Media: Killeri italian me pagesë, i punësuar në Shqipëri

May 30, 2015 | 21:23
SHPËRNDAJE

Mediat italiane i kanë kushtuar rëndësi arrestimit në Tiranë të shtetasit 34-vjeçar Salvatore Letizia, që dyshohet se është vrasës me pagesë.

Salvatore Letizia

“Il Mattino” e titullonte shkrimin e saj dje në këtë mënyrë: Vrasësi kazertan i punësuar në Shqipëri: Të shtëna me tre të vdekur”. Më tej, në shkrim thuhej se ka përfunduar në pranga në kryeqytetin shqiptar Salvatore Letizia, 34 vjeç, me origjinë nga S. Maria C.V., që njihet si i lidhur me klanin “Piccolo di Marcianise”, i cili konsiderohet nga hetuesit “vrasës profesionist”. “Il Mattino” theksonte se italiani është punësuar nga një grup kriminal shqiptar për të vrarë një rival në trafikun e dogës, Mentor Lufi.

Në një nga zonat në qendër të Tiranës, kamorristi italian dhe një shqiptar, Besnik Sulku, kanë qëlluar me plumba Lufin, i cili ishte i shoqëruar me tre persona të tjerë, duke shkaktuar shkëmbimin e të shtënave që përfundoi me tre të vdekur, mes të cilëve edhe Sulku, i dyshuar si personi që ka punësuar Letizia-n. Kamorristi është arrestuar pak minuta më pas, ndërsa tentonte të arratisej.

Policia shqiptare, që ka sekuestruar edhe armën me të cilën Letizia ka qëlluar, ka bërë të ditur rolin e tij në të shtënat, pasi i ka gjetur në posedim edhe një foto të viktimës, Sulku. Ndërkohë, “Interno 18” shkruante dje se “Arrestohet në Shqipëri vrasësi kazertan”, duke shtuar më tej se “34-vjeçari, me origjinë nga Santa Maria Capua Vetere, njihet si i lidhur me klanin “Piçolo di Marcianise”.

Burime nga Prokuroria kanë thënë dje se pas arrestimit pak metra larg vendit të ngjarjes, shtetasi italian ka mbajtur qëndrime mohuese në lidhje me krimin.

“Kam ardhur në Tiranë dhe mbaja armë me vete, nuk kam pasur fare lidhje me ngjarjen që ndodhi atë ditë në bulevard. Jam ndodhur aty dhe kam dëgjuar të shtëna me armë, si dhe pashë disa persona që po përplaseshin, unë kam nxjerrë armën që kisha me vete dhe kam qëlluar në ajër për vetëmbrojtje, pastaj jam larguar normalisht”, mësohet të ketë thënë shtetasi italian gjatë dëshmisë së dhënë për grupin e hetimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura