Më pak pushues në Lezhë, qytetarët ‘shtrëngojnë’ xhepat! Operatorët turistikë: Situata më e rëndë në shtatë vitet e fundit

Aug 10, 2022 | 11:35
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Gjysma e parë e muajit gusht që përkon dhe me nisjen e pikut të sezonit turistik, nuk e gjeti më shumë se 50% të kapacitetit një hotel në zonën e Kunës në Shëngjin.

shengjin

Kjo është hera e parë pas 5 vitesh, që ky resort në vijën e parë të plazhin ka të akomoduar kaq pak pushues. Administratori i këtij biznesi e lidh këtë situatë me krizën që ka prekur shumë familje, si shkak i rritjes së kostos së jetesës.

“Kemi hyrë në pikun e sezonit turistik dhe aktualisht që flasim po punojmë më pak se 50% të kapacitet. Në krahasim me një vit më parë kemi më pak klientë dhe kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë të paktën në 7 vitet e fundit. Arsyeje mund të jetë edhe rritja e çmimeve por ato janë brenda kostove. Në Shëngjin çmimet janë rritur me 20 për qind, sepse me 20-30 për qind janë rritur edhe kostot. Kemi shtuar mëngjesin 3 euro, ndërsa çmimet e dhomave janë njësoj me vitin e kaluar. Nëse rritet kostoja e perimeve në treg, energjia, vaji, etj. normal që rriten dhe çmimet në restorant. Unë mendoj se kriza që prekur shumë familje, po ndikon sepse përballë rritjes së kostos së jetesës nuk kanë mundësi që të bëjnë pushime”, thotë Zef Shjefni.

Situatë të ngjashme prezanton dhe Besnik Sula, i cili ka një hotel në vijën e parë në qendër të plazhit të Shëngjinit.

“Fillimi ishte shumë i mirë, mendonim se pas bajramit do të ketë fluks të madh, por nuk e di. Ka ndikuar kriza ndoshta. Aktualisht po punojmë me kapacitet 50% e vitit të kaluar. Çmimet në Shëngjin janë më të mira se kudo, sepse pavarësisht rritjes së kostos jemi munduar që të mos lëvizim”, thotë ai.

SYTË NGA EMIGRANTËT

shengjin 2

Në këto kushte operatoret turistikë i kanë kthyer sytë tek kthimi i emigrantëve gjatë muajit gusht, çka mund të popullojnë dhe bregdetin.

“Shpresat i kemi që të lëvize diçka gjatë muajit gusht sepse kthehen dhe emigrantet dhe mund të popullojnë bregdetin. Por mendoj se deri tani situata nuk është aspak pozitive”, thotë Besnik Sula.

Teksa sezoni turistik ka hyre në pikun e tij, krahasuar me vitet e shkuara numri i pushuesve në bregdetin e Shëngjinit është mjaft i ulët, çka e dëshmojnë dhe çadrat dhe shezlonget e mbyllura. Pushuesit thonë se çmimet janë rritur, duke sjellë reduktim të ditëve të pushimit në plazh.

“Do qëndroj një javë! Puna e çmimeve është arsyeja kryesore sepse janë rritur gati 50%, duke e krahasuar me një vit më parë. Çadrat me 700 lek, ndërsa dhoma 50 euro/nata. Gjithashtu çmimet në restorante janë të kripura. Me pak fjalë është rritur e gjithë kosto e jetesës, duke na vënë shumë në vështirësi. Në këto kushte nuk është mundësia të bëjmë shumë pushime sepse kriza sa po vjen dhe thellohet”, thotë Bajrami një pushues nga Kosova.

Ndërsa një qytetar nga Tirana tregon se paguan 50 euro/nata për dhomën e hotelit, ndërsa çadra kushton 1000 lek.

“Unë vij nga Tirana dhe çmimet janë shumë shtrenjtë. Një dhomë kushton 50 euro nata dhe çadra 10 mije lek. Për ne që jemi pensionistë është tej mase shtrenjtë dhe e papërballueshme. Vitet e shkuara kam bërë 15 ditë pushime, por këtë vit do qëndroj vetëm 8 ditë, sepse skam mundësi ekonomike për më shumë. Me pak fjalë nuk e përballojmë dot sepse çdo gjë është rritur”, thotë një pushues nga Tirana.

ABUZIMI NË VIJIMËSI

Ndërsa Eksperti i Turizmit Leornard Seferi thotë se shërbimet lënë shumë për të dëshiruar dhe abuzohet tej mase me çmimet.

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik me një vijë bregdetare mjaft mbresëlënëse. Por, është punuar dhe menaxhuar shumë keq, duke abuzuar dhe mos ofruar shërbime siç duhet. Ka problematika të theksuara turizmi, duke nisur nga mungesa e sigurisë në plazhe, infrastrukturës etj. Çmimet normalisht se janë rritur në të gjithë botën, por këtu është abuzuar në vazhdimësi, ndaj dhe turistët largohen duke kërkuar destinacione të reja turistike. Mendoj që duhet një qasje ndryshe ndaj turizmit si në promovim ashtu dhe në shërbim dhe investime që të tërheqin vizitorë nga e gjitha bota”, thotë Seferi.

Rajoni i Lezhës ofron turizëm gjithëvjetor dhe referuar të dhënave zyrtare të raportuara, numri i vizitoreve përgjatë 1 viti shkon në rreth 1 milion, ndërsa numrin me të lartë të pushuesve të bregdetin e Lezhës e zënë shqiptarët e Kosovës me mbi 60%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura