“Me ty kam punë pastaj…”, fjalët e fundit të Dritanit në banesën e ish-të dashurës. Çfarë konstatoi prokuroria në vendin e krimit

Oct 13, 2019 | 12:15
SHPËRNDAJE

Update/ Nga materialet e para referuese të Prokurorisë, rezulton se shtetasja Marsida Qatja jeton në një apartament në lagjen nr.2, Kavajë. Më datë 9 tetor 2019, ajo ka takuar shtetasin Bledar Toçi, me të cilin ka njohje shoqërore dhe i ka treguar për një problem të sajin në lidhje me shtetasin Dritan Haxholli. Shtetasi Bledar Toçi ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe i ka thënë Marsidës se do të vinte ai te shtëpia e saj.
shpia1

Ndërkohë, në orët e pasdites, te shtëpia e Marsidës kanë shkuar shtetasit, Ermir Çela, Xhulio Biturku, Bledar Toçi, të cilët janë lidhje shoqërore e Marsidës dhe kanë konsumuar aty lëndë narkotike, kokainë, të cilën ua ka sjellë shtetasi Bernard Toçi. Edhe në darkë, rreth orës 20:30, shtetasi Xhulio Biturku dhe Ermir Çela kanë qëndruar në shtëpinë e Marsidës, ndërsa shtetasi Bledar Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash, ku ka siguruar lëndë narkotike dhe të gjithë së bashku kanë ngrënë darkë dhe kanë konsumuar pije alkoolike, birra dhe më pas lëndë narkotike.

Rreth orës 00:30, te shtëpia e Marsidës ka shkuar shtetasi Dritan Haxholli, i cili fillimisht ka trokitur te dritarja e katit të parë. Shtetasja Marsida Qatja i ka hapur derën kryesore dhe shtetasi Dritan Haxholli ka hyrë brenda dhe në duar mbante një armë zjarri, automatik model 56, të cilin fillimisht ia ka drejtuar shtetasit Xhulio Biturku, duke i thënë: “… me ty kam punë pastaj“.

Më pas i është drejtuar shtetasit Bledar Toçi dhe i ka thënë: “Pse ma bën ti këtë?”. Pasi ka thënë këto fjalë, shtetasi Dritan Haxholli ka qëlluar në drejtim të shtetasit Bledar Toçi, i cili ka marrë një plagë në anën e djathtë të fytit. Në vijim, edhe shtetasi Bledar Toçi, me armën e tij të shërbimit, të markës “Glock”, ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Dritan Haxholli, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend.

shpia2

Shtetasi Bledar Toçi ka dalë menjëherë nga shtëpia dhe me mjetin e tij ka vajtur në Spitalin e Kavajës, ndërsa shtetasja Marsida Qatja, Xhulio Biturku dhe Ermir Çela, kanë dalë jashtë banesës, në rrugë, ku shtetasja Marsida Qatja ka njoftuar Policinë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në dyshemenë pas derës kryesore të banesës, në distancë 65 cm nga kasa e derës, u gjet trupi i shtetasit Dritan Haxholli, i cili gjendet në pozicionin me shpatulla të mbështetura në dysheme dhe koka ngjitur me murin dhe mbajtësen e këpucëve, me këmbë të mbledhura dhe me duar të shtrira sipas gjatësisë së trupit.

Në supin e djathtë të viktimës, ndërmjet xhaketës dhe trikos, gjendet rripi i armës së zjarrit automatike. Ky është i montuar në një armë zjarri automatik model 56, kalibër 7.62 mm, i cili është i mbështetur mbi dysheme, në pozicion paralel, me pjesën gjatësore të viktimës.

shpia3

 

Ky automatik ka të montuar një krehër fishekësh, ka numër “12134361”, me tytë të prerë dhe leva e sigurisë është në pozicionin “D”. Pas heqjes së krehrit, vërehet se në të gjenden 27 fishekë model 56, kalibër 7.62 mm dhe pas lëvizjes së pjesëve të lëvizshme të armës mbrapa, vërehet se në folenë e fishekut të armës nuk ka fishekë.

Kufomës iu morën faktorët plotësues të qitjes me gjurmëkopjues transparent. Më pas, kufoma u lëviz për në morgun e Tiranës për ekzaminime të mëtejshme. Ekzistojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara nga nenet 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale, që ndaj personit nën hetim të caktohet një masë sigurimi personal me karakter shtrëngues.

Mbi të dhënat dhe deklarimet e sipërcituara, mbështetet ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm se të arrestuarit janë autorë të veprave penale të parashikuara nga nenet 76, 278/1, 283/1 të Kodit Penal. Ky dyshim i arsyeshëm bazohet në aktet dhe provat e administruara në kuadër të procedimit penal. Gjithashtu, nuk ekziston asnjë shkak padënueshmërie në lidhje me moshën ose gjendjen psikike të personit nën hetim ose shuarje të veprës penale.

Vepra penale nuk rezulton të jetë parashkruar, amnistuar apo depenalizuar. Për sa u përket kritereve për caktimin e masës së sigurimit, në rastin konkret duhen mbajtur parasysh rrethanat e kryerjes së veprës penale, mosha e të arrestuarit, si dhe fakti se ai ka treguar pendesë për veprimin e kryer dhe është i padënuar më parë. Për këto arsye, kërkojmë: 1. Të vleftësohet i ligjshëm arrestimi në flagrancë i shtetasit Bledar Toçi, 31 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr.4, Kavajë, shtetësi e kombësi shqiptare, me arsim të lartë, i padënuar më parë, i dyshuar për veprën penale të “Vrasjes me dashje” e “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Të caktohet ndaj tij masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”. 2. Të vleftësohet i ligjshëm arrestimi në flagrancë i shtetasit Bernard Toçi, 27 vjeç, lindur e banues në lagjen nr.4, Kavajë, me shtetësi e kombësi shqiptare, me arsim të lartë, i dënuar më parë për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, i dyshuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Të caktohet ndaj tij masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura