vida!” = “Rroftë vdekja! Rroftë jeta!”) njeriut kryengritës i ushtonin në vesh.
Po mbërrinte në Shqipëri me shumë vonesë. Ishte shpallur Lufta e Dytë Botërore dhe vijonte ndeshja e përgjakshme. Shqipëria ishte pushtuar në një okupim të rëndë; ishte krijuar Partia Komuniste në vitin 1941 dhe Lëvizja Antifashiste kishte filluar. Ai kaloi në Itali dhe zbriti në Shqipëri, pa pasur informacionin e duhur, tërësisht jashtë loje, i mezinxjerrë nga burgu, nga miqtë e Shehut, sepse kërkohej dhe kontrollohej për pjesëmarrje në Luftën e Spanjës. A ishte ky një kthim në “zero” i të gjitha synimeve dhe ëndrrave të tij mosduruese, me një inspirim bolshevik të humbur?
Gjatë rrugës së shpëtimit, kalimit në Pezë dhe gjetjes së një makine në Rrogozhinë për të mbërritur në Vlorë, ai s’ishte në gjendje të përfytyronte se ç’bëhej, i sapodalë nga rënia e gremisja prej kampit shtypës, për katër vjet me radhë, si askush tjetër nga Internacionalët e Spanjës (e kjo mbetet një enigmë), sado që Qamil Mane 2*) donte që t’i shpjegonte. Në torbën e tij me fletë të verdha çmbështillej vetëm një broshurë e vjetër me ngjyrime socialdemokrate. Ky, njeriu i synimeve që ende i rronin të ndrydhura, ky antizogist i hershëm, ai i poemës së Spanjës, ky i paduruari dhe internacionali s’dinte se si do të shfaqej para fshatarëve të tij në këtë ardhje nga një luftë e humbur. Edhe atëherë kur e përjashtuan nga Akademia Ushtarake, erdhi në Çorrush për t’ia filluar nga e para e të shartonte gorrica me dardhë, si dhe të rindërtonte mullirin. Tani po kthehej sërish.
U ndje keq dhe gati inferior, kur hasi mezipritjen dhe vlerën që ia kishin blatuar në këto pesë vite largimi. Kishte ardhur si ai shiu pas një thatësire të gjatë; e këtë situatë ai nuk e priste, gjërat duhej të ishin ndryshuar. Ky opinion që gjeti e tundi dhe e shkundi. Në atë vjeshtë përtëritëse, në vendlindjen e tij nuk ndiheshin ide të mirëfillta komuniste. Çorrushi kujtonte se ai vinte nga bujaria e komunistëve që ishte krijuar, por që ai s’dinte gjësend dhe s’njihej askund. Aty e informuan se duhej të hidhej në vise të lumit të Vlorës dhe ai, pas tri netëve që shkroi Programin Socialdemokrat, u nis të takonte njerëzit e Qarkorit të Vlorës. Po ato ditë të para ai mori njoftim për Bilbil Klosin, Tefik Cfirin dhe Reuf Fratarin, dy nga këta oficerë të titulluar, kurse ai vetë thuhej se kishte studiuar në Akademinë e Modenës dhe ishte përjashtuar, por që s’ishte titulluar kurrë oficer.
Nuk dihen hollësi për takimin e parë me Hysni Kapon, por fakti që ai ra nën hyqmin e tij, do të thotë se ishte shumë i kujdesshëm dhe i matur për të pranuar hierarkinë e parë partiake, ku ai u zgjodh edhe Sekretar Organizativ. Në janar të vitit 1943, në Ballsh u ngrit një celulë komuniste. Kurse në shkurt krijohet çeta “Plakë”, që s’pati guxim të quhej e mëvetme, se Qarkori i Vlorës e donte që ta kishte “nën përkujdesje”. Në Klos, kur u krijua Çeta Plakë, u formua edhe celula me Mehmet Shehun, Idris Seitin dhe dy komunistë nga Vlora. Në Hekal, në prill të vitit 1943, ishin shtatë komunistë në Fratar, vetëm Qamil Hamzo dhe tre të tjerë nga Vlora, në Cakran 9, në Greshicë 3, në Aranitas 3. Pra, duket një boshësi komuniste.
Po ashtu nuk ishte bërë gjësend për fillimin e lëvizjes. Kjo gjendje i voliti shumë Mehmet Shehut, pasi gjente një truall djerr dhe ai do ta lëronte atë, ashtu sikundër e kishte përfytyruar edhe në një program që e mbante në çantë, por që s’e hapi kurrë, sepse tani ai kishte pranuar të kishte mbi krye Hysni Kapon e Qarkorit të Vlorës. Sa e vërtetë ishte që ai të rrinte nën urdhrat e Hysniut? Kjo nuk mund të përtypet lehtë… por vetëpërmbajtja e kujdesi për të realizuar ca synime më të tejme e përmblodhi dhe ai bëri sikur ishte nën Hysniun, e quajti “se kishte gjetur një vëlla”, por e dinte edhe bufi i Shkëmbit të Urdhjes se ata të dy nuk mund të mateshin, as për luftëri e as për idekëndime.
“PO MË TRADHTOVE, DO TË TË HA SI KJO PETULL…”
Kishte shartuar gorrica me dardha, kur Zogu e çoi në Çorrush dhe atij në mendje i përsillej shartimi. Bredh fshat më fshat dhe avlli më avlli, odë më odë e kasolle më kasolle. Përhapte emrin e tij dhe mezi pritej kudo. Pra, e paska krijuar që larg një emër. Formaton njësitë territoriale dhe krahas tyre PK-në. Porositen çetat se si do të realizonin regjimin luftarak që nga pajisja, informacioni, parulla e kundërparulla etj. Kur u takua për herë të parë me luftëtarin kësulëkuq të Greshicës, Sefedin Yzeiri, ai i kishte thënë: “Po më tradhtove nga fjala që lidhëm, do të të ha si kjo petull. Po të tradhtova, ti le të më përtypësh!” Ngjarjet vraponin. Aq shpejt, si s’ndodh kurrë, krijohet çeta në Klos, më 4 shkurt. Në sheshin e mbledhjes ai shikon toger Tefik Cfirin, i cili kërkonte që të ishte komandant i kësaj çete.
Mirëpo Cfiri ishte antikomunist. Kështu që u ndanë. Mehmeti u zgjodh komandant, e kush tjetër kishte sy të dilte në krye?! “Lini roje në fshat… Mallakastra do të jetë varr për fashistët… llogore më llogore, shtëpi më shtëpi… alarmi: Tri pushkë e një bombë… kush bën kompromis me armikun është armik! Po të mos luftojmë, do ta mbulojmë veten tonë me turp… më mirë të digjen dhjetë shtëpi me nder, sesa të digjen dy shtëpi me turp. Mbro bashkimin si dy sytë, lufto çdo përçarje!” Kjo është gjuha e Mehmetit. Me hollësi planëzimi luftarak e ktheu krahinën si një kazermë kryengritëse në parashikim të asaj që do të ngjante.
Jo e gjithë Mallakastra i ishte bashkuar idesë së luftës ndaj pushtuesit. Klasat, sërish, ishin veçuar. Familjet e mëdha dhe eksponentët e bejlerëve dhe çifligarëve, ata për të cilët ai kishte tentuar t’i përfshinte ashtu siç bëri në fillim me Bektash Cakranin, kur u zgjodh i pari kryetar i KNÇT-së të Mallakastrës, që në janar të vitit 1943, kishin krijuar një bashkësi tjetër. Qafa e Sykuqit ditën e dytë të krijimit të Çetës Plakë të Mallakastrës u bë dëshmi e dy forcave që ishin ngritur në luftë e kërkonin të mateshin në mënyrë të ndryshme me fashizmin.
PATOSI, SELENICA – BINOMI I PROVËS KRYENGRITËSE
Pas Sykuqit, natyra vepruese e Mehmetit del e papërmbajtshme, me guxim, plan veprash goditëse, të cilat ngjajnë se nuk janë të atypëratyshme, por të studiuara më parë. Lëvizja në Mallakastër del nga suaza e frikës dhe e pritjes së gjeratëhershme. Në 10 shkurt u krye sulmi në mënyrë të befasishme në Patos. Rrethuar me tela me gjemba dhe fortifikime betoni, mitraloza të të gjithë kalibrave. Centrali Elektrik, ofiçina vendpozicionimet në qendrën Vajgurore. Ja, kjo ishte lufta… U çarmatosën 65 ushtarë, postëkomanda u bashkua me partizanët. Në qiell fluturonin avionë. Trakti i asaj dite ishte shkruar nga dora e Mehmetit, me stilin e tij goditës dhe sulmues: “Lufto pa kompromis, mos bëj ujdi me armikun, hasmi nuk bëhet mik!”
Dhe pa u ndalur, në po atë frymë, më 21 shkurt 1943, sulmohet Selenica. U dogjën ofiçina dhe pajisje të minierës, dekovili, u pushkatua kapoja i kantierit. Miniera u çlirua. Ja, kjo ishte lufta! Pas kësaj vjen ndëshkimi fashist. Të dyja çetat nuk morën parasysh forcat që kishin ardhur dhe u sulën sërish në buzë të Vjosës mbi puset e ziftit të zi. Të dy krahët: Mallakastra dhe Vlora. Ja, kjo është lufta! Realizohet një rrethim që s’ishte kryer më parë, kapen më shumë se 60 robër, karabinierë, tre oficerë, midis tyre një nënkolonel italian, shok i shkollës ushtarake të Mehmet Shehut. Ja, kjo është luftë, e cila drejtohet si një nismë territoriale, ndërkohë që PK-ja bëhej gati të mblidhte Konferencën e Parë të vendit. Mehmet Shehun e kishte zënë ylli me pesë cepa, ai i gremisuri po rilindte, ky ishte Mehmeti që kërkonte ai vetë dhe jo ai “krimbi që gërmonte dhe s’dinte se ku shkonte”.
Kishte ardhur koha e sulmit, e asgjësimit, e kapjes së robërve, si do të trajtoheshin e ç’vendim luftarak do të merrej. Ishte koha që në këtë ndeshje të vinte edhe rasti që rrallë ndodh, kur ai do të haste ndër robër një shok të shkollës ushtarake. Ishte tronditëse. Ai kërkoi të takohej dhe ndodheshin kundruall njëri-tjetrit, në luftë dhe jo në bankën e shkollës. Ai e ndan “shokun” dhe me disa të tjerë e sjell në fshatin e tij. Kjo ndodhi mori dhenë. Ka ngelur e panjohur se ç’bisedë ai ka bërë me nënkolonelin, veçse transmetohet si njerëzore, se ai ka folur butë e butë, ka pyetur dhe ka ndarë emocione duke harruar se në ç’ditë takoheshin, kur rrotull nëpër këmbë apo ndër xhepa ishte vdekja. Ndërkaq bëheshin negociata në Vlorë që të këmbeheshin robërit me të burgosurit komunistë.
Ai mund të vepronte vetë e të mbaronte veprën ashtu si ia donte puna, por një letër i vjen nga korrieri territorial; ai marroset dhe shkumbon, del në avllinë e shtëpisë së fqinjit dhe i vjen të ulërijë prej inatit dhe xhindeve që e pushtuan. Dikush, nga larg, kishte zgjatur kalemin dhe kishte shkruar atë që s’e dimë. Ishte vendim partie, por Mehmeti nuk njihte parti tjetër veçse Qarkorin e Vlorës, e vijojnë të thonë se paskësh qenë me pseudonim. Të tjerë dyshojnë për emrin e Dushan Mugoshës, jugosllavit për të cilin ai kishte dëgjuar të flitej nga Hysni Kapoja. “U ndërprenë negociatat. Të pushkatohen!” Ai nuk iu bind gjykimit dhe emocioneve të tij, ai iu bind yllit komunist me pesë cepa, ai i shpërfshirë nga ky yll… Dhe u kthye. Nuk dha asnjë shpjegim. Iu afrua nënkolonelit dhe e ktheu me shpinë nga vetja, për të mos u parë në sy, që ai të shihte gardhin me ferra që ende nuk kishte çelur lastarë.
Shkrepi dy herë dhe ai ra. Në kujtimet e Duro Shehut, vëllait të tij, thuhet se nënkoloneli u pushkatua nga dy partizanë territorialë, ndërkaq te “Vjeshta e ankthit”, e Bashkim Shehut, thuhet se e vrau me dorën e tij. Këtu ndërhyn miti që zuri syth qysh atëherë, që ka lidhje me qarjen e Mehmetit. Ishte një rrëmbushje dhe dallgë e brendshme, një ngashërim e kërrusje në vetvete sa s’kishte dëshirë që ta shikonin bashkëfshatarët. Ka qenë një dhembje njerëzore për atë vendimmarrje të rëndë, por e bërë pas vrasjes, s’të ndjell asnjë asociacion veç asaj që duket në këta hapa të parë të lëvizjes dhe të raportit që ai kishte me partinë. Një veprim me kokën e tij mund t’i kushtonte shumë. Kështu që u maturua në çast lotësh për të mos i prishur punë udhës së tij. Ja, kjo ishte lufta! Dhe ai ndodhej në vendkomandë.
MYSLIM PASHA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al