Me para, vodka e cigare, ukrainasit ikin nga okupimi rus/ Flasin banorët e qyteteve të rrënuara: Njerëzit po vdesin nga mungesa e barnave

Jun 27, 2022 | 16:35
SHPËRNDAJE

luftaTamara është larguar nga vendlindja e saj, Mariupoli, më 24 shkurt – në ditën kur Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Megjithatë, ish-punonjësja e administratës së qytetit është kthyer vetëm dy më vonë, për të ndihmuar banorët e rrethuar.

Për një muaj, ajo ka varrosur të vdekur dhe u ka çuar drurë zjarri dhe ujë atyre që nuk kanë mundur të kujdesen për veten.

“Që nga muaji mars, njerëzit kanë filluar të vdesin nga sulmet me raketa Grad dhe të ftohtit”, ka rrëfyer ajo për kanalin Current Time të Radios Evropa e Lirë, me kushtin që emri i saj i vërtetë të mos përdoret, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e familjes së saj.

“Të tjerë kanë vdekur nga sëmundjet – nuk ka pasur barna në dispozicion – dhe disa nga pleqëria”, ka treguar Tamara.

Nga atje, ajo është zhvendosur bashkë me vajzën e saj 19-vjeçare në një zonë më të sigurt, ku familjarë të saj kanë pasur një shtëpi me bodrum, ku kanë mundur të strehohen nga bombardimet ajrore.

Por, deri në fund të muajit, trupat e armikut kanë hyrë në zonë – fillimisht forca nga rajoni i Donbasit, i kontrolluar nga separatistët pro-rusë, e pastaj rusët.

Me ardhjen e tyre, Tamara dhe vajza e saj u janë bashkuar disa miliona ukrainasve të tjerë, që papritmas e kanë gjetur veten nën rrethim.

Tamara dhe vajza e saj janë përballur me kërcënime dhe ngacmime, ndërsa kanë mbijetuar me ushqimet që kanë vjedhur forcat pushtuese nga shtëpitë dhe dyqanet, e që më pas ua kanë shpërndarë civilëve.

Dhe, sikurse shumë ukrainas të tjerë, që do t’i nënshtroheshin procesit të “filtrimit” për të përcaktuar vlerën e tyre në territorin “rus”, ajo ka mësuar se ryshfeti është i nevojshëm për të shpëtuar gjallë.

“Nëse ju keni armë, çfarë mund të bëj unë?”

Pasi Mariupoli – qyteti i dytë më i madh në rajonin e Donjeckut – është rrethuar nga forcat separatiste, betejat në rrugë janë tërbuar.

Ushtria ukrainase është dëbuar dhe pas kësaj, ka treguar Tamara, granatimet në zonën e saj të banimit janë qetësuar.

Megjithatë, zona ka mbetur pa energji elektrike, pa ndonjë shërbim celular dhe pa internet. Nuk ka pasur asnjë kontakt me botën e jashtme, përveç lajmeve që janë marrë nga pushtuesit. Janë dashur 40 minuta për të arritur te një pus, ku banorët kanë mundur të marrin ujë të freskët. Tamara dhe familja e saj kanë gatuar mbi një zjarr të ndezur në oborr.

Nga ajo që Tamara ka parë, disiplina midis forcave separatiste ka qenë e ulët, ushtarët kanë ecur të dehur nëpër rrugë, duke u kërkuar banorëve t’u siguronin alkool, në këmbim të ushqimit.

Tamara ka treguar se, në një rast, një luftëtar separatist e ka pyetur atë me ton kërcënues nëse ai dhe shokët e tij mund ta vizitojnë atë dhe vajzën e saj.

“Kemi shkuar për drurë zjarri dhe njëri nga separatistët na ka pyetur: A jetoni këtu? Dhe ne i kemi thënë: Po”, ka rrëfyer Tamara. Ushtari më pas ka kërkuar ftesë për në shtëpinë e tyre.

Kur ajo ka refuzuar kërkesën, ushtari i ka kujtuar pozitën e pafavorshme në të cilën janë gjendur ajo dhe vajza e saj.

“A e dini se unë, thjesht, mund të vij te ju?”, i ka thënë ushtari.

Tamara ka qenë e prerë në përgjigje: “E kuptoj. Ju keni armë dhe ne nuk kemi”.

“Pra, nëse vini me armë, çfarë mund të bëj unë?”, ka thënë ajo.

Për fat të mirë, ka treguar Tamara, në shtëpinë e tyre nuk ka shkuar askush. Por, në mes të prillit, ajo dhe vajza e saj kanë vendosur të largohen, përpara se të rikthehej interneti, nga frika se do të mund të identifikohet si ish-punonjëse e qeverisë.

Procesi i “filtrimit”

Por, për të dalë nga situata, atyre u është dashur të kalojnë “filtrimin” në njërin nga dhjetëra kampet e filtrimit që janë ngritur në qytet.

Rusia i ka justifikuar ato kampe si një formë për t’i hequr qafe ekstremistët dhe kriminelët, por vëzhguesit e të drejtave të njeriut i kanë përshkruar si kampe të paligjshme internimi, që përdoren shpesh për të mbajtur anëtarë të ushtrisë ukrainase ose luftëtarë të tjerë të mundshëm, si dhe civilë të pafajshëm.

Stanislav Miroshnychenko, gazetar dhe aktivist i Iniciativës Mediatike të Ukrainës për të Drejtat e Njeriut, thotë se kampe të tilla nuk lejohen me Konventat e Gjenevës, me të cilat janë vendosur standardet ndërkombëtare për trajtimin humanitar gjatë luftës.

“Nuk mund të internoni miliona njerëz”, thotë Miroshnychenko, duke shtuar se ata që nuk e kanë certifikatën që tregon se e kanë kaluar “filtrimin”, rrezikojnë të ndalohen në rrugë.

Miroshnychenko thotë se përveç ushtarëve ukrainas, në kampe dërgohen edhe aktivistë publikë dhe përfaqësues të agjencive qeveritare dhe të qeverive lokale.

“Shumë shpesh”, njerëzit me tatuazhe të caktuara – për shembull, stemën e Ukrainës – nuk e kalojnë “filtrimin”, sepse rusët i konsiderojnë simbolet ukrainase si “simbole naziste”, thotë Miroshnychenko.

Pasi njerëzit të internohen, shton ai, është e pamundur të gjurmosh se çfarë ndodh me ta.

Por, disa që kanë jetuar nën pushtimin rus, mund ta dinë.

Maria Vdovychenko, një muzikante 17-vjeçare, e cila ka arritur të largohet nga Mariupoli, ka treguar për Current Time, në fund të prillit, një bisedë midis dy ushtarëve, të cilën e ka dëgjuar derisa ka qenë duke u filtruar në një pikë të kontrollit kufitar.

“Çfarë keni bërë me njerëzit që nuk e kanë kaluar filtrimin?”, ka pyetur një ushtar, sipas saj.

“Kam qëlluar 10 dhe kam ndaluar së numëruari – nuk jam interesuar”, është përgjigjur tjetri, sipas Vdovychenkos.

Ajo e ka përshkruar në detaje procedurën që është dashur ta kalojë në një pikë kontrolli jashtë Mariupolit.

“Ata kanë mbledhur dokumente, i kanë skanuar, kanë marrë shenjat e gishtërinjve dhe, në të njëjtën kohë, më kanë kontrolluar celularin. Kanë qenë pesë ushtarë me armë në dhomë dhe unë kam qenë vetëm”, ka treguar Vdovychenko, duke e përshkruar situatën si “shumë të frikshme”.

“A nuk ju pëlqen ajo? Do të ketë më shumë gra më vonë. Do të gjejmë diçka”, ka kujtuar Vdovychenko fjalët e një ushtari.

Më vonë, asaj i është thënë të shkojë në Berdiansk, një qytet port në jugperëndim të Mariupolit, i cili është kapur nga forcat ruse.

Vdovychenko nuk është lejuar të kthehej në shtëpinë e babait të saj pasi ka kaluar procesin, por babai i ka treguar asaj përvojat e tij, pasi janë ribashkuar në Berdiansk.

“Pyetjet kanë qenë më të këqijat – dhe jo vetëm për qeverinë, por për Ukrainën dhe gjithë situatën: Çfarë po bënte dhe çfarë po planifikonte të bënte më pas? Po t’ju presim veshin?”, ka rrëfyer Vdovychenko.

“Kur kanë kuptuar se nuk ka pasur gjë për të kontrolluar në telefonin e tij dhe se nuk ka pasur as edhe një kartë SIM, ata kanë filluar të pyesin se kush është… Nuk iu ka pëlqyer ajo që ka thënë babai im. Ata kanë filluar ta shtyjnë, e kanë goditur në kokë me diçka të rëndë. Se çfarë ka ndodhur më pas, babi nuk e mban mend. Ka dalë në rrugë”, ka thënë Vdovychenko.

Paratë si zgjidhje

Ukrainas të tjerë kanë zbuluar se ryshfetet mund ta përmirësojnë fatin e tyre gjatë procesit të “filtrimit”, si dhe shanset për të shkuar në territor të kontrolluar nga ukrainasit ose në Rusi, nga ku më pas mund të përpiqen të udhëtojnë në vendet mike në Baltik ose në Kaukazin e Jugut.

“Kemi qenë 10 veta dhe kemi paguar 5,000 hrivnia [aktualisht rreth 170 dollarë]”, ka treguar Tamara, duke shtuar se është kërcënuar gjatë kohës sa ka qenë në një “kamp filtrimi” në Mariupol.

“Njerëzit atje mund të jetonin për dy ose tri javë në një fushë, përpara se të merreshin në pyetje. Personi me të cilin ne kemi rënë dakord, na i ka marrë paratë dhe pasaportat dhe jemi lënë duke pritur”, ka kujtuar Tamara.

Përfundimisht, ajo është fotografuar dhe është pyetur se si është? “Pas jetesës në bodrum, mund të thuash se gjërat janë më mirë”, është përgjigjur Tamara.

Roja, po ashtu, e ka pyetur nëse ka frikë nga situata aktuale dhe ajo ka thënë: “Jo, nuk kam frikë, sepse kur kam qenë në bodrum, më ka rënë dheu sipër. I kam thënë lamtumirë jetës sime disa herë”.

Për habinë e saj, emri i saj është futur më pas në një databazë të thjeshtë kompjuterike dhe ajo është certifikuar si e filtruar.

Tamara ka treguar se radhët e gjata janë të zakonshme në vendet e “filtrimit”, ku njerëzit vijnë si në këmbë, ashtu edhe me makinë. Zakonisht, atyre që udhëtojnë me makinë, u duhet një javë për të marrë lejen, ndërsa ata që janë në këmbë, mund të presin deri në një muaj.

Ajo ka thënë se ka dëgjuar për një burrë që ka udhëtuar me makinë drejt Manhushit – një qytet në perëndim të Mariupolit – ku, sipas saj, rreth 6,500 njerëz kanë qenë duke pritur për procesin e “filtrimit”, por vetëm shtatë persona në ditë janë lejuar të largohen.

“Ai ka paguar 2,500 hrivnia [85 dollarë] dhe ka kaluar filtrimin pas dhjetë ditësh”, ka treguar Tamara.

Çaj ose kafe – ose vodkë?

Kostyantyn Ryzhenko, gazetar nga rajoni jugor i Hersonit, thotë për Current Time se forcat pushtuese ruse atje përpiqen të nxjerrin çdo gjë që munden nga ukrainasit në lëvizje.

Ai thotë se vullnetarët humanitarë, që ai ka njohur, zakonisht kanë marrë cigare ose disa shishe me vodkë me vete, bashkë me çaj e sheqer, sepse e kanë ditur se mund të bllokohen në postblloqe për gjysmë dite, nëse nuk kanë diçka për të ofruar.

Nadia, banore e Melitopolit – qytet në rajonin Zaporizhja – ka thënë se skemat e ryshfetit kanë qenë në fuqi shumë kohë përpara se forcat ruse dhe separatiste të krijonin rrjetin e tyre të “kampeve të filtrimit”.

Ajo ka thënë se ka kaluar 24 postblloqe gjatë rrugës për në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

“Secilën herë, rusët i kanë kontrolluar me kujdes sendet tona. Në katër postblloqe, ata na i kanë kontrolluar telefonat celularë”, ka treguar Nadia.

“Në një rast më kanë pyetur nëse kam kafe apo diçka të ëmbël me vete. Pasagjerët e tjerë në makinën me të cilën kam udhëtuar, janë pyetur për alkool dhe cigare”, ka thënë ajo.

Sipas saj, njërit shofer i janë marrë atletet dhe telefoni.

Vasyli, i cili ka folur për Current Time duke përdorur një pseudonim, nga frika për familjarët që mbeten ende nën okupim, është larguar nga rajoni jugor i Hersonit, pasi ushtria ruse ka marrë kontrollin e tij në fillim të majit.

Për ata që kanë dashur të lëvizin brenda territorit të kontrolluar nga forcat ruse, situata në pikat e kontrollit ka qenë mjaft “normale”, ka thënë Vasyli. Por, për ata që kanë dashur të udhëtojnë në territorin e kontrolluar nga Ukraina, rrëfimi është tjetër, ka thënë ai.

“Njerëzit janë keqtrajtuar shpesh. Rojet u kanë thënë: Tani do t’ju prangosim… e kështu me radhë”, ka treguar Vasyli, duke folur për disa përvoja të dëgjuara gjatë rrugës për në rajonin Mikollaiv. Në këtë rrugë, ai ka thënë se kanë qenë së paku 40 pika kontrolli.

Ai ka dëgjuar se njerëzit kanë mundur të kthehen nga cilido prej 40 postblloqeve.

Për të shmangur një fat të tillë, shumë u kanë dhënë ryshfet rojeve, ka thënë Vasyli.

“Njëri ka dhënë 100 dollarë, tjetri 500 dollarë”, ka thënë Vasyli, ndërsa disa të tjerë, sipas tij, kanë paguar me cigare.

Vetë Vasyli ka thënë se ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ai ka udhëtuar nga fshati i tij për në Herson. Prej aty ka shkuar në Gadishullin e Krimesë, i cili është nën kontrollin rus qëkurse është pushtuar dhe aneksuar nga Moska, në vitin 2014. Më pas, ai ka shkuar në Rusi dhe prej aty në Gjeorgji./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura