Meditime në vdekjen e profesorit

Sep 14, 2017 | 10:54
SHPËRNDAJE

gjokutajÇAPAJEV GJOKUTAJ

Këto ditë u nda nga jeta profesor Farudin Hoxha, projektues i disa prej veprave madhore  hidroenergjetike. Emri i tij do të vazhdojë të bëjë dritë bashkë me Fierzën, Banjën, Bistricën etj. Boshllëku që lë pas ikja e personaliteteve të këtij kalibri, gjeneron përsiatje për ekspertët dhe marrëdhëniet që shoqëria jonë ka me ta.

1. Qofsha gabim, por kam përshtypjen se, sa më shumë kalon koha, aq më të rrallë bëhen personalitetet e këtyre përmasave. Megjithatë, ky konstatim mund të jetë edhe iluzion. Në fund të jetës, ekspertët e shquar bien shumë më tepër në sy sesa ekspertët e rinj që janë në fillim apo në mes të karrierës. Këta të fundit mund të jenë po aq të zotë sa të vjetrit, por nuk tërheqin po aq vëmendjen e publikut.

Koha relativisht e shkurtër në punë do të thotë veprimtari dhe rezultate më të pakta. Krahas kësaj, për ekspertët e vjetër punon dhe opinioni i krijuar në vite. Por ka të ngjarë se s’është thjesht problem perceptimi. Ka edhe faktorë objektivë që i bën jo fort të dukshëm ekspertët e rinj. Ndër ta vendin e kreut e zë emigrimi i trurit. Gjatë këtij tranzicioni të gjatë dhe të vështirë, mijëra specialistë, të të gjitha niveleve, kanë lënë vendin, në kërkim të një jete më të mirë.

Sot për sot, shteti ynë nuk ka lista të sakta të emigrantëve. Thënë ndryshe, nuk dimë sa shqiptarë kanë ikur, ku kanë shkuar e çfarë bëjnë. Kjo është e dhimbshme, por bëhet sëmbuese në shpirt kur një informacion i tillë mungon edhe për specialistët e ekspertët. Familja dhe shoqëria kanë investuar për krijimin e tyre, por shteti i ka hequr nga defteri. Është afërsisht si të mos dish ku i ke vënë gjërat e çmuara, bizhuteritë, stolitë etj. Nuk bëhet fjalë për informacion që do të shuante një kuriozitet, por për baza të dhënash që do të na lejonin të ishim në kontakte të vazhdueshme me ekspertët e emigruar për të kërkuar rrugë afrimi e bashkëpunimi me ta dhe me institucionet ku janë punësuar.

2. Përshtypja se ekspertët e së shkuarës mbeten të paarritshëm, ka të ngjarë që buron edhe nga një shkak tjetër. Si ata që kemi këtu dhe ata që janë në emigracion, nuk dimë t’i përfshijmë në ligjërimin publik. Në vend të tyre bëjmë të zëshëm politikanë gjysmëanalfabetë dhe gjithologë që molloisin për gjithçka me kompetencë xherahu. Vështirë të thuash nëse ky handikap buron vetëm nga dobësi të mediave tona, nga prirja e tyre për më të lehtën e më të zhurmshmen.

Mbase favorizohet edhe nga prirja e gjithë shoqërisë për të vrapuar pas shkëlqimit të rremë dhe gjërave boshe që, si rregull, kumbojnë më shumë. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, çdo shoqëri ka masa të mëdha njerëzish të prirura pas gjërave të lehta. Por ka dhe elita, dhe di t’i bëjë ato të zëshme. Ekspertët dhe shkencëtarët, prej natyre nuk para i kanë qejf fjalët, jetojnë në botën e tyre dhe jo gjithnjë kanë aftësinë të flasin në publik.

U takon gazetarëve dhe mediave që ta lehtësojnë e zbutin këtë handikap, për të mos mbetur tek 10-15 emra që, laj-thaj, mbeten po ata, por që flasin e japin mend për gjithçka. Në shoqëritë e zhvilluara, kur ka probleme të ndryshme, mediat synojnë të sjellin sidomos zërin e ekspertëve që janë marrë me këto probleme dhe kanë shkruar për to. E bëjnë këtë larg akademizmave, nëpërmjet intervistash, bisedash telefonike, ekstraktesh divulgative nga njëra apo tjetra vepër autoritare, etj. Te ne hapet, p.sh., një diskutim mediatik për përmbytjet apo për Skënderbeun, flasin të larë e të palarë. Vetëm opinioni i ekspertëve hidrikë apo i historianëve që kanë bërë kërkime në këtë temë nuk kërkohet.

3. Ajo që thuhet në rrjetet sociale për ekspertët e shquar të së kaluarës ka prirjen të kalojë në ekstreme: idealizim apo mohim apriori. Profesor Farudin Hoxha, më shkruan dikush në Facebook, ishte inxhinier i mirë për kohën e vet, por edhe ministër ndërtimi që veproi nën tutelën e politikës shkatërruese dhe u bë vegël e saj. Qëndrimi ndaj trashëgimisë së regjimit totalitar është problem kompleks dhe, sot për sot, i mbingarkuar me pasione e subjektivizëm.

Gjithsesi, mund të diskutojmë ndonjë gjë konkrete për kontributet e ekspertëve të asaj kohe. Për opinionin e shëndoshë publik, njerëzit nuk mbijetojnë në ofiqe e tituj, por në ato që bëjnë e lënë pas, në vepra. Veprat e mëdha hidroenergjetike që u projektuan nga ekspertë të përmasave të prof. Hoxhës dhe u ndërtuan nga qindra-mijëra inxhinierë, teknikë e punëtorë, hyjnë në trashëgiminë tonë më të çmuar. Pa to, rruga e Shqipërisë për në modernitet do të ishte thuajse e pamundur.

Pishtari dhe bishtuku, më shumë se dritën, të kujtojnë errësirën, ashtu siç të kujtojnë Mesjetën dhe jetën e amullt. Po qe se sot nuk do të kishim energjinë elektrike që prodhojnë hidrocentralet e ndërtuara dje, po qe se gjithçka do ta importonim apo do ta prodhonim nga hidrokarburet, problemet tona me varfërinë dhe prapambetjen do të ishin shumë më të dhimbshme e më trazuese. Në këtë kuptim, armatat e njerëzve që ndërtuan vepra të tilla vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot e kësaj dite.

Djersa e tyre na e bën jetesën më të lehtë. Por tragjikomedia është se nuk u shpërblyen as atëherë, as sot. Atëherë ishin viktimë e barazitizmit totalitar. Sot mbeten viktimë e një privatizimi shkel e shko që, krahas të tjerash, u fali dyqanet shitësve, por la pa gjë ndërtuesit e veprave të mëdha. Ky privatizim, i ideuar prej shejtan budallenjsh, e ka bërë vendin lesheli dhe duket se do të vazhdojë të pjellë grindje mes njerëzve, si dhe pasiguri për investime e zhvillim. Dava ekspertësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura