“Më ngacmonte biznesmeni 82-vjeçar, ia tregova edhe djalit”

Nov 25, 2015 | 13:37
SHPËRNDAJE

Roza Krasniqi, nëna e 37-vjeçarit të arrestuar për vrasjen Novruz Likometaj, pranon ngacmimet në rrugë nga ana e të moshuarit, por, sipas saj, i biri nuk do ta kryente kurrë këtë krim të rëndë.

Nëna e të arrestuarit, 71-vjeçarja, Roza Krasniqi
Nëna e të arrestuarit, 71-vjeçarja, Roza Krasniqi

Familja e 71-vjeçares jeton në varfëri dhe, sipas saj, të vetmet të ardhura ishin nga shitja e bananeve në rrugë, ajo në një cep të lagjes dhe i biri, Skënderi, në një cep tjetër. E moshuara bën apel për lirimin e të birit, pasi, sipas saj, ai nuk është autor i masakrimit të të moshuarit.

E moshuara e ve shprehet se një herë e kishte vënë në dijeni djalin se 82-vjeçari e ngacmonte kur kalonte në rrugë, por, sipas saj, i biri nuk e kishte takuar asnjëherë atë për t’i kërkuar llogari për veprimet e tij.

Zonja Roza, djali juaj është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e 82-vjeçarit, Novruz Likometaj. Kur erdhi policia në banesë?

Erdhën dhe e morën mbrëmë (e hënë) në shtëpi. Nuk e dimë si e qysh, por e morën dhe s’na dhanë asnjë sqarim në atë moment. I thanë se do ta merrnin në pyetje dhe kaq. Ne na ka rënë arrestimi si bombë. Tani kur të merr shteti, shtetit duhet t’i përgjigjesh. Ne nuk jemi kundër ligjit, por u arrestua pa ditur se për çfarë.

Policia ka dyshime se autori është djali juaj, Skënderi dhe se shkak i masakrimit të të moshuarit ka qenë, pasi ai ju kishte ngacmuar ju… A keni pasur ju ngacmime nga 82- vjeçari?

Unë jam e bindur që djali im nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Nuk është Skënderi nga ata djem që bën gjëra, të cilat janë kundër ligjit. Ne jemi në punën tonë, në hallin tonë. Asnjëherë djali nuk më ka folur për këtë rast që ju thoni. Asnjëherë ai burrë (Novruz Likometaj), nuk është diskutuar nga ne.

Po ju, a keni pasur ngacmime prej tij?

Para disa kohësh, ky i moshuar më kishte hedhur disa llafe në rrugë, aty ku unë rrija e shisja banane. Por unë e di që djali nuk do të merrej kurrë me këtë punë. Ishte muhabet kot, pa ndonjë rëndësi.

Po çfarë ju thoshte kur ju ngacmonte dhe kur ka ndodhur kjo?

Po nuk e di… disa kohë më parë. Më ngacmonte me fjalë rrugës kur kalonte. Unë një ditë i thashë djalit “ore, thuaj atij të mos më hedhë llafe rrugës, se jam plakë e më vjen turp”. Djali nuk reagoi dhe as e mori seriozisht diçka të tillë, se ne jemi edhe të moshuar. Kjo mbeti si fjalë për të mbushur kohën. Më shumë në kuadrin e muhabeteve familjare për të mbushur kohën, sesa për të akuzuar atë (Novruzin), apo për të kërkuar të bëhet kaq e madhe.

Ju jeni në dijeni nëse djali e ka takuar të moshuarin, pasi ju i kërkuat atij t’i thoshte “të të linte rehat”?

Jo, jo. Unë nuk kam dijeni ta ketë takuar. Nuk kishte arsye pse ta takonte. Unë thashë që ky ishte muhabet pa zarar. Ai mua më ngacmoi me fjalë që nuk ishin të turpshme. Thjesht hidhte llafe si pa lidhje. Më shumë si shaka pa vlerë nga ana e tij që mua nuk më pëlqenin, pasi thashë se jam e moshuar dhe nuk doja të më dilnin llafe. Siç duket, ky muhabeti se ai më ngacmonte mua është përhapur aty përreth ku unë shisja, dhe ata të policisë, pasi kanë marrë këtë informacion nga banorët, kanë akuzuar djalin kot.

Po ju pse jeni kaq e bindur se djali nuk e ka takuar dhe situata mund t’i ketë dalë jashtë kontrollit?

Jam shumë e bindur, sepse e di që kam djalë të urtë, që nuk merret me këto gjëra. Unë që ia thashë se ai më ngacmonte, ia thashë si për të shtyrë kohën, jo për të marrë hak. Çfarë është kjo punë tani? Këtu thashethemet e ditës bëhen objekt hetimi. Nuk e kuptoj këtë shtet! Policia të nxjerrë shenjat te trupi e të hetojë çështjen, jo të ma arrestojë djalin pa bërë faj. Jemi shumë të shqetësuar për këtë që na ndodhi. Nuk dimë si ta kërkojmë të drejtën tonë. Ne nuk kemi asnjë problem me atë plakun. Nuk na ishte bërë shqetësim, që ta vrisnim. Nuk kisha pse të fusja djalin në bela. Duhet drejtë- si për këtë rast.

Cili është apeli juaj?

Kërkoj nga shteti të më lërë të lirë djalin se nuk ka gisht në vrasjen e të moshuarit. Nuk kemi ne lidhje fare me këtë rast. Policia të hetojë ndonjë konflikt tjetër, se me ne nuk ka lidhje kjo vrasje. Ne, siç e shikoni, mezi sa jetojmë. Nuk ua kemi ngenë sherreve dhe vrasjeve. Nuk di pse na gjejnë pa krahë dhe duhet të futemi në burg? Unë i kërkoj drejtësisë të marrë masa se djali po më rri në burg kot.

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura