Mëhilli:Performanca ekonomike solli rritje pagash

Aug 20, 2012 | 15:01
SHPËRNDAJE
Zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli gjatë konferencës për shtyp

TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha ka firmosur sot vendimin e marrë nga qeveria disa ditë më parë për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës. Zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli në një dalje para mediave, e cilësoi këtë rritje, si mbajtje pikë për pikë të premtimit të qeverisë për pagat dhe pensionet. Rritja e pagave ka ardhur si rezultat e performancës së ekonomisë së vendit, dhe është bërë tërësisht bazuar në të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet, tha Mëhilli, duke shtuar se, nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve

“Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26831 lekë (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22771 lekë, në vitin 2012 bëhet 50563 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë krahasuar me vitin 2005.”- thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.

Më tej, Mëhilli sqaroi se raporti i pagës së arsimtarit, infermierit dhe pagës mesatare me atë të kryeministrit, nga viti 2005 e deri sot pothuajse është përgjysmuar.

Më këtë rritja, sipas zëdhënëses se Kryeministrisë, Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Evropë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura