“Më nxori gjuhën”- Goditi gruan 23 herë më thikë, dënohet me burgim të përjetshëm 50-vjeçari! Rrëfimi tronditës i djalit: E kërcënonte

Sep 21, 2022 | 14:14
SHPËRNDAJE

Gjykata ka shpallur fajtor 50-vjeçarin, i cili masakroi me thikë gruan e tij në nëntor të vitit 2021, brenda shtëpisë së tyre në Poliçni të Selanikut.

greqi

Ai dënua për vrasje me paramendim, pasi goditi 23 herë me thikë të ndjerën. I pandehuri nuk u paraqit në seancën gjyqësore dhe vendimi u dha në mungesë të tij. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje dhe 3 vite të tjera për armëmbajtje pa leje.

Vrasja brutale e ndodhur në nëntor të vitit 2021, në zonën e Poliçnit në Selanik, tronditi Greqinë pasi trupi i pajetë i Tamarës u gjet në dhomën e gjumit të shtëpisë së saj.

Ajo ishte goditur 23 herë më thikë nga bashkëshorti i saj me origjinë nga Armenia.

Pasi vrau gruan e tij, lau gjakun nga duart dhe shkoi në komisariat. Ai i tha me ftohtësi policisë se kishte vrarë bashkëshorten në banesën e tyre në rrugën Pontou dhe u dha atyre adresën për ta gjetur atë.

Më pas, pretendoi se vuante nga probleme psikiatrike , ndërsa sot nuk mori pjesë në gjykatë dhe u gjykua në mungesë.

Dëshmia e djalit: E vrau se “i nxori gjuhën”

Djali i 48-vjeçares ka dëshmuar mëngjesin e sotëm në gjykatë. Ai e përshkroi të atin si “një burrë të dhunshëm, i cili kishte probleme psikologjik”.

Familja po përballej me probleme financiare dhe mes çiftit ka pasur debate e sherre.

50-vjeçari, siç ka dëshmuar djali i tij, e ka dhunuar shpesh bashkëshorten.

“Mami im kishte frikë të divorchej. Ai i kishte thënë asaj se ‘nëse t’i largohesh do të të gjej dhe nëse nuk të gjej, njerëzit e tu do të të lëndohen’. Babai im ishte një burrë shumë i dhunshëm. Ne ndjemë se ishim në rrezik. Por nuk e kisha imagjinuar se do të përfundonte kështu”, ka thënë djali i çiftit.

Ndërsa shtoi: “Babai im është me origjinë nga Armenia, ai u rrit atje. Ai bënte punë natën, ishte një njeri që vidhte, futej në telashe, ai bëri burg në Armeni.”

Djali tregoi se e ëma çdo ditë zgjohej në 7 të mëngjesit për të shkuar në punë dhe kthehej në shtëpi në 5 pasdite.

“Sapo vinte në shtëpi gatuante, pastronte dhe kujdesej që gjithçka të ishte në rregull dhe financat e shtëpisë. Nuk e mbaj mend që të ketë dalë qoftë edhe njëherë për shëtitje. Babai im nuk donte që ne të kishim komunikim me njerëzit e tjerë, as me të afërm. Gjyshen time e nxori jashtë nga banesa. Vëllai i tij është si ai, ndoshta edhe më keq. Ai jeton në Armeni”, dëshmoi djali.

Siç, deklaroi ai, dy javë para vrasjes brutale, kishte pasur tension në shtëpi mes çiftit dhe kjo nuk ishte hera e parë.

Duke folur për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga i ati, djali tha se në moshën 15-vjeçare i ka dalë përpara për të mbrojtur nënën e tij, të cilën i ati po e godiste me shqelma dhe grushte.

“Më pas më kapi nga qafa dhe më hodhi në shtrat, duke thyer këmbët e krevatit”, tregoi ai.

Ditën e krimit, djali tha: “Armenët kanë thika dhe ai ma tregoi si diçka tradicionale. Vura re se ishte shumë e mprehtë.”

Djali zbuloi se i ati i kishte vrarë nënën kur shkoi në punë.

Që atëherë, ai tregoi, se e ka takuar një herë të atin dhe kur e ka pyetur pse e bëri këtë, ai u përgjigj “sepse ma nxori gjuhën “.

Në një pjesë tjetër të dëshmisë së tij, ai tha se i ati besonte se nëna e tij ishte pronë e tij.

Dëshmia e policit

Në seancë dëshmoi edhe polici që shkoi në banesën e çiftit dhe gjeti gruan të masakruar.

Policia deklaroi se në orën 21:30, pasi 50-vjeçari shkoi në Komisariatin e Aristotelous dhe rrëfeu se kishte vrarë gruan e tij, kishin shkuar në banesë.

Sapo arritën në katin e parë, i ranë ziles, por iu përgjigj njeri. Për shkak të situatës emergjente, efektivët e policisë kanë thyer derën për të hyrë në ambientet e brendshme.

“Gruaja ndodhej në dhomën e gjumit, në një pellg gjaku, pa puls. Në dhomën e ndenjes, në divan, ishte një thikë gjuetie. Fqinjët që pyetëm na thanë se nuk dëgjuan sherr, vendi ishte i rregullt dhe kishte dritë në dhomat e banesës”, dëshmoi policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura