Emri/ Të shtënat me armë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, identifikohet autori

Jan 25, 2020 | 12:49
SHPËRNDAJE

Zbardhet ngjarja e djeshme ne zonen e Ujt te Ftohte ne Vlore, kur nje person qelloi me arme dhe me pas u largua.

“Panorama” meson sot se autori i ngjarjes është identifikuar si Mario Ramosacoj, i cili ndodhet në kërkim.

 

policia-vlore

Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 10 të qytetit bregdetar, shumë pranë zonës së “Ujit të Ftohtë”. Burime nga uniformat blu të Policisë së Vlorës bënë të ditur se ka qenë një telefonatë që ka vënë në lëvizje efektivët, lidhur me të shtënat me armë.

Ato janë dëgjuar rreth orës 11:40 të paradites së djeshme. Pranë një vendparkimi në një pallat në zonën ku ndodhi ngjarja, persona të paidentifikuar dyshohet se kanë qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Eneo Greca, 36 vjeç. Burimet nga Policia thanë se Greca ishte drejtuar për tek automjeti i tij tip “Porche Cayene”.

TELEFONATA

Policia ka marrë një telefonatë për të shtëna armësh në këtë zonë, ndërsa ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke vendosur shiritat e perimetrit të sigurisë dhe ka nisur hetimet. Fatmirësisht, sipas Policisë, por edhe informacioneve të siguruara në vendin e ngjarjes, nuk ka pasur viktima apo të lënduar.

Ndërkohë, shtetasi Eneo Gresa, pasi është hasur me të shtënat e armës, ka telefonuar menjëherë bashkëshorten e tij, duke i thënë: “Më qëlluan, shpëtova mjaft mirë”. Pas kësaj telefonate, 36-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes duke braktisur edhe automjetin e tij. Gjithashtu, nga vendi i ngjarjes është larguar me shpejtësi edhe personi që ka qëlluar me armë, duke mos u identifikuar nga Policia.

NË VENDIN E NGJARJES

Policia, pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka gjetur tri gëzhoja të lëshuara nga një armë tip pistoletë, si dhe ka bërë të ditur se në automjetin tip “Porche” nuk ka pasur asnjë dëmtim apo shenjë plumbi. Nga hetimet e para, por edhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes nga Policia, dyshohet që autori ka pasur si objektiv drejtuesin e automjetit që është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.

Shtetasi ndaj të cilit është tentuar të qëllohet, por që fatmirësisht nuk e kanë kapur plumbat, pasi është larguar në momentet e para, konfirmohet se nuk ka pësuar asnjë dëmtim, ndërsa pritet marrja në pyetje e tij për të saktësuar më shumë rreth ngjarjes. Po ashtu, Policia ka sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes, pasi ato pritet të hedhin më shumë dritë rreth zbardhjes së ngjarjes, identifikimit të autorit apo lëvizjes së tij, para dhe pas ngjarjes.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura