Mega-operacion në Britaninë e Madhe/ 69 klandestinë shqiptarë bien në rrjetën e policisë, si u pikas anija e peshkimit me të cilën lundronin

Nov 19, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

Tre burra janë arrestuar nën dyshimin e kontrabandës së njerëzve pasi një anije me 69 shtetas shqiptarë u kap pranë bregdetit të Suffolk në Britaninë e Madhe.

anija

Në total, agjencitë e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar arrestuan të 72 personat në bordin e anijes së peshkimit, që po lundronte nga zona Ostend e Belgjikës.

Ishin Forcat Kufitare “Kërkuesit” (Searcher) dhe “Vigjilentët” (Vigilant) që kapen anijen duke e shoqëruar drejt Portit të Harwich në orët e para të mëngjesit të së Mërkurës.

Tre anëtarë të ekuipazhit; një shtetas letonez dhe dy shtetas ukrainas, u arrestuan nën dyshimin për lehtësim të imigracionit ilegal dhe do të merren në pyetje nga hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).

Të 69 migrantët u arrestuan gjithashtu dhe do të hetohen nën dyshimin e hyrjes ilegale në Mbretërinë e Bashkuara.

Më shumë se 250 oficerë nga NCA, Policia e Essexit, Zbatimi i Imigracionit dhe Forca Kufitare u përfshinë në kapjen dhe bllokimin e anijes si dhe nxjerrjen e saj në breg.

Ekipet e Harwich RNLI dhe rojet bregdetare u thirrën pak para mesnatës, së bashku me një helikopter të policisë, për t’u përfshirë në operacion.

Hetimi i NCA po mbështetet nga Policia e Essex, Zbatimi i Imigracionit, Forca Kufitare dhe autoritetet belge. Sekretari i Brendshëm Priti Patel ka falënderuar të gjithë partnerët operacionalë për rolin e tyre në hetimin penal.

Komandanti i Kërcënimeve Klandestine në Kanal, Dan O’Mahoney tha: “Falë punës së koordinuar midis partnerëve tanë brenda dhe jashtë vendit ne qemë në gjendje të siguronim shpejt anijen dhe një hetim është në proces tanimë”.

Zëvendësdrejtori i Hetimeve të NCA, Craig Naylor tha: “Hetimi ynë për këtë përpjekje vazhdon dhe unë do të doja të falënderoja partnerët tanë në Essex Police, Forca Kufitare dhe Zbatimi i Imigracionit për gjithçka bënë natën e kaluar dhe punën e tyre të vazhdueshme në mbështetje të hetimit që vazhdon.

“Duke punuar me partnerët tanë, ne jemi të vendosur të bëjmë krejt çka mundemi për të shkatërruar dhe çmontuar rrjetet e kontrabandës së njerëzve, dhe për t’i parandaluar ata nga shfrytëzimi i migrantëve për përfitim”, vijoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura