“Medea”, dhimbja që garantohet nga Luiza Xhuvani!

Feb 4, 2018 | 15:27
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ

Incidenti që i ndodhi aktorit Alfred Trebicka, në fund të provave gjenerale të shfaqjes “Medea”, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, bëri disa prej aktorëve të pjesës, veçanërisht Luza Xhuvani, të mos kishin kohë të dilnin nga rëndesa e roleve të një tragjedie si ajo.

Në daljen e fundit përshëndetëse, asnjëri prej tyre nuk ishte i përqendruar, ca prej gjendjes nga e cila s’ishin larguar e ca prej asaj që panë. Vetë Trebicka, megjithëse u përpoq që ta trajtonte si një grimcë përplasjen që pësoi në errësirë, ndërsa ngrihej për të shkuar në prapaskenë, nuk arriti ta mbulojë me njërën dorë gjakosjen në anën e djathtë të ballit.luuu

Ky ishte fundi i herës së parë, jo premierë, i “Medeas” në skenë. Dje, përpara premierës, mësuam se aktori ishte në gjendje të mirë. Megjithatë, episodi, që në mënyrë të pashpjegueshme te disa shkaktoi edhe të qeshura, nuk të largonte nga gjendja ku kishe qenë për dy orët e mëparshme.

Mund të mos largoheshe as për dy orët e ardhshme! Jo se kur nisesh për të parë një tragjedi greke pret të ndihesh ndryshe, por nuk mund ta njohësh përfshirjen, pa dëgjuar zërin e gjallë të hakmarrjes, atë që zbeh edhe lutjen e Zotave. Luiza Xhuvani nuk e pati të nevojshme të bërtiste për të përcjellë errësimin e arsyes. E bëri atje ku duhej sepse një rol kompleks si i Medeas nuk mund të zhvishet nga klithmat, por nuk pati teprime, siç është e shpeshtë të ndodhë në skenën shqiptare.

Drithërimat e trupit, zvarritjet, të qarat, mallkimet, lutjet, u dëgjuan të dirigjoheshin prej Morpheusit, i cili me ndihmën e një harpe vallëzonte në një lloj gjendje transi. Luiza Xhuvani kishte zhvilluar misterin, forcën dhe çudinë kërcënuese të pasioneve të çmendura. Linja e dramës origjinale është respektuar; Medea braktis të atin dhe zhvendoset në Krint me të shoqin, Jason, dhe ka prej tij 2 fëmijë.

Pas disa vitesh, Jasoni martohet me të bijën e Kreontit, mbret i Korintit. Këtu nis edhe zemërimi i thellë i Medeas. Mbreti Kreont, duke dyshuar në hakmarrjen e Medeas, i kërkon të lërë vendin përgjithnjë, por gruaja ka ende edhe një ditë kohë. Pikërisht në këto orë të fundit, ajo do të arrijë të vërë në jetë ndëshkimin e pamëshirshëm për të shoqin, viktima të të cilit do të jenë dy fëmijët. Njihet kështu, përgjatë dy orëve, një shpirt, që ende sot përfaqëson aktin më të tmerrshëm të hakmarrjes në historinë e njerëzimit.alfred

Xhuvani ka arritur të ndajë e të bëjë bashkë luhatjet e gjendjes shpirtërore, pa i fragmentuar; një kërcënuese shkatër rimtare, dyshuese prej ndjesive të fajit, viktimë e një urrejtjeje që e copëton, aty e helmuar, aty e zonja të ndërmarrë e nxisë veprime të pabesueshme. Portreti melankolik i Luizës, bashkë me arkivin e roleve tragjike që ka në teatër, janë gjithashtu mbështetëse të së gjithë skenës në dru të errët, që hapet me prologun e aktores Roza Anagnosti. Tragjedia paralajmërohet që në fillim, bashkë me thirrjen për parandalim. Nuk kalonte pa u vënë re energjia e aktores Aagnosti, ndërsa lëshonte britmat e tmerrit nëpër të gjithë cepat e skenës, si të ishte ajo e 13 viteve më parë, kur ka qenë sërish pjesë e vënies në skenë të “Medeas”.

Tragjik, por jo aq sa dikton përfytyrimi, ishte edhe aktori Trebicka në rolin e Jasonit. Dy djemtë e vegjël binjakë, njësoj siç ndodh në tragjedinë e Euripidit, megjithëse pa folur, i përcillnin skenës patosin e krijesave të pambrojtura dhe forconin edhe më dhimbjen e portretit të Medeas. Çorientues dhe i paqartë mbetej kori. Vështirësisë për të kuptuar çfarë thuhej nga vajzat, ç’nuk duhet të ndodhte në mënyrë që të përligjej roli i tyre si rrëfimtare, i shtohej muzika më e lartë nga ç’duhej. Ishte për t’u veçuar momenti i ngarkuar i Kristian Koroveshit, aktorit të ri, që nuk iu zbeh befas aksenti korçar, nga thellësia që i kërkonte interpretimi i lajmëtarit të ngjarjes së fundit, që kërkoi të dëgjojë Medea, për vdekjen e gruas së re të Jasonit. Përfundon kështu Medea triumfuese, që arriti të shkatërrojë të shoqin, dhe bashkë me të, të humbasë gjithçka.

Panorama 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura