Mehdi Bushati tregon momentin kur la futbollin, transferimi me vajzën e Hysni Kapos, nga Blloku në barakat e Zhamës

Aug 22, 2017 | 19:28
SHPËRNDAJE

“E vërteta e futbollit është e tillë, po nuk e le atë në kohë, të lë ai ty!”, Ndoshta, asokohe ai nuk e thoshte këtë me zë të lartë, por ama vetmevete, me siguri dëshironte të bënte një largim dinjitoz nga fusha e blertë. Ishte 28 vjeç kur Mehdi Bushati i tha lamtumirë fanellës së futbollistit. Pas një karriere të shkëlqyer me ekipin e “Dinamos”, Bushati vendosi të thotë “Mjaftë më!”. Ishin të shumtë ata që nuk e miratuan këtë vendim të tij, por ai ishte i bindur.

Teksa u kthehet atyre viteve, sot mendon se atëherë duhet t’i kishte pritur më me gjakftohtësi vendimet e trajnerit për ta nxjerrë nga fusha e lojës në mes të ndeshjes, çka ai me siguri e bënte për të nxitur shpirtin e tij luftarak. Megjithatë, asokohe u ndje i prekur në sedër dhe vendosi t’i thotë lamtumirë futbollit. Por, nga ana tjetër, ai nuk e ka peng këtë largim, pasi nuk i dha fund karrierës prej futbollisti, ndërsa e kishin lënë fuqitë. Ai sjell rastin e Lorik Canës, që sipas tij duhej të ishte tërhequr me kohë.

mehdi bushati bardhe e zi

“Ishte mungesa e përgatitjes fizike, lodhjes apo e pamundësisë për të përballuar lojëra të niveleve të tilla, që solli dy faullet e tij të njëpasnjëshme e të ndëshkuara me të drejtë me karton të kuq nga gjyqtari i lojës. Kuptohet që është e drejtë e tij për të luajtur akoma apo jo me ekipin kombëtar”. Pas largimit nga futbolli, Mehdi Bushati do të caktohej në Ministrinë e Brendshme, çka nuk e pati me qejf. Dëshira e tij do të kishte qenë të emërohej në ndonjë post që lidhej me sportin. Në vitin 1968 u transferua në Lushnjë, si operativ në hekurudhën Rrogozhinë-Fier.

Për dy vjet jetoi në sektorin Zhamë, e sektorë të tjerë, ku jetoi në barakat e ndërtuara kryesisht për specialistët e ardhur nga Golloborda. Menjëherë pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë, iu bashkua edhe bashkëshortja, Vera, e bija e Hysni dhe Vito Kapos, me djalin e vogël, Andin, i cili ishte vetëm tremuajsh. Të gjitha këto, Mehdi Bushati i tregon në librin e tij me kujtime “Një jetë me sportin”.

MEHDI BUSHATI

DITA KUR THASHË: “MJAFT MË!”

“Kufizimi i të hënave” do të përfundonte atëherë kur unë do të detyrohesha të merrja një nga vendimet më të rëndë- sishme në karrierën time: kur vendosa që të mos zbres më në fushën e blertë, pavarësisht se shumëkush më kërkonte ende në stadium, pavarësisht se tifozët e mi këmbëngulnin se ishte një mëkat të shkëputeshe në moshë aq të re, pavar- ësisht se njerëzit që kisha pranë thoshin se isha ende në kulm dhe kisha shumë për të dhënë, si për Dinamon, ashtu edhe për Kombëtaren. Në fakt, nuk e di nëse termi “vendim” që përdora është ai i sakti.

Nga biografitë e kampionëve të shquar që kam lexuar vite më vonë, gjithmonë kam pasur përshtypjen se lënia e sportit të nivelit të lartë nuk është as një çast, as një akt i veçuar, as një vendim i vetëm. Ai është një proces që vjen ngadalë dhe në mënyrë graduale. Pra ai është fryt i një përgatitjeje aq sa fizike, edhe psikologjike. Forma nuk është ajo e para, gjymtyrët nuk kanë më të njëjtën shkathtësi për t’iu përgjigjur talentit, dhe egoja e talentit të dikurshëm nuk i përgjigjet më pritshmërisë së tifozëve. Por me mua nuk ndodhi kështu.

Kur vendosa ta lë futbollin isha vetëm 28 vjeç. Dhe pikërisht kjo lënie e parakohshme ngjalli shumë spekulime, hamendje dhe dyshime. Disa e lidhën ndërprerjen e beftë të sportit me fejesën time me Verën dhe me pozitën e prindërve të saj. Ata besonin se pasioni im i rinisë, dashuria ime e re më kish bërë të harroja një ëndërr tjetër, atë që më kish shoqëruar që në fëmijëri, në fushat me baltë të Shkodrës. Disa të tjerë e lidhën me dy universitetet që kisha bërë dhe me nevojën për të provuar sfida të reja, pasi kisha fituar ato në një fushë futbolli.

Disa e lidhën me një lloj cinizmi, me dramën e përhershme të sportistëve të talentuar, që janë më pak të prirur për të bërë sakrifica. Ata e shihnin vendimin tim për të braktisur futbollin si aktin tekanjoz të dikujt që shpërdoron në mënyrë të pamëshirshme një dhunti që e ka pasur të dhuruar. Nuk e di nëse në këtë mori pretendimesh ka ndonjë element të vërtetë. Por me kalimin e viteve, tani që jam në një moshë kur njeriu mund ta shohë në mënyrë më kritike të shkuarën e vet, unë gjej disa arsye të tjera që më kanë shpënë drejt këtij vendimi. E para lidhet paradoksalisht me moshën e re.

Mehdi Bushati me bashkëshorten, Verën
Mehdi Bushati me bashkëshorten, Verën

E kujtoj si tani çastin kur më ka shkuar në mendje për herë të parë të them: “Mjaftë më!”. Ishte një ndeshje kur trajneri im, Zihni Gjinali, ai që më kish hedhur i pari në fushë, ai që kujdesej të më fuste në ndeshjet e fillimit, kur skuadra qe në formë të mirë dhe në fitore për të më dhënë vetëbesim, ai të cilit i dedikoj debutimin tim me Dinamon, vendosi të më nxjerrë nga fusha pa mbaruar ndeshja. Gjinali ishte kthyer triumfalisht në stolin e Dinamos, e cila ishte drejtuar për disa vite nga Zyber Konçi, me të njëjtin profesionalizëm dhe autoritet.

Kur unë u ankova se pse më nxori nga fusha, ai nuk e priti mirë. Kur kjo u përsërit, patëm një bisedë më të gjatë. Ai pretendonte se nuk isha në formën time më të mirë. Unë këmbëngulja se po të qe kështu, më mirë të mos më bënte pjesë të formacionit, sesa të më “ofendonte” duke më nxjerrë në mes të lojës. Me këto diskutime marrëdhëniet tona u ftohën. Natyrisht, sot, kur i kthehem kësaj historie, jam i bindur se pjesa më e madhe e fajit qe e imja. Sedra e lënduar e një ylli të ri në moshë, egoja e lojtarit të mësuar për të qenë titullar i padiskutueshëm, mospranimi i idesë së cenimit të imazhit te tifozët, pra të gjitha këto bashkë të çojnë drejt gjaknxehtësisë dhe qejfmbetjes.

Kjo më ndodhi edhe mua atë kohë. Tani mendoj se nuk kam qenë në gjendje të kuptoj se, ashtu si çdo futbollist, edhe unë mund të kisha zbritjet dhe periudhat e mia të dobëta. Se shpesh trajnerët përpiqen enkas t’i vënë në dukje ato, për të të nxitur, për të të sfiduar. Unë atëherë nuk e pashë kështu, më tepër i nxitur nga krenaria e moshës. Tani e kam më të qartë dhe nuk jam as i pari dhe as i fundit që më ndodh një gjë e tillë. Kur shoh futbollistët e sotëm, që janë të pajisur me stafe përgatitësish fizikë e psikologjikë, që kalojnë nëpër të njëjtat vështirësi sjelljeje dhe kontrolli të egos, e kuptoj edhe atë që ka ndodhur me mua.

Kur shoh që nga lojtarë si Kristiano Ronaldo e deri te futbollistët tanë të Kombëtares, nuk e durojnë dot stolin dhe janë të gatshëm që për një plesht të djegin jorganin, e kam më të qartë se përse thashë “mjaft më” këtu e pesëdhjetë vite më parë. E kuptoj pse vendosa të ndahem me një skuadër dhe një sport, që më kishte bërë deri kampion të Shqipërisë, që më kishte dhënë nderin për të veshur si pakkush fanellën e Kombëtares, që më kishte ofruar rekordin e rrallë për të luajtur ndeshje në Europian e Botëror, që i kishte bërë stadiumet të brohorisnin emrin tim, që më kishte dhuruar admirues, tifozë dhe miq të panumërt.

Pikërisht nga kjo periudhë e jetës sime vendosa të ndahem në moshën 28-vjeçare. Por kjo ndarje u bë edhe për një arsye tjetër, për një bindje që e kam pasur që atëherë dhe që e ruaj edhe tani. Në karrierën time si futbollist e më pas si drejtues në struktura të ndryshme sportive apo shtetërore, jam drejtuar gjithmonë nga një parim: më mirë lëre vetë kur je i suksesshëm, sesa të presësh rënien dhe dështimin tënd. Sidomos në futboll. Ideja ka qenë gjithmonë që të lija sportin kur isha ende në formë sportive, në mënyrë që të kujtohesha nga tifozët e simpatizantët e mi në kulmet e mia dhe të mos prisja që të vinte koha e rënies dhe atëherë të largohesha nga futbolli.

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë ajo që ka ndodhur rëndom në disa raste me sportistë të ndryshëm, që janë detyruar të luajnë gjatë në futboll, për arsye të dëshirës së tyre ose arsye të tjera. Për ilustrim ju sjell shembuj edhe nga futbolli aktual, siç ishte dhe rasti i ndeshjes Shqipëri-Zvicër në finalet e Europianit 2016. Me dhimbje mund të përmend rastin e futbollistit Lorik Cana, kur në këtë ndeshje mori kartonin e kuq dhe e la ekipin e tij për 60 minuta me 10 lojtarë, në një përballje që do të kujtohet gjatë. Është ky Lorik që për vite të tëra kontribuon me Kombëtaren tonë, është Cana lider e kapiteni i ekipit shqiptar që e ka drejtuar me shumë sukses atë.

mehdi bushati stadium

Por nuk duhet të harrojmë se tashmë është 33-vjeçar. Ishte mungesa e përgatitjes fizike, lodhjes apo e pamundë- sisë për të përballuar lojëra të niveleve të tilla, që solli dy faullet e tij të njëpasnjëshme e të ndëshkuara me të drejtë me karton të kuq nga gjyqtari i lojës. Kuptohet që është e drejtë e tij për të luajtur akoma apo jo me ekipin kombëtar. Por e vërteta e futbollit është e tillë, po nuk e le atë në kohë, të lë ai ty! Kjo gjë ndodh edhe me elitën e futbollit botëror. Është tepër domethënëse deklarata “bombë” e lojtarit numër një të botës së futbollit, Lionel Mesi, i cili pas ndeshjes finale të Kupës së Amerikës kundër Kilit, e mbylli karrierën me Kombëtaren e Argjentinës.

Ai kishte humbur për herë të katërt në finale dhe ndjente mungesën e kontributit të tij në këto ndeshje. Ai zyrtarisht u tërhoq nga Kombëtarja e vendit të tij mbi bazën e një deklarate publike të bërë nga ai vetë, por falë presionit të ushtruar u kthye përsëri në radhët e përfaqësueses. Mbetet për të parë nëse vendimi i parë ishte i duhuri, apo nëse Argjentina do të përfitojë nga kthimi i tij. Kalvari i largimeve vazhdoi me Ibrahimoviçin, i cili deklaroi se tërhiqet nga pjesëmarrja me Kombëtaren e Suedisë, gjë të cilën e konfirmoi përsëri edhe në nëntorin e vitit 2016. Dhe ka rrezik që efekti i dorëheqjes të vazhdojë edhe në skuadrat e përfaqësueset e tjera. Ta lësh futbollin në kohën e duhur, është një vendimmarrje e vështirë, por e rëndësishme.

PAS FUTBOLLIT, PUNËSIMI I RI

E lashë futbollin me dëshirën dhe shpresën se ndoshta në vijim mund të caktohesha në ndonjë pozicion pranë strukturave sportive. Shpresa se një ditë do të kthehesha pranë sportit, më ka ngacmuar gjithmonë. Aq më shumë, isha në dijeni se Ramiz Alia i kishte kërkuar Ministrisë së Brendshme për të më lejuar të kaloj në një pozicion drejtues në administratën sportive.

Por përgjigjja kishte qenë jo pozitive, me arsyetimin se institucioni përkatës ka investuar në formimin dhe përgatitjen e tij si kuadër, prandaj kjo ministri do ta mbante për nevojat e veta. Për hir të së vërtetës, te klubi Dinamo, i cili varej nga Ministria e Brendshme, kam kaluar një pjesë të rëndësishme të formimit profesional sportiv, arsimor dhe kulturor. U bëra futbollist elitar i ekipit të Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare. Atje mbarova dy fakultete në Universitetin e Tiranës.

Dhe kur më emëruan në Ministrinë e Brendshme, megjithëse nuk e dëshiroja detyrën e ushtarakut, nuk mund të kundërshtoja. Kjo edhe për shkak të ndihmës materiale e financiare që kisha përfituar nga ky dikaster, për më shumë se tetë vite. Ndaj nuk gjeja arsye dhe as forcë morale për të kontestuar emërimin tim pranë këtij institucioni. Pasi u emërova në Ministrinë e Brendshme, në vitin 1968 u transferova në Lushnjë, operativ në hekurudhën Rrogozhinë-Fier. Për dy vjet kam jetuar në sektorin Zhamë (në afërsi të ish-urës së Rrogozhinës), e sektorë të tjerë.

Jetonim në barakat e ndërtuara kryesisht për specialistët e ardhur nga Golloborda, të gjitha të përbëra nga materiale pupuriti. Atëherë e quaja një ditë të gëzuar e të veçantë kur shkoja nga sektori në qytetin e Lushnjës, rrija atje disa orë, takoja shokë e të njohur e pija me ta kafe në hotel “Myzeqeja”. Vera, sapo mbaroi Fakultetin e Inxhinierisë, u transferua menjëherë në Lushnjë. Ajo erdhi bashkë me Andin e vogël tremuajsh, për të cilin fillimisht u kujdes mbesa ime Lili, e cila erdhi nga Shkodra duke qëndruar me ne për rreth një vit. Vetëm kur Andi mbushi 1 vjeç e dërguam në çerdhe.

Vera filloi punën në Ndërmarrjen e Ndërtimit duke u bërë pjesëmarrëse e kontribuuese në disa projekte si Kinoteatri i qytetit, Kampi i Pushimit të Punëtorëve në Divjakë etj. Pas mbarimit të hekurudhës, u ktheva në qytet, me detyrë shef seksioni në Degën e Punëve të Brendshme. Kaluan edhe tri vite të tjera dhe u emërova zv.kryetar dege. Pas gjashtë vitesh në Lushnjë, u transferova në Tiranë, në Ministrinë e Brendshme.

ME SPORTIN EDHE NË LUSHNJË

Megjithëse detyra ime ishte larg sportit, nuk u ndava edhe në Lushnjë nga futbolli, veçanërisht pasi mbaroi hekurudha dhe erdha me detyrë në qytet. Atëherë, klubi i futbollit quhej “Traktori” dhe ekipi i tij ishte në Kategorinë e Parë (sot Superiore). Më kujtohet se gjatë kohës së qëndrimit në Lushnjë u bëra tifoz me Traktorin. Shkoja në ndeshjet që zhvillonte në fushën e vet dhe ndonjëherë edhe në transfertë, në rastet kur ndeshjet ishin në afërsi me Lushnjën. Njihesha nga afër me lojtarët kryesorë të skuadrës, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit.

Unë bëja përpjekje që eksperiencën pozitive që kisha marrë te Dinamoja dhe në ekipin kombëtar, t’ua përcillja strukturave sportive që e kishin kthyer Traktorin në një ekip të qëndrueshëm në Kategorinë e Parë. Dhe në të vërtetë, ekipi gjatë kësaj periudhe kishte lojtarë, të cilët kërkoheshin edhe nga klubet kryesore të Tiranës. Bëhej fjalë për talente si Gogoni i paharruar dhe emra të tjerë si ai që arritën deri në ekipet tona kombëtare. Detyra e ushtarakut, për hir të së vërtetës, nuk kishte asgjë të përbashkët me botën e sportit nga vija.

Sa më shumë vite kalonin, aq më të vështirë e kisha ambientimin me disiplinën e ushtarakut. Kështu, për shembull, duke filluar nga mbajtja e detyruar e pistoletës në brez, të cilën unë e anashkaloja, për të vijuar te përdorimi i saj, të cilën edhe sot e kësaj dite nuk di as ta mbush, pastroj apo ta shkrep. Sigurisht që kjo binte ndesh me rregulloren dhe normat që janë të detyruara për zbatimin nga çdo ushtarak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura