Me rrezikshmëri të lartë, i dënuar për vrasje e rrëmbime, si u vu në pranga “i forti” i Bulqizës. Historitë e tij kriminale nisin…

Jul 4, 2020 | 10:18
SHPËRNDAJE

ALBI LALA/ Një 32-vjeçar me rrezikshmëri të lartë është arrestuar dje nga forcat RENEA në Bulqizë.

Shtetasi Fadil Tërnova, sipas Policisë, rezulton se është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, ndërsa u gjet i fshehur në një bodrum të posaçëm që kishte krijuar brenda shtëpisë.

Fadil Tërnova, i dënuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të tjera të rënda, prej dy vitesh ishte në arrati. Ai u kap në shtëpinë e tij në Vajkal të Bulqizës, i fshehur në një bodrum që kishte krijuar enkas në një prej dhomave, që ishte i mbuluar me pllakat e dyshemesë.

Gjatë operacionit forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë tip “Glock” që e mbante pa leje dhe fishekë luftarakë.

fadil ternova1

Ai ishte në kërkim që prej vitit 2018 për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosje për të mos kallëzuar krimin” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Fadil Tërnova është person me rrezikshmëri të theksuar kriminale, i dënuar për vrasjen e biznesmenit të kromit Shefqet Shehu, në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është organizator dhe autor kryesor për disa raste të ndodhura më parë për “Shtrëngim për dhënie pasurie”.

AKUZAT

Historitë kriminale të shtetasit Fadil Tërnova, 32 vjeç, nisin 11 vite më parë, kohë kur ai u përfshi në plagosje, vrasje, gjobëvënie, rrahje, grabitje etj. Brenda një dekade shtetasi Fadil Tërnova ka të regjistruara nga Polici shumë vepra penale.

Një pjesë e tyre lidhen me plagosje, vrasje, gjobëvënie, marrje peng, ngjarje këto që lidhen me konkurrencën për mineralin e kromit. Më datë 9 dhjetor 2009, në vendin e quajtur “Pishat”, pak kilometra larg qytetit të Bulqizës, Tërnova akuzohet se ka plagosur shtetasin V. Shehu.

Më datë 24.11.2012 është shpallur sërish në kërkim për “Kanosje” dhe “Plagosje e lehte me dashje”. Ngjarja më e rëndë me protagonist Fadil Tërnovën regjistrohet në qendër të Bulqizës më 19 prill 2013.

Vëllezërit Fadil dhe Luan Tërnova janë grindur me vëllezërit Shefqet e Vehap Shehu, 41 e 38 vjeç.

“Fillimisht ata u grindën me fjalë dhe ngritën zërin ndaj njëri-tjetrit. U shanë dhe nisën të përleshen fizikisht. Gjendja u përkeqësua dhe Fadil Tërnova doli nga lokali, dhe pasi nxori nga makina një armë tip pistoletë, ka qëlluar mbi vëllezërit Shefqet e Vehap Shehu. Shefqet Shehu humbi jetën në vend. Fadil Tërnova është arrestuar shtatorin e vitit 2015 gjatë operacionit të koduar “Fortuna”.

U dënua me 10 vite burg për tentativë vrasjeje dhe për mbajtje të armëve luftarake. Më 11 dhjetor 2017 Fadil Ternova i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri në aksin Bulqizë-Peshkopi. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Peladhi. Ai është qëlluar me armë zjarri teksa lëvizte me automjetin “Land Rover” me targa AA 489 RA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura