Zgjedhjet e 21 qershorit, Arben Tafaj kandidon me parti të re për Bashkinë e Tiranës

Apr 7, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

UPDATE/Pas tre mandateve në krye të njësisë Bashkiake Nr.8, Arben Tafaj ka vendosur të kandidojë për kryetar bashkie në Tiranë. I pyetur nga “Panorama Online” lidhur me motivet e kandidimit, Tafaj thotë se do të kandidojë në emër të një force politike të re LDVMP (Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirëqenie dhe Progres), ndërsa shprehet se nxitja vjen nga propozimi nga disa grupime qytetare me në krye shoqatën “Tirana”. 

Arben Tafaj

“Në gjithë këto vite kam përfaqësuar zemrën e kryeqytetit, njësinë numër 8. Paçka se kam qenë i zgjedhur, nuk kam qenë anëtar i një partie politike”,-deklaroi Arben Tafaj.

Sipas tij, nga viti 2003 e deri në vitin 2011-të, mbështetja qytetare ka ardhur në rritje. Këtë fakt Tafaj e argumentoi si një nxitje për të përfaqësuar qytetarët e kryeqytetit në një rang më të gjerë.

I pyetur në lidhje me zhvillimet politike brenda radhëve të opozitës, Tafaj thotë se kandidimi i tij “nuk është propozim i PR-së”. Ai argumentoi se çështja e një përfaqësimi politik, më shumë është veprim praktik për t’u regjistruar në zgjedhje. Në prononcimin e tij, Tafaj shprehet se përfaqëson një grupim qytetar që e ka mbështetur gjithmonë. Duke përmendur shifra, ai thotë se mbështetja qytetare ka qenë 48 për qind në 2003-shin, 56 për qind në 2007-n dhe 59 për qind në 2011-n, ndërsa shton se gjatë drejtimit të njësisë numër 8, ka punuar me të dyja administratat, si me Ramën ashtu edhe me Bashën.

Më herët, Tafaj është zgjedhur në tre mandatet e tij me votat e së djathtës, ndërkohë që këtë të hënë, ai ka shprehur qëndrimin për të kandiduar për bashkinë e kryeqytetit.

Ndërkaq, kjo lëvizje vjen edhe në kohën kur mes Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike, nuk ka një konsensus për kandidimin e Agron Dukës në qytetin e Durrësit. Gjatë një takimi që kreu i PR-së, Fatmir Mediu pati këtë fillim jave në Durrës me mbështetës të kësaj partie, paralajmëroi PD-në se nëse nuk gjendjet një marrëveshje për kandidimin e Dukës në qytetin e Durrësit, atëherë PR do të shoh mundësinë që të dalë e vetme në këto zgjedhje lokale. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura