“Më ndihmoni ju lutem”, thirrjet e dëshpëruara të djalit që vrau të atin e plagosi nënën

Jul 26, 2017 | 22:13
SHPËRNDAJE

Autori i krimit në familje, Mirald Metallari, është shprehur i penduar në Polici, duke thënë se nuk donte ta vriste babanë. Por duket se pendesa e tij është vënë re edhe menjëherë pas ngjarjes, nga fqinjët e tij.

shtepia

Ata shprehen se pasi kanë dëgjuar krismat në oborrin e shtëpisë së Miftar Metallarit, kanë parë Miraldin që kishte dalë në rrugë dhe kërkonte ndihmë.

“Më ndihmoni ju lutem. Lajmëroni një ambulancë…”, thërriste ai pas krimit. Kështu treguan dje fqinjët e familjes Metallari, të cilët po përgatiteshin për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mikut të tyre, efektivit të Policisë që mbeti i vrarë të hënën nga i biri.

“Është një fatkeqësi kjo që ka ndodhur. Janë një familje shumë e mirë. Miftari ishte një njeri që e respektonim të gjithë dhe që sillej mirë me të gjithë. Ishte një polic i ndershëm dhe që nuk i kishte rënë në qafë askujt. Por edhe i biri ishte shumë i urtë. Nuk arrijmë as sot ta besojmë atë që bëri”, shprehen fqinjët e familjes Metallari në Bathore të Tiranës.

Sipas tyre, Miraldi ishte një djalë i qetë, që nuk kishte bërë debate e sherre asnjëherë më parë, me asnjë person, qoftë në familje, qoftë në lagjen ku banonte.

Megjithatë, sipas tyre, që pasi e kthyen nga Anglia sjellja e tij kishte ndryshuar. Nuk kishte shfaqur asnjëherë shenja agresiviteti, përkundrazi ishte mbyllur edhe më shumë në vetvete.

Të njëjtin fakt konfirmojnë edhe disa miq të 21-vjeçarit, që po ashtu tregojnë se ai ishte shumë i qetë dhe asnjëherë nuk përfshihej në sherre.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura