Me nder…!

May 29, 2016 | 12:28
SHPËRNDAJE
EDMOND TUPJA
EDMOND TUPJA

EDMOND TUPJA

Më rastis që, si mjaft kryeqytetas të tjerë, të shkoj në Pazar të Ri. Herën e fundit – para shumë muajsh –, kisha parë se në sheshin ku dikur ngrihej një merkato e madhe zarzavatesh, midis rrugës “Qemal Stafa” dhe sheshit “Avni Rustemi”, po bëheshin gërmime, kanalizime, betonime e punime të tjera, por para disa ditësh, tek po kaloja andej, shtanga ku më doli para syve një… bajloz i zi, a thua se ishte ringjallur pikërisht ai bajloz që Gjergj Elez Alia, ndonëse me shtatë a nëntë plagë në trup, e kishte vrarë në dyluftim siç e dëshmon eposi i kreshnikëve tanë.

Oh, edhe mund ta kisha krejt gabim, ndoshta ishte skeleti i nxirë nga koha i ndonjë dinozauri apo tjetër kafshe parahistorike. Pastaj e mblodha veten: Me siguri që gabohem, mendova pas disa minutash, duhet të jetë ndonjë vepër arti moderniste apo ndonjë variant fantazist i Kullës Eiffel dhe nxitova t’i kërkoja mendërisht ndjesë autorit të saj për gjykimin tim të nxituar, kur, papritmas, filli i mendimit m’u ndërpre sepse dikush më thirri: “Hej, prefesor, vrej ku ve komën, se ke për t’ra noi grop’ e ke për t’thy qafën!” Ishte një shitës çikërrimash që e njihja prej vitesh. E ftova për një kafe, por m’u përgjigj se nga kafja vinte, ku kishte shkuar jo për të pirë ndonjë gjë, por për të derdhur diçka, pra, për të urinuar, “…me ner teje”, përfundoi ai.

Nga goja e tij mësova jo pa habi se prej disa kohësh gjithë tregtarët e Pazarit të Ri, që nga rruga “Qemal Stafa” deri te sheshi “Avni Rustemi”, nuk kishin më ku ta bënin as të madhen e as të voglën, “me ner meje”, sepse kryetari i Bashkisë ua kishte prishur nevojtoret publike, “me ner atij”, dhe se firma e ndërtimit të bajlozit, dinozaurit apo veprës moderniste, pak rëndësi ka emërtimi i objektit në (ri)lindje e sipër, kishte vënë nevojtore për punonjësit e vet, çka ishte krejt normale, por nuk i lejonte të shkretët tregtarë të lehtësonin atje fshikëzën e urinës ose zorrën e trashë, me nder lexuesit e sidomos lexueses së këtyre radhëve.

Rrjedhimisht dhe për pasojë fort të pashmangshme, të gjorët tregtarë detyroheshin të futeshin lokaleve për të kryer nevojat vetjake, qofshin ato të lëngshme apo inerte. Por edhe kjo nuk ishte një zgjidhje përfundimtare, sepse të zotët e lokaleve nisnin e merrnin një pamje të bezdisur duke i parë, një herë, pesë herë, dhjetë herë në ditë, të mjerët tregtarë, këta jetimë nevojtoresh të munguara, t’u hynin brenda me një pamje të pikëlluar e t’i lusnin me ca vështrime të përvuajtura për një pikë mëshirë. Disa prej atyre e kishin ndarë më në fund mendjen: shkonin e pinin një kafe apo diçka tjetër vetëm e vetëm që të mos ndiheshin borxhlinj ndaj të zotëve të lokaleve kur të futeshin e të zbrazeshin, me ose pa zhurmë gazmore gazrash në arrati, përmes skapamentosh organike, brenda nevojtoreve stoike për të mos thënë heroike.

Por ajo që e mundonte më shumë mikun tim çikërrimtar ishte diçka tjetër: Meqenëse kishte dëgjuar para disa muajsh se kryetari i Bashkisë do të vendoste kudo në Tiranë nevojtore portative në mënyrë që kryeqyteti ynë të zinte vendin e parë për pastërti në kontinentin europian, kur të vinte më në fund dita e përurimit të nevojtoreve të ëndërruara me mall e dashuri edhe në Pazarin e Ri, ato do të ishin me pagesë apo pa pagesë? I thashë se nuk e dija, por që, në vendet e Bashkimit Europian, ku qeveria jonë e nderuar po lufton me të gjitha forcat e mjetet për ta integruar sa më shpejt vendin tonë, ka nevojtore edhe me pagesë, edhe pa pagesë, me sa di unë të paktën, përfundova.

Mirëpo vura re se përgjigjja ime nuk iu duk as mish, as peshk. Pasi heshti një grimë, ai më tha: “Se, vallahi, bilahi, me qen’ me pare, mo mir’ shkoj e i boj paret rrush e kumlla ene, m’at’ rast, i fus i derr shurre e i derr t’dhime n’hale t’lokalit, sesa t’i boj paret shurr’ e mut’ n’hale t’Bashkis’, me ner nesh!” Doja t’i thosha se po tregohej si shumë i ashpër me Bashkinë e Tiranës, por hoqa dorë: A nuk jetojmë në demokraci ku secili e secila kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre me gojë apo me shkrim, në gazeta, Face Book e të tjera rrjete sociale?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura