Me një tufë mimozash betoni

Sep 22, 2019 | 12:43
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja 

EDMOND TUPJA
EDMOND TUPJA

Mimoza që njohim në ven din tonë, i përket një lloji, mes rreth 400 të tjerëve, që lulëzon në të dalë të dimrit, ajo është, pra, nga të parat pemë që lajmërojnë ardhjen e pranverës. Përmbipardje, tek kaloja në sheshin e vogël diku prapa Ministrisë së Arsimit, pikërisht atje ku rruga “Kont Urani” kryqëzohet me rrugën “Mihal Duri”, vura re se sapo ishin mbjellë disa fidanë mimozash me pamje të brishtë e si të ndrojtura, mes një hapësire të dënuar e të damkosur me beton, aq më tepër që i kishin rrethuar – si për t’ua marrë frymën – me ndenjëse betoni të trasha e trashanike (oh, kulmi i shëmtirës!) që të kujtonin bazamentin e bunkerëve të dikurshëm, mbi të cilin mbështetej kupola e tyre.

Sigurisht, ky betonim agresiv e deprimues, skajshmërisht i neveritshëm, edhe i hapësirave të vogla ku ka vend për një gjelbërim, qoftë modest me bar e lule, bën pjesë në strategjinë e Kryeministrit Rama për betonimit e përgjithshëm e të pamëshirshëm jo vetëm të mbarë Tiranës e të disa qyteteve të rëndësishme, por edhe të krejt natyrës shqiptare, çka e dëshmon më së miri, ndër të tjera, ndërtimi çmendurak e absurd i hidrocentraleve anembanë vendit tonë.

Por le të kthehemi te sheshi në fjalë. Siç më thanë disa të moshuar të asaj mëhalle, në atë shesh ishin xhiruar dikur pjesë të filmit “Debatikasit”, të filmit “Radiostacioni” gjithashtu, dhe, për një kohë të gjatë, në rininë e tyre, atë shesh, pavarësisht emrit që kishte zyrtarisht, ata e kishin quajtur “sheshi i Colit”, pra, me emrin e njërit prej fëmijëve personazhe të filmit “Debatikasit”, vrasja e të cilit nga fashistët ishte xhiruar pikërisht në atje. Më tej, nga goja e tyre dhe nga një tabelë përballë nesh, mësova se deri tani ai shesh mban emrin “Bukureshti”, por që së shpejti, të paktën sipas disa klientëve të përhershëm të lokaleve aty rrotull, do të quhet “Sheshi i Mimozave” (Në qoftë kështu, shpresoj që kryebashkiaku Veliaj do të dijë të manovrojë diplomatikisht në mënyrë që Ambasada e Rumanisë në Tiranë të mos ndihet e zhgënjyer nga ky ndryshim emrash). “Sheshi i Mimozave”!

Oh, sa emër i bukur, por sa shesh mjeran! Të shkretat mimoza do të ndihen si të huaja atje, të shpërngulura nga mjedisi i tyre natyror në betonin asfiksues të kryeqytetit! Të paktën të ishin lidhur me njëra-tjetrën përmes udhëzash me bar e lule!

Por ndoshta, për t’i qetësuar sadopak e për t’ua lehtësuar ankthin, Bashkia e Tiranës, nën udhëheqjen e shkëlqyer deri në verbim e në velje të kryetarit Veliaj, do të mendojë t’ua largojë ligështimin me ndonjë substancë kimike qetësuese të hedhur fshehtas në ujin, me të cilin do të vaditen ose, pse jo, t’u mbjellë aty pranë ndonjë bimë me efekte relaksuese si, për shembull, cannabis sativa, por të një lloji të prodhuar vetëm për pemët e tipit mimoza dhe aspak për njerëzit, përdorimi mirëbërës dhe krejt i pafajshëm i së cilës, ndryshe nga çka po ndodh me ish-ministrin i Brendshëm, Tahiri, nuk do të ketë, të paktën teorikisht, asnjë pasojë për kryebashkiakun e Tiranës, të cilin nuk e zë gjumi natën ngaqë mendjen e ka vetëm te shëndeti i drurëve dhe i shkurreve dekorative që i ka sjellë nga malet dhe kodrat për t’u emancipuar në betonin vrazhdësisht triumfues të kryeqytetit tonë.

Madje, sipas disa zërave zyrtarë, të cilët parapëlqejnë të ruajnë anonimatin, Bashkia e Tiranës është lidhur me disa universitete bujqësore nga më të famshmet e rruzullit tokësor, duke u kërkuar atyre të bëjnë kërkime serioze – sigurisht kundrejt pagese falë bujarisë së taksapaguesve shqiptarë – për të krijuar drurë e shkurre dekorative që të mbillen drejtpërdrejt në beton, të zënë rrënjë atje pa më të voglin problem dhe të kenë nevojë për vaditje vetëm me djersë një herë në ditë (rroftë ngrohja galopante e planetit Tokë!); në këtë mënyrë, mund të mendohet që kryebashkiaku Veliaj është i bindur një mijë për qind, se gjithë hapësirat e betonuara në Tiranë do të gjelbërohen detyrimisht me një sukses ekologjik të paparë, madje se edhe kullat marramendëse njëzetkatëshe e lart do t’u ofrojnë banorëve kryeqytetas një rrezatim të gjelbër psikologjikisht të shëndetshëm e për t’u pasur zili, ndër të tjera, edhe nga Kulla Eiffel në Paris e nga Empire State Building-u në Manhattan të Nju Jorkut.

Si përfundim, në u realizoftë ky projekt i kryebashkiakut Veliaj, unë do të nxitoj t’i vete në zyrë me një tufë mimozash betoni për t’i kërkuar me këmbëngulje që, pasi të kem vdekur, t’i lejojë pasardhësit e mi të ma djegin trupin vetëm e vetëm që të mos varrosem në betonin e tij tmerrësisht çnjerëzor.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura