Më vjen të ulëras për vendin tim që lëngon…

Aug 9, 2022 | 8:15
SHPËRNDAJE

shpendi

SHPENDI TOPOLLAJ

Jo se jam burrë më i mirë nga të tjerët dhe as se e dua Atdheun më shumë se ata, por si banor i këtij vendi, pra, thjesht si shqiptar, nuk mund të mos ulëras kur shoh se ku e kanë katandisur politikanët Shqipërinë tonë të shtrenjtë. Nuk e kam fjalën as për varfërinë që ka pllakosur, as për vjedhjet e pasurimin e atyre që nga alabakë po krenohen se po i quajmë oligarkë, as për korrupsionin e pafre, as për padrejtësitë që na bëhen, as për drogaxhinjtë e prostitucionin e pështirë, as për pasigurinë e përditshme, as për emisionet e ndyra televizive ku e pamoralshmja na shitet si moral e qytetërim, as për luftën e rafinuar të klasave, as për sherret e pafund të harbutëve që na drejtojnë, por për dorëzimin e dinjitetit kombëtar te të huajt.

Kam lindur kur ende këndoheshin këngë për serbët e druzhe Josif Broz Titon e tyre, se ata na paskëshin shpëtuar e sjellë lirinë. Kam ndjerë neveri kur kam parë më pas sesi udhëheqja jonë komuniste u lutej atyre që të na fusnin edhe ne në Federatë, se Kosovën e kishin gllabëruar me kohë. Kam përfshirë në një roman timin një ngjarje paradoksale, ku dy vetë ishin dënuar dhe vuanin burgimin me nga dhjetë vjet; pasi njëri e kishte sharë Titon kur politika e quante mik, e tjetri e mburrte kur e kishim shpallur armik. As njeri nuk mund të lirohej, pasi nuk e lejonin proceduarat, ndaj ata kishin zgjedhur të bëheshin shokë të ngushtë në ‘Ferrin’ absurd. Dhe nuk kish sesi të ndodhte ndryshe, se të dy ishin shqiptarë dhe mbi të gjitha donin atdheun e tyre.

Nuk shkoi shumë dhe ngado që të hidhje sytë do ndeshje portretin e “babait të popujve”, mustakoçit Josif Visarionoviç Stalin. Pra, u bën dy Josifa që në hebraisht do të thotë “Zoti e shton”, por ata jo që nuk besonin në Zot, por shtuan akoma më shumë vuajtjet e mjerimin e popullit tonë. Nënshtrimi ndaj këtij të dytit shkoi deri në kufijtë e së pabesueshmes, e kopjuan në tërë mizoritë që bëri ndaj popullit të tij (lexo Solzhenjicinin), praktikuan cilësimin kulak dhe për një fjalë goje ose kot, fare kot (mos harroni ngjarjet e ambasadës sovjetike në vitin 1951), mund të haje kokrrën e plumbit dhe familja e turpëruar dhe e përbuzur, do hiqte të zitë e ullirit internimeve. Ca vjet kjo histori vazhdoi me Nikita Sergejeviçin, të cilin pasi e lamë dhe e lyem si dhe e pritëm me madhështi si Mesian, e shpallëm revizionist, pra, armikun më të madh të proletarëve të botës. U duk se mbetëm ngushtë dhe disi të vetmuar, por ishte gjetur marksist – leninisti më i madh i të gjitha kohërave, timonieri i pagabueshëm Mao Ce Dun.

Ky vërtet nuk i lante dhëmbët e verdhë dhe preferonte ca njomëzake darkave, si dhe ishte pak si larg, andej nga krahu tjetër i Azisë, por kishte deklaruar se ndihma jonë për Shqipërinë nuk do të njohë kufi shtetesh. Epo, thamë, me këtë u siguruam përfundimisht se ç’është e vërteta edhe armë solli shumë, por na doli një problem: pse ky të rreshtohet krahas klasikëve të marksizmit, kur fare mirë tani e tutje aty mund të zinte vend ky mendimtari ynë i ndritur që edhe rrugën e kishte pastruar nga armiqtë e brendshëm që herë ishin agjentë e herë poliagjentë. Apo s’ishte dhe i pashëm. Mirëpo, fjala e urtë thotë se: “çdo derr e ka ditën e tij të Shën Martinit”. Dhe erdhi ai 20 shkurti, kur të uriturit, të përbuzurit, të varfëruarit, u revoltuan dhe i hodhën litarin asaj statujës masive prej broxi, pasi ka të vdekur që duhen vrarë. Nuk e ndaloi vrullin e tyre as egërsia e pashpirt e regjimit të egër.

Dielli tani lindte nga Perëndimi, ku Presidenti amerikan, Regan plot dhjetë vjet më parë kishte shpallur se: “…asnjë arsenal i botës apo asnjë armë e këtij arsenali nuk është aq e fuqishme sa vullneti dhe forca morale e njerëzve të lirë”. Pra, do të ishim të lirë dhe kjo ishte gjithçka kishim ëndërruar. Dhe në këtë liri do të zbatohej patjetër mësimi i madh i filozofit Xheferson se: “çdo njeri, çdo grup njerëzish në botë, ka të drejtën e vetëqeverisjes”. Situata e rënduar politike, ekonomike, sociale dhe diplomatike te ne kishin nevojë për ndihmën e aleatëve të rinj me SHBA në krye. Ishim të bindur për këtë pasi e dinim se në 1 gusht të vitit 1975 krerët e 33 vendeve lindore dhe perëndimore kishin firmosur aktin përfundimtar të Konferencës të Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian, ku theksohej domosdoshmëria e respektimit të barazisë së sovranitetit të cilitdo shtet.

Mirëpo, ashtu si pa u ndierë, politikanët tanë nën pretekstin se tani jemi në aleanca ushtarake me NATO-n etj., e lanë vendin pa ushtri, armatime, municione e fortifikime, duke bërë kështu një gabim të pafalshëm historik. Kjo solli vartësinë pa kushte nga të huajt, gjë që e përligji moralisht edhe ndërhyrja e tyre në Kosovë, ku UÇK – ja po shkruante faqe heroizmi, dhe për të cilën u mbetemi gjithmonë falënderues. I respektuam ata edhe për faktin se ne aspironim për t’iu bashkangjitur BE-së dhe i shihnim si askush tjetër SHBA aleatin tonë strategjik. Por ka një diçka të rëndësishme; askujt nuk i lind e drejta, qoftë edhe kur të ka bërë një të mirë të madhe, qoftë kur i miratohen pa mëdyshje kërkesat që kushtëzojnë interesat e tij afatgjata, ta trajtojë vendin tjetër si vasal të bindur. Ashtu sikurse duhet kuptuar që administrata e një vendi demokratik ndryshon herë pas here, kështu që qëndrimet e tyre ndaj nesh apo ndaj forcave tona politike, mund të ndryshojnë në pajtim me zhvillimet e tyre të brendshme dhe të jashtme.

Por politikanët tanë, më së shumti me iniciativa personale, pa pyetur e konsultuar me kurrkënd, sikur këtu të mos kishte fare Kushtetutë, u lanë hapësirë të huajve, derisa ata nëpërmjet emisarëve të tyre apo ambasadorëve të akredituar, të ndihen zot në vendin tonë. Kuptohet qartazi se ata e bëjnë këtë për leverditë e tyre, për të fituar simpatinë dhe përkrahjen e tyre se kështu mendojnë që e kanë të garantuar qëndrimin në pushtet. Ata, gjuajnë rastin që edhe një fjalë e thënë prej tyre, të mos kalojë pa e shfrytëzuar. Nuk u vjen aspak turp nga populli i tyre kur fshihen pas deklaratave të të huajve, që shpesh, sipas një politike që as Perënditë në Olimp nuk e kuptojnë, na ngatërrojnë më keq se ç’jemi. E thënë shqip: askush nuk ka të drejtë të bëjë sikur nuk e shikon se mes nesh po fusin përçarje.

Duke parë se ne i dëgjojmë ata me përulje e pa asnjë dinjitet, luajnë me ne si kudo ku kanë gjetur, pa harruar të shtojnë se veprojnë në emër të demokracisë. Dhe në emër të kësaj demokracie në pokerin politik shqiptar, hedhin letra hileqare, si fjala vjen shpikja e atij togfjalëshit që u bë qesharak, me të cilin leshkot tanë sulmojnë njëri – tjetrin. Shqiptari i turret shqiptarit, duke i thënë se ti je përtej oqeanit i padëshiruar, ndaj nuk ulem me ty, madje siç kanë thënë ata, ti je dhe i vdekur fare. Se ata e dinë se ti je armik i demokracisë, rrezik për Perëndimin, familjarisht i korruptuar. Se partinë tuaj, paçka se përfaqëson gjysmën e shqiptarëve, të atyre që vuajtën nga që shihnin shpresa tek Amerika, mund ta shpallin edhe terroriste. Se a nuk u thanë që do të hani bar?!

Se juve nuk u doli bari i Enverit. Por ne, me këto përralla jemi mësuar tashmë, ajo që ka rëndësi është përçarja që pason në popull dhe po merr përditë e më shumë përmasa shqetësuese që s‘dihet se ku do të përfundojnë. Shqipëria është ndarë më dysh. Ishte Abraham Linkoln, ai që thosh se: “Një shtëpi e ndarë më dysh, s’mund të qëndrojë më këmbë” (17 qershor 1858). Politikanët tanë as që duan t’ia dinë për këtë. Ata i marrin të gjitha të mirëqena. Ne këtu jemi kot – mendojnë – bëjmë si na thonë. Ata na urdhërojnë të hedhim pas krahëve krimet e barbarëve serbë që lanë me gjak fushat e malet e Kosovës, t‘i bëjmë miq pasuesit e Milosheviçit dhe të grindemi ose të hedhim në gjyq Kryeministrin a Kosovës. E ku është serioziteti i politikës evropiane, kur asnjë fjalë nuk kanë thënë për poshtërsinë e copëtimit të Shqipërisë apo nevojën e bashkimit të saj me tokën amë?

Nga ana tjetër, që nuk ndihen politikanët tanë apo ushtarët e bindur të Parlamentit kukull, kjo dihet dhe nuk e ndryshojmë dot, por ajo që duhet të na shqetësojë është indiferentizmi i intelektualëve para situatës së krijuar. Kjo nuk i nderon ata. Ngritja e zërit dhe e folura pa drojë e disave personazheve të njohur si analistë mediatikë, si: Fatos Lubonja, Kim Mehmeti, Shaban Murati, Genc Burimi, Engjell Musai, Andi Bushati, Agim Nesho, Berat Buzhala etj., duhet përshëndetur, por nuk mjafton. Do ngritur zëri se puna ka shkuar aq larg sa haptazi po na thuhet se edhe Drejtësinë e drejton ambasadorja e nderuar. Dhe do shihni arrestimet e bujshme që do bëjnë ata. Ore! Jam çmendur unë apo bëni ju sikur nuk dëgjoni. Po as titistë, as stalinistët, as hrushovianët e as maoistët, nuk kishin shkuar deri këtu. Kemi vdekur ne djemtë e vajzat e mençura të këtij vendi, që mbajmë sehir e nuk ndihemi kur shohim se deri ku ka vajtur nënshtrimi.

Po a nuk ndiheni të fyer, o vëllezër e motra, kur pas shekuj e shekuj historie të lavdishme, po na konsiderojnë gjysmëbarbar? Në qoftë se burrashtetasve tanë u është bjerrë guximi e krenaria, le t’u themi të largohen dhe të hapin rrugën për drejtues të tjerë, pasi po na dëmtojnë të sotmen dhe perspektivën. Kjo do të ishte më e ndershme dhe do t’i bënte vendit një të mirë të madhe, e mjaftueshme për t’u kujtuar gjatë. Ne, në marrëdhëniet me botën dhe sidomos me aleatët, do të bëjmë tonën, me korrektesë dhe sinqeritet, atë që traktatet dhe interesat e kombit na diktojnë. Por nuk kemi pse ta ulim veten deri në këtë shkallë turpi, që u konfirmon atyre tezat armiqësore të serbomëdhenjve se: shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese. Po a s’jemi ne që në të gjitha kohërat kemi nxjerrë dhjetëra e dhjetëra prijës të shquar që kanë ditur të ndërtojnë shtet të fortë edhe në ato vende ku s’ta rrok mendja? Vepra e tyre a nuk duhet të na shërbejë si shembull e frymëzim për të ndërtuar vendin tonë? Po e lamë Shqipërinë në dorën e të huajve dhe po u besuam atyre verbërisht e me budallallëk, ta dini mirë që a humbëm Atdheun! Të huajt koloni duan, qofshin ato edhe të kamufluara me slogane demokratike, liri e të drejta të njeriut. Janë fjalë të bukura, por dardha e ka bishtin mbrapa. Sa për kujtesë, po sjell në vëmendjen tuaj: A nuk ishte Presidenti Xhonson ai që thoshte: “Unë dua të jem Presidenti që dha ndihmesën e vet për zhdukjen e armiqësive midis bashkëkohësve të vet e që nxiti mirëkuptim midis gjithë racave, feve dhe partive të ndryshme. Unë dua të jem Presidenti që kontribuoi për pushimin e luftës midis vëllezërve të kësaj toke”. Ishte viti 1964 dhe ju e dini se ç’u bë me popullin e Vietnamit. Këtë bëri rusi në 21 gushtin e vitit 1968 me Çekosllovakinë, pa ia ditur për Traktatin e Varshavës etj., etj., deri tek ofensiva kriminale ndaj Ukrainës që hajde e gjeje se kujt i leverdis të zgjatet e të zgjatet pa fund. Dhe si përfundim: Le të heshtin frikacakët, naivët e interesaxhinjtë e ç’do kallëpi, unë edhe pse askushi, vetëm një qytetar i thjeshtë i vendit tim, do vazhdoj të flas e të flas sa të kem frymë, për të ngritur dinjitetin e nëpërkëmbur të vendit të shqiponjave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura