“Më tallën se jam grua, nuk kam pendesë për “Vrimën”

Dec 27, 2015 | 9:16
SHPËRNDAJE

Emri i poetes Rita Petro, gjatë javës së shkoi, gjendej vetiu në mes të bisedës, edhe nëse ishe duke folur për asteroidin që do të kalonte pranë tokës.

Në fakt, më shumë se ajo vetë, gjendej “Vrima” e saj, libri që fitoi çmimin e bibliofilisë, “Lumo Skëndo”. Meqenëse, siç duket, askush nuk mund të rrijë indiferent ndaj Vrimës, komentet e rrjeteve sociale eklipsuan çdo lajm tjetër socio-ekonomik të atyre ditëve.

Rita Petro duke marrë çmimin “Lumo Skëndo”
Rita Petro duke marrë çmimin “Lumo Skëndo”

Disa thanë se çmimi kishte pikërisht këtë qëllim! Poetja përgjigjet vetë për të gjitha, duke i dhënë të drejtë sidomos atyre që nuk janë të “llojit” të saj e për këtë, nuk i pëlqejnë as poezinë!

Ajo është krijimtaria juaj, por a mendoni se po të ishte më e butë, do të ishte më e pëlqyer? Nuk i referohem përdorimit të fjalëve më shumë sesa procesit. Me të drejtë ose jo, njerëzit, mbase instinktivisht, e lidhin poezinë me njëfarë gjendjeje të paarritshme, si kompozimi. Ata nuk janë të zotët ta bëjnë, por munden ta shijojnë! Si mendoni se gjenden përpara poezisë suaj?

Është e vërtetë kjo që thoni. Njerëzit duan që arti t’ua lehtësojë dhe zbukurojë jetën. Një vazo me lule apo një perëndim të bukur dielli, shumica prej tyre do ta mbante tërë jetën në shtëpi, por një fytyrë e shtrembëruar si ajo ulërima e Edvard Munch, do t’i bënte të ndiheshin keq. Se ajo tregon të vërtetën lakuriqe. Nuk është e kollajtë kjo. Në një aktivitet në Lodeve të Francës, isha e ftuar në një tryezë bisedimi për poezinë time dhe të një poeti spanjoll. Moderatori tha: Tani kemi një gjë paradoksale, poeti spanjoll është shumë i butë e romantik me vargun, ndërsa Rita, që është grua, ka varg të prerë dhe të ashpër. Në pamje të parë duhej të ish e kundërta. Po ne u pëlqyem shumë të dy, dhe më falni për jomodestinë, por pas recitimit të poezive të mia, kish shumë duartrokitje dhe auditori desh të dinte më shumë për poezinë që shkruhet në Shqipëri. Mua më erdhi mirë se ata vlerësonin dhe njihnin disa poetë shqiptarë të pas viteve ’90.

Nëse ‘e meta’ qëndron te mënyra e leximit, pra nëse nuk lexojnë siç duhet, si duhet ta lexojnë poemën “Vrima”?

Sepse, edhe “Britma” e Munch që përmendni ju, me një ciceron të mirë, mbase pranohet më gjerë… Poema si veçori të llojit të saj ka të kombinuar karakterin rrëfimtar me atë lirik; pra është një ndërthurje e prozës me poezinë. Por sot nuk ka ndarje të pastra të llojeve.. Librin “Vrima” e kam shkruar siç më ka ardhur në mendje, si imazh dhe si varg… aty ka pjesë prozaike, ka pjesë të tipit publicistik, ka stil të zhveshur në disa fragmente, ku jam frymëzuar nga tekstet e baladave të rrokut dhe një lirizëm të madh në disa fragmente të tjera, veçanërisht te ‘Parajsa e dashurisë’, ku jam frymëzuar prej këngëve të Solomonit, prandaj unë dhe sigurisht disa kolegë të mi kemi qeshur kur kemi dëgjuar gjithfarë marrëzirash… pse poezi është kjo? E ç’rëndësi ka në është apo jo poezi. Rëndësi ka nëse të sëmbon brenda vetes e të bën të shohësh në thellësi të saj. Edhe sikur të të vijë turp nga vetja, kjo është gjë e mirë. Guximi më i madh në këtë jetë nuk është të shash hapur tjetrin, por ta shohësh veten tënde drejt e në sy.

Disa teori të tjera thonë se çmimi i bibliofilisë “Lumo Skëndo”, iu dha enkas një libri që do të bënte zhurmë, për t’u shpërqendruar nga problemet e vërteta në vend… Ç’keni për t’i thënë kësaj?

Filloi si një përrua i vogël që merr përpara disa guralecë; si gjithnjë çdo çmim është shoqëruar me kundërshtime dhe të vjen keq kur edhe në art futet politika. Pra mendoj se askujt, as ata që hodhën guriçkat e para, nuk ia mori mendja që ky përrua do të shndërrohej në një lumë që u fry e u fry për të arritur në përmbytje. Disa media manipuluan keqazi se kishin zbuluar fjalë të pista në librin tim. Këtu pastaj u harrua politika. Turma është e verbër dhe në këtë moment duhet lënë të zbrazet, të vjellë gjithë të keqen që i është mbledhur brenda vetes, që lidhet me problemet e veta ekonomike po dhe ato sociale e individuale. Nga ana tjetër, për të vetmen gjë që e quaj pozitive është se u shtrua pyetja “Çfarë është dhe çfarë nuk është letërsi?”. Poezia u trajtua si çështje e masave, që poeti duhej të ishte patjetër “i ndershëm” në drejtim të edukimit të brezit të ri. Ndryshe duhej qëlluar me gurë, baltosur gjithë puna e ngritur për vite me radhë.

Libri aty kishte qenë edhe më parë, por a mendoni se reagimet e rrjeteve sociale do të ishin të njëjta edhe nëse ju nuk do të kishit marrë çmimin? A do të vinte acarimi edhe vetëm nga gjuha?

Çmimi ishte thjesht një shkëndijë… dhe kjo do të ndodhte… në mos me ‘Vrimën’ time me ‘Vrimën’ e dikujt tjetër që do të guxonte të bënte një letërsi ndryshe të ngjashme me timen. Për fat të mirë, kjo çështje hapi debat edhe te kolegët e mi të letrave se a duhet vlerësuar dhe zyrtarizuar apo jo një letërsi ndryshe; jo vetëm ajo tematike e brezit të kaluar, as ajo tepër intelektuale dhe hermetike, por një poezi tjetër më e drejtpërdrejtë që flet me gjuhën e instinkteve. Teoria e letërsisë moderne nuk pranon se ka tema serioze apo jo serioze. Ndërsa “Vrima” u trajtua për shkak të temës si një libër që i ulte vlerat letërsisë sonë të madhe shqiptare, e veçanërisht kolosëve të letërsisë shqipe, në një kohë kur figura si Fishta, Poradeci, Koliqi, Kuteli, Konica, Lumo Skëndo janë varrosur për 50 vite dhe askush prej këtyre njerëzve që sot i kanë bërë tabu e të paprekshëm apo prej baballarëve të tyre nuk ia ka përmendur as emrin dhe i kanë nënçmuar e quajtur si shkrimtarë reaksionarë.

A mendoni se është vërtet çështje kompleksesh, kur poezia juaj nuk pëlqehet? Mundet, në disa raste, të jetë edhe kështu, por në të tjera, mundet që thjesht të mos pëlqehet. Sepse njerëzit mund të ndihen të kompleksuar edhe për të thënë s’më pëlqen, vetëm pse po ta thoshin, do të paragjykoheshin si kompleksivë!

Pyetje shumë e drejtë kjo që ngrini. Po e gjitha kjo u krijua për shkak të sulmit dhe kjo situatë është e natyrshme që gjithnjë njerëzit i ndan në dy kampe pro dhe kundër. Kjo nuk ndodh vetëm këtu te ne. Ka ndodhur gjithnjë për çështje delikate; ka ndodhur dhe për libra të ndryshëm. Në gjyqin që iu bë shkrimtarit amerikan Ginsberg, ai u akuzua se po helmonte mendjet e lexuesve dhe sidomos të të rinjve me librin e tij që përmbante fjalë të pista. Dhe avokati i tij e mbrojti me atë se nuk ka fjalë të turpshme, por turp duhet të kenë ata që mendojnë në mënyrë të turpshme. Unë për vete nuk i kam vënë lexuesit tim asnjë etiketë të tillë. Libri im i kushtohet lirisë dhe dilemave të individit. Nëse ai e gjen veten është i mirëpritur, nëse jo, ka aq shumë alternativa librash nëpër librari. Libri që zgjedh njeriu është paksa i ngjashëm me stilin se si mbahet njeriu… flet shumë kjo. Po prandaj njerëzit janë të ndryshëm dhe duhet respektuar gjithsecili. Nga të vetmit që nuk jam fyer gjatë këtyre ditëve, janë ata që më kanë thënë se poezia e vërtetë është vetëm ajo që shkruan Agolli, apo Bërnsi, apo plot të tjerë, Pse? Sepse kjo është shija e tij kualifikuese, apo më mirë ta themi skualifikuese.

Në një intervistë, ju përgjigjeni se janë mllefe të gjitha ato të gojëve të liga. Mendoj që mllef, e shumta, mund të ketë një pretendent, i pakënaqur për çmim se lexuesi….

Eh, fjala gojët e liga e ul shumë stekën e bisedës. Kam thënë mllefe në raport me atë se një arsye e ftohtë të lejon të futësh në punë arsyen, pra të ndihmon të gjesh argumentim. Cili ishte argumentimi i personave që hodhën poshtë librin dhe gjykuan çmimin? A mos vallë është argument sindroma “Vrima”? A mos janë vallë disa vargje të shkruara pikërisht në kontestin se sa e ashpër është jeta dhe kur personazhi i librit tim (konkretisht vajza) dëshiron ta ndiejë marrëdhënien e parë me partnerin si magji përralle dhe jeta i afron të kundërtën. Pikërisht këtë kam goditur me vargjet e mia, dhe as kam pasur ndërmend t’i tregoj dikujt se si bëhet seksi. Po përballjen e parë të një vajze të saporritur me ashpërsinë e jetës. E pse u dashka të jem kaq romantike në poezi, kur brenda vetes ndiej rebelim dhe me stilin e thatë të vargut, mesazhi arrihet i drejtpërdrejtë e jo duke u rrotulluar rreth hënës e bilbilave që këndojnë? Cili ishte faji im këtu? Madje, s’dua as ta përmend se jam grua dhe m’u vërsulën. Edhe pse dikush tha që unë isha kokë turku e politikës, këtë nuk do ta pranoja kurrë. Unë kam kokën time dhe punën time si poete dhe si botuese, që nuk është kështjellë prej rëre, por e ngritur çdo vit, duke i vënë nga një gur. Nuk do ta pranoja kurrë të më vinin në rolin e viktimës e të dilnin shoqatat e grave për të më mbrojtur (ndonëse në parim ato duhet të bënin punën e tyre). Dhe së fundi, s’më pëlqen as ta fus veten në rolin e heroinës, ndonëse mënyra si më sulmuan çonte ujë te ky burim.

E gjithë kjo zhurmë ju shtyn drejt krijimeve të ngjashme, që duhet thënë se për librin është marketing i mirë, apo gjithë ç’ndodh jashtë, nuk hyn në procesin e krijimit?

Nëse ka diçka që një shkrimtar serioz nuk e mendon kurrë, është çështja e marketingut. A e dini se sa zjarr e dhimbje duhet të kesh brenda vetes që të shkruash pikërisht atë që nuk të dikton as arsyeja, madje as zemra, por mistikja që qëndron në fund të shpirtit tënd, në thellësi të nënvetëdijes? Është një ndjesi që të lidh vërtet me një Frymë Universale… këtë e kam ndier kur kam shkruar veçanërisht “Vrimën”. Tani më vjen keq se ndihem si ajo nëna që i zbrazet trupi kur e nxjerr fëmijën në jetë. Pa le të mendosh se kjo shoqëri e ashpër ta keqtrajtojë e ta gjymton. Unë nuk jam bërë merak për veten time, as kur më tallën e më poshtëruan. Po për librin tim ndjeva shumë dhimbje. Dhe kurrë s’do të pendohem për këtë. Unë jam kjo që kam qenë që e re dhe që në një varg të hershëm them: “Rrezikun e kam veshur drejt e në trup si një jelek antiplumb”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura