“Më vrau shpirtin”- Baba e bir dënohen me 37 vite burg, nëna Alket Muhaj akuza gjykatëses: Na thoshte “Pusho, mos fol!” Me çfarë e qëlluan djalin, me gishta apo…

Oct 27, 2021 | 11:15
SHPËRNDAJE

Prindërit e të ndjerit Alket Muhaj që u vra në vitin 2018 nga Et’hem dhe Dino Muhaj nuk e pranojnë vendimin e gjykatës së Gjirokastrës e cila dënoi autorët me 37 vite burg në total.

Në një prononcim për mediat, e ëma e Alket Muhajt shprehet se gjykatësja Blerta Çibuku ka hedhur poshtë akuzat për armëmbajtje, çka sipas saj ka ndikuar në uljen e dënimit.

Nëna e të ndjerit thotë se ky është një vendim skandaloz dhe ngre pyetjen se nëse autorët nuk kanë pasur armë, me çfarë e kanë vrarë Alket Muhajn.

“Për mbajtjen e armëve, zonja Blerta Çibuku e ka nxjerrë të pafajshëm. Pa armët me çfarë e vrau? Shkoi Blerta e pa me çfarë e vranë djalin tim. Po bëhet i katërti vit që mua si nënë nuk më ka pyetur asnjëherë, por na thonin pusho mos fol. Më ka vrarë zemra e një nëne ashtu siç më vranë ata kriminelë djalin e vetëm, më ka vrarë Blerta. Me çfarë e vranë ata, me gisht apo pati ndërhyrje Blerta Çibuku?” – është shprehur nëna.

Ndërkohë babai i Alketit ka hedhur akuza mbi gjykatën dhe gjyqtaren Blerta Çibuku duke e cilësuar të korruptuar. Ai i bën thirrje institucioneve që të hetojnë këtë gjyqtare lidhur me çështjen në fjalë dhe të sqarojnë vendimin e gjykatës pasi vendosi rrëzimin e akuzave për armëmbajtje pa leje.

“Këtu janë të tërë të korruptuar. Nuk jemi të kënaqur. Gjyqtarja Blerta Çibukun ta pyesim me çfarë është vrarë ai djali jonë. Me çfarë e kanë vrarë, me pëllëmba? Pa pikë turpi, gjykata të korruptuara dhe të menderosura. Është bërë si hale, çfarë gjykate është kjo. Gjykatë e ulur dhe e turpëruar. Këtu çdo gjykatë e ka shtyrë 3 vjet këtë punë. Një gjykatës i mëparshëm e ka shtyrë këtë proces pafund. Vetë ai, e hoqën atë dhe e mori kjo Blerta. E korruptuar kokë e këmbë. Gjyqtare e turpëruar për këto veprime. Me këtë vendim nuk jemi dakord. Duam që kush e ka në ngarkim këtë gjykatë, t’i futet kësa gjyqtare dhe sa gjykate të nxjerrë në shesh këtë problem. Autorët të jetë për mua, donin dënim maksimal. Jemi të pakënaqur me vendimin.” – tha babai.

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër, dënon me 37 vjet burg gjithsej, Et’hem dhe Dino Muhaj të akuzuar për vrasjen e Alket Muhaj. Gjykatësja Çibuku ka dhënë 20 vjet burgim për Et’hem Muhaj dhe 17 vjet burgim për të birin e tij Dino Muhaj. (Lexoni më shumë)

SI NDODHI NGJARJA

Vrasja e Alket Muhajt tronditi zonën e Memaliajt 6 shtatorin e vitit 2018. I ndjeri u gjet i vrarë në tokën e tij në fshatin Rabije ku kishte dalë për të kullotur bagëtitë.

Ai u gjet i vrarë me dy plumba, një në kokë dhe një në trup. Asokohe policia tha se i riu është vrarë pasi denoncoi mbjelljen e parcelave me kanabis në zonën e Memaliajt. Një pistë tjetër për vrasjen e tij ishte dhe ajo e konflikteve për pronat, ku sipas gruas së tij, 43-vjeçari ishte shfaqur i shqetësuar, shqetësime të cilat ia kishte shfaqur edhe asaj por pa i përmendur diçka konkrete.

Vetë viktima jetonte në fshatin Rabie bashkë me gruan dhe me dy fëmijët, ndërsa prindërit e tij jetonin në Patos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura