Më shumë Gjermani, më shumë Europë

Oct 3, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

BASHKIM ZENELIBASHKIM-ZENELI-17

    Sot është 3 tetori, dita e bashkimit të Gjermanisë, dita e festës kombëtare. 25 vjet më parë, të dyja shtetet gjermane realizuan aspiratën dhe ëndrrën e afro pesë dekadave, ëndrrën e popullit gjerman për të jetuar së bashku, në një atdhe, në një shtet, të lirë, në paqe e në siguri. Më 9 nëntor 1989 kishte rënë Muri i Berlinit, që kishte ndarë për tri dekada jo vetëm gjermanët dhe Gjermaninë, por si simbol i luftës së ftohtë ai kishte ndarë Europën, edhe botën në dy pjesë: në atë të lirisë dhe demokracisë dhe në atë të diktaturës komuniste.

Por me rënien e murit nuk ishte arritur bashkimi i vendit. Ribashkimi i Gjermanisë nuk mund të realizohej vetëm nga dëshira, vullneti dhe legjitimiteti i popullit gjerman për t’u bashkuar. Procesi i bashkimit ishte një luftë e madhe, e vendosur politike dhe diplomatike që do të duhej të thyente “status quo”-në në Europë dhe interesat e sigurisë në Lindje dhe në Perëndim. Ai nuk ishte aspak një proces i izoluar, aq më pak thjesht dypalësh; ai ishte deri në fund një akt balancimi në fushën e tensioneve të luftës së ftohtë.

329 ditët drejt bashkimit ishin ditët e një angazhimi të pashembullt të politikës dhe diplomacisë gjermane me protagonist kancelarin legjendar Helmut Kohl dhe ministrin e shquar të Jashtëm Genscher. Do të duhej të punohej me aleatët perëndimorë, me SHBA-të, Francën dhe Britaninë e Madhe, me Bashkimin Sovjetik, si katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore. Do të duhej të punohej intensivisht me udhëheqësit e RDGJ-së që shihnin vetëm “reformimin e mëtejshëm të sistemit socialist” dhe “bashkëpunimin midis dy Gjermanive, si bashkëpunim midis socializmit dhe kapitalizmit”.

Në çdo iniciativë dhe çdo aksion politik, diplomatik, ushtarak dhe juridik, duhej ecur hap pas hapi, vetëm në bashkëpunim të plotë me aleatët, por në mënyrë të veçantë me Bashkimin Sovjetik.
Ardhja e Gorbaçovit në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në mars të vitit 1985, dhe procesi i reformave që ai ndërmori, do t’u hapnin raporteve Lindje-Perëndim një faqe të re marrëdhëniesh, por edhe vendeve ish-socialiste një perspektivë të qartë drejt lirisë dhe paqes, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut dhe sistemit shumë partiak.

Që në qershor të vitit 1989, ende pa rënë Muri i Berlinit, në mbledhjen e vendeve anëtare të traktatit të Varshavës në Bukuresht, Gorbaçovi deklaroi të mbaruar përfundimisht teorinë afro 20-vjeçare të sovranitetit të kufizuar të Brezhnjevit dhe mbështeti fort dhe hapur të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Më 28 nëntor, vetëm 20 ditë mbas rënies së murit, kancelari Kohl ndërmori një nismë të guximshme dhe të beftë: paraqiti në Bundestag planin e njohur prej 10 pikash, pa konsultime paraprake as me aktorët politikë në vend, as me partnerët ndërkombëtarë.

Në pikën 10 të planit përcaktohej qëllimi final, bashkimi gjerman, por pa përcaktuar afate kohore. Si faza ndërmjetëse ishin parashikuar edhe strukturat konfederative deri te Federata. Në këtë fjalim historik në Bundestag, kancelari i bënte thirrje popullit në RDGJ që të mos humbte durimin dhe qetësinë, të mos lejonte në asnjë rrethanë kalimin e vendit në kaos dhe se RF gjermane nuk do ta shfrytëzonte në mënyrë të njëanshme këtë situatë për të arritur qëllimin kombëtar të gjermanëve. Ai bën thirrje të hapur për të “mbështetur Gorbaçovin në politikën e tij reformatore, që nuk është vetëm në interes të Bashkimit Sovjetik, por të paqes, lirisë, demokracisë dhe sigurisë në Europë”.

Plani prej 10 pikash u paraqit në Bundestag, vetëm 5 ditë para takimit të 2 dhjetorit në Maltë, midis Bushit dhe Gorbaçovit. Ky ishte edhe një sinjal për këtë takim, për të cilin Kohl theksonte se “nuk duhet hequr asnjë paralele midis Jaltës dhe Maltës”…
Reagimet për planin prej 10 pikash ishin të mëdha. Presidenti Bush, pavarësisht mungesës së konsultimeve për të, do të deklaronte se “është me të njëjtën gjatësi vale me të” dhe se “duhet respektuar e drejta e vetëvendosjes”, se “duheshin mbajtur parasysh nga detyrimet e Gjermanisë ndaj NATO-s dhe Bashkësisë Europiane dhe të drejtave të katër fuqive fituese”… se “bashkimi duhej arritur në mënyrë paqësore edhe si etapa të një procesi” dhe në fund “në kuadër të respektimit të aktit final të Helsinkit”.

Gorbaçovi reagon duke thënë se “është një realitet që sot në Europë kemi dy shtete gjermane, por për të qenë realistë, duhet të pranojmë se është historia ajo që do të vendosë për proceset edhe fatin e kontinentit europian, ashtu si edhe mbi fatin e dy shteteve gjermane. Çdo zgjidhje artificiale e procesit do të përkeqësonte gjendjen dhe do të vështirësonte ndryshimet në shumë vende të Europës”.
Kryeministri gjermanolindor Modrov do të shprehej “pro konfederatës, jo bashkimit, të paktën jo në një të ardhme të afërt”.

Francezët shqetësohen dhe shprehen “më mirë dy shtete gjermane se një shtet i vetëm”. Britanikët janë më të ashpër. Thatcher deklaroi: “Dy herë i mundëm gjermanët, tani duan të ngrenë krye përsëri”. Andreoti flet për “revanshizëm gjerman”. Edhe belgët, danezët e holandezët kanë pasur rezerva. Në Perëndim, krahas amerikanëve, bashkimi gjerman u mbështet pa asnjë lloj rezerve nga kryeministri spanjoll, Felipe Gonzales.

Pavarësisht nga këto, ishte pozitive se mbas bisedimeve, telefonatave e lobingut të SHBA-ve, në Samitin e NATO-s në Ottave të Kanadasë, më 12-14 shkurt, që u quajt “koncepti i sigurisë Open Skies”, u ra dakord, duke pas qenë konsultuar intensivisht me sovjetikët, që bisedimet për të ardhmen e Gjermanisë të zhvilloheshin në kuadër të formatit të bisedimeve 2+4. Do të ishin pjesëmarrëse dy shtetet gjermane dhe katër shtetet fituese të Luftës së Dytë Botërore. Aty edhe u vendos që të zhvillohen takime në nivel të ministrave të Jashtëm për çështjet e politikës, çështjet ushtarake dhe çështjet e kufirit Oder-Neise në tre takime, në Bonn, me Berlinin Lindor dhe në Paris.

Takimi përfundimtar, ku do të nënshkruhej edhe deklarata, do të zhvillohej në Moskë, në 12 shtator.
Një proces shumë i vështirë, i ngarkuar me bisedime dhe reagime, me mirëkuptim dhe kundërshti, me të papritura, me aspekte të brendshme e të jashtme të bashkimit, deri në momentet e fundit. Kancelari Kohl dhe ministri Jashtëm, Genscher, ndërmorën takime në Uashington, Moskë, Paris, Londër dhe Berlinin Lindor. Ato janë edhe bashkë, edhe veças, në çdo forum ndërkombëtar.

Vendoset si kurrë më parë një bashkëpunim shumë i ngushtë me Bashkimin Sovjetik. Gjermania ndihmon pa rezerva ekonomikisht dhe financiarisht Bashkimin Sovjetik. Kancelari Kohl mbante shumë mirë parasysh thënien e famshme të Kancelarit të OST-politikës, Vili Brandit, se “çelësi për zgjidhjen e çështjes gjermane ndodhte në Moskë”. Por jo vetëm kjo! Moska duhej ndihmuar e mbështetur për vetë interesat jo thjesht të Bashkimit Sovjetik, por të paqes, lirisë, sigurisë, të procesit të ndryshimeve në Europë në botë. Kursi reformator i Gorbaçovit, i mbështetur nga Bush, Miterran, Thatcher, duhej të vazhdonte në luftën kundër konservatorëve, nacionalistëve të vijës së ashpër dhe komunistëve dogmatikë në parti, por sidomos në Duma dhe në ushtri.

Për çështjen e bashkimit gjerman do të ishin me shumë vlerë tre samite të rëndësishme, që u zhvilluan në një hark kohor prej dy javësh: ai i BE-së së Dublinit, më 25 qershor; i NATO-s në Londër, më 5 dhe 6 korrik; dhe Samiti i G7, i ekonomisë botërore, në Houston të SHBA, më 8 korrik.
Më parë, më 7 qershor, në Turnberry ishte zhvilluar gjithashtu një mbledhje e rëndësishme e NATO-s që kishte hedhur disa teza të reja, të panjohura më parë për Samitin e Londrës: bashkëpunimin midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s në kuadër të zhvillimeve të reja historike.

Dhe ishte me një rëndësi të madhe për Gjermaninë Deklarata e Samitit të Londrës për t’i dhënë fund konfrontimit dhe për të nisur punën drejt kooperimit. Aty u vendos që edhe Gjermania e bashkuar të ishte pjesë e NATO-s.
Në ato ditë, më 1 korrik, hyri në fuqi edhe marrëveshja shumë e rëndësishme e bashkimit monetar, ekonomik dhe social midis të dy shteteve gjermane.
Por, pavarësisht përparimit të vazhdueshëm, me sovjetikët kishte probleme që duheshin kapërcyer. Moska nuk pranonte deri në ato momente anëtarësinë në NATO të Gjermanisë së bashkuar, por shprehej për një “status neutral”, për të “mos cenuar ekuilibrat”.

Po kështu, sovjetikët ishin për të zgjedhur njëherë aspektet e brendshme të bashkimit, deri në bashkimin gjerman e më tej për të zgjidhur aspektet e jashtme.  Gjermania nuk i pranonte këtë ndarje; ajo nuk pranonte të kishte të mbetur të hapur asnjë problem. Ndarja e proceseve të brendshme nga ato të jashtme do të kufizonte edhe vetë sovranitetin e shtetit të bashkuar gjerman. Po kështu, gjermanët kundërshtonin qëndrimin e një “periudhe kalimtare” në procesin e bashkimit. Si periudhë kalimtare Gjermania do të njihte vetëm periudhën 3-4-vjeçare të shpërnguljes së 400 mijë trupave sovjetike nga territori i ish-RDGJ-së. Dhe kjo me një marrëveshje të veçantë dypalëshe (Gjermania do të paguante 15 miliardë DM për shpërnguljen e trupave sovjetike të transportit, të punësimit në atdhe, të ndërtimit të shtëpive dhe të arsimimit të fëmijëve të ushtarakëve).

Gjithsesi, me dialog, me vendosmëri dhe hap pas hapi, “tërheqja e sovjetikëve filloi në Brest, në takimin midis Shervranadez dhe Gensherit. Aty u dhanë sinjalet e para shumë pozitive…
Por mirëkuptimi i plotë midis Gorbaçovit dhe Kohlit për të gjitha çështjet e bashkimit gjerman, do të arrihej në Moskë, e më tej në Kaukaz, në vendlindjen e Gorbaçovit më 14-16 korrik.
Të dy udhëheqësit bien dakord për çdo gjë, në 8 pika ku kishin diferenca. Në Bashkimin Sovjetik vetëm 2 ditë më parë kishte përfunduar punimet kongresi i P.K të B.S dhe Gorbaçovi edhe kursi i tij reformator kishin fituar bindshëm ndaj kundërshtarëve që përfaqësoheshin nga një figurë e njohur e partisë, Logatshov.

Në këtë takim, Gorbaçovi deklaron se në takimin e 12 shtatorit në Moskë do të flisnin thjesht për një Gjermani të bashkuar, sovrane dhe “anëtare të NATO-s”. Ai i falënderon Kancelarin për mbështetjen e fuqishme ekonomike dhe financave që kishte dhënë Bashkimit Sovjetik dhe i kërkon që të fillojnë menjëherë nga puna për përgatitjen e një traktati miqësie e bashkëpunimi me Gjermaninë e bashkuar.
Këto bisedime ishin një triumf i vërtetë i vendosmërisë së Kancelarit Kohl. Urimet për bashkimin gjerman fillojnë së pari nga President i SHBA, Bush…

Mbas kësaj, Gjermania zgjidhi edhe problemin e kufirit Oder-Neise, me anë të një deklarate të përbashkët të Bundestagut dhe të Kuvendit të RDGJ-së që pas bashkimit gjerman do të nënshkruhej me Poloninë dhe do të ratifikohej në Parlamentin mbarëgjerman. 12 shtatori në Moskë në takimin 2+4 do të ishte thjesht festiv. Aty do të miratohej deklarata përfundimtare, që në artikullin 7 të saj do të konsideronte të përfunduar të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e fuqive fituese dhe do t’i kalonte Gjermanisë sovranitetin e saj të plotë.

Kjo ishte një fitore e madhe. Gjermania u bashkua!
Më 2 tetor, në orët e vona të mbrëmjes deri në orën 02:00 të mëngjesit, në sheshin para “Reichtagut” mitingu prej 2 milionë qytetarësh ishte i jashtëzakonshëm. Një popull i tërë festonte bashkimin.
Sot, mbas 25 vjetësh, gjermanët janë krenarë për gjithçka kanë arritur; për shtetin model të së drejtës; për ekonominë e fuqishme; për politikën e shkëlqyer sociale; për rolin dhe kontributin në forcimin dhe përparimin e Europës; për paqen, lirinë dhe sigurinë në botë. Më 1500 miliardë euro është financuar deri tani rindërtimi i Lindjes, pa përshirë edhe kontributet që vazhdon të paguajë edhe sot çdo gjerman.
Gjermania është shembulli ynë. Shembulli që duhet të ndjekim në radhë të parë në moralin politik…në politikëbërje, në kompromisin, në përgjegjësinë e lartë për vendin.

Gjermania e bashkuar 25-vjeçare është ana tjetër e së njëjtës medalje të Europës së bashkuar. Sa më shumë Gjermani, do të thotë sa më shumë Europë. Ky ishte vizioni, kjo është e vërteta.
Gjermania është atdheu i gjermanëve, Europa e bashkuar, është e ardhmja jonë e përbashkët; edhe e ardhmja e Shqipërisë, pa asnjë dyshim, pa asnjë lëkundje; me vepra! Ky përvjetor ka shumë mësime!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura