“Më përpara i shpërndanin nëpër qese të zeza”, Tsipras mbron fondet sekrete greke për median në Shqipëri

Oct 21, 2018 | 12:21
SHPËRNDAJE

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, pranoi publikisht ekzistencën e fondeve sekrete për financimin e mediave, shoqatave të gazetarëve dhe kishës në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

tsipras-2

Në përgjigje të akuzave ndaj qeverisë së tij për financimin e rreth 1 milion eurove vetëm gjatë muajit tetor për gazetarë, media dhe shoqata në Shqipëri, Tsipras theksoi se një praktikë e tillë ekziston prej vitesh. “E kam diskutuar këtë debat që kur ishim në opozitë, në vitin 2011, kemi diskutuar për procedurën sa i përket transparencës së përdorimit të fondeve. Kemi krijuar një procedurë transparente për fondet sekrete. Nuk ka keqpërdorim të këtyre fondeve pa një firmë nga urdhëruesi, jo siç ndodhte më përpara që i shpërndanin majtas e djathtas nëpër qese të zeza. Çdo vend që respekton veten e tij e ka për detyrë të përdorë një politikë të jashtme ku të mbështetet. Prandaj fondet sekrete janë një domosdoshmëri veçse ndokush ka kundërshtime.

Debati që po bëhet kohët e fundit po bëhet në mënyrë të turpshme nga një pjesë e shtypit opozitar që synon pikërisht të godasë këtë procedurë transparente”, deklaroi Tsipras. Kryeministri grek u shpreh i bindur se skandali për keqpërdorimin e fondeve sekrete është bërë nga opozita dhe segmente të caktuara të medias. Tsipras i kërkoi kreut të opozitës të shkojë në zyrën e tij dhe të informohet mbi mënyrën sesi shpenzohet çdo euro e taksapaguesve grekë. Garancinë për përdorimin e fondeve sekrete e dha edhe ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias. Sipas tij, Parlamenti miratoi një ligj të posaçëm sa i takon përdorimit të këtyre fondeve.

“Nëse është e vërtetë gjithçka që thuhet, është sikur t’u tregojmë të huajve se nuk jemi seriozë. Ne bëmë një ligj të posaçëm për fondet sekrete të cilat kontrollohen dhe miratohen nga një këshill dhe shkojnë drejtpërdrejt në Parlament”, tha Kotzias.

Idrizi kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Bushati: Nacionalizëm tepsie

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e cilësoi vendin në emergjencë kombëtare pas skandalit të publikuar në mediat greke se vetëm muajin e fundit janë shpenzuar 1 milion euro nga Greqia për financimin e mediave dhe gazetarëve në Shqipëri. Idrizi i kërkoi Presidentit të Republikës mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Sigurisë Kombëtarë për diskutimin e kësaj çështjeje.

“Sot një pjesë e politikës, ajo që tregon vasalitet të vazhdueshëm ndaj Greqisë hesht. Një pjesë e mediave hesht dhe është e blerë. Prandaj jemi në një emergjencë kombëtare. I kërkojmë Presidentit të Republikës të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të vërë në lëvizje të gjitha agjencitë ligjzbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë ata që kanë marrë para, shumat e qëllimet sepse vetëm në një muaj bëhet fjalë për 1 milion euro. Ritheksoj që janë 1 milion euro vetëm për një muaj, e asnjëherë nuk do kuptojmë sasinë e vërtetë të fondeve të paligjshme të derdhura në vend, nëse nuk shtrohet si një prioritet për sigurinë kombëtare”, tha Idrizi.

Kreu i PDIU-së kërkoi nga Prokuroria të hetojë cilat janë portalet, gazetat, televizionet, gazetarët, biznesmenët, OJQ-të, që janë financuar nga Fondet e Zeza sekrete të Ministrisë së Jashtme Greke.

Por në një reagim për mediat menjëherë pas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e ka cilësuar nacionalizëm për tepsi qëndrimin e kreut të PDIU-së.

“Kush bërtet i dëshpëruar për t’u faktorizuar në hartën e nacionalizmit ballkanik, s’ka lidhje me çështjen kombëtare e as me vendosmërinë e qeverisë @ediramaal që përfshiu në bisedime me fqinjin jugor të gjitha çështjet që i kishte mbuluar pluhuri i harresës #nacionalizëmpërtepsi”, shkruan Bushati.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura