Media italiane vlerëson baletin shqiptar: Shkollë superiore

Dec 14, 2015 | 14:52
SHPËRNDAJE

Trupa e Baletit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit ka provuar veten në skenat e Italisë. Artistët shqiptarë kanë mbyllur mbrëmë në teatrin “Fraschini” në Pavia, një turne 2- javor në disa nga qytetet e Italisë, nisur prej datës 2 dhjetor.

Posteri i turneut të trupës shqiptare të baletit, në Itali
Posteri i turneut të trupës shqiptare të baletit, në Itali

Trupa jonë u prezantua me baletet “La Sylphide”, “Coppelia” dhe “La Stravaganza”, të koreografëve Angjelin Preljocaj dhe Ilir Kerni, duke përçuar shkollën më të mirë të baletit klasik, por edhe atij modern, që tashmë ka gjetur një hapësirë të gjerë në kalendarin e TKOBAP.

Përgjatë dy javëve, trupa e baletit të TKOBAP është ngjitur në skenat e Como-s, Brescia-s, Rovigo-s, Bergamo-s dhe Pavia-s, të cilat kanë duartrokitur performancat e artistëve shqiptarë. Mediat italiane të Brescia-s dhe Como-s etj., i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë profesionalizmit të trupës së baletit shqiptar, duke e cilësuar “trupë profesionale që prezanton me teknikë të lartë kërcimi si repertorin klasik, ashtu edhe atë të dancit kontemporan”.

Në gazetën e Bergamos (Giornale di Brescia), të 6 dhjetorit, titulluar “Tra fiabe e festa, “La Sylphide” fa leva sulla classe di Ledia Sulaj” të shkruar nga Fulvia Conter, çmohej puna e trupës së baletit, solistëve, koreografisë etj. “Silfide, Ledia Sulaj është shumë e zonja, në rritje gjatë shfaqjes në planin ekspresiv. Teknikisht është më se e përgatitur.. “ ndërsa për koreografinë e Ilir Kernit shkruan “ ..koreografia është shumë e kujdesshme për ritmin e kërcimit, variacionet e protagonistëve janë të matura dhe jo të përsëritura.

Për më tepër, Ilir Kerni mund të besojë te një trupë baleti dhe solistë shumë të disiplinuar, një demonstrim ky i cilësisë superiore të shkollës së kërcimit shqiptar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura