“Më mungon ky duel rivalësh”, ish-sulmuesi Fazliu: Partizani shkëlqen në derbi, i shoh kampionë këtë sezon

| 23:44
SHPËRNDAJE

Astrit Fazliu është një lojtarët e shumtë të Partizanit që ka shënuar në derbi në portën bardheblu. Në intervistën e dhënë për “Panorama” Sport” ish-sulmuesi i Partizanit që po shkëlqen në Kosovë me Dritën e Gjilanit, pohoi se të premten është radha që derbi i kryeqytetit shqiptar të vishet i kuq. Ndonëse skuadra nuk ka bërë merkato, nga pezullimi i FIFA-s, Fazliu pohoi se “demat” e kanë grupin për të dalë kampion edhe kështu siç janë. Mungesa e tifozëve në derbi është një faktor i rëndësishëm për 33-vjeçarin, i cili e pranon se u mungon shumë atmosfera që niste një javë para kur ndesheshin dy rivalët e kryeqytetit.

astrit fazliu

Astrit, si po ecën karriera juaj në Kosovë dhe a jeni i informuar për atë që ndodh në futbollin shqiptar, ku edhe keni luajtur më herët?

Karriera ime në Kosovë po ecën shumë mirë, pasi ka 3 vite rresht që shpallem kampion në fund të sezoneve. Ndaj, them se po më ecën mirë dhe shpresoj që të vazhdojë kështu. Sa i përket kampionatit shqiptar, sigurisht që i përcjell ndeshjet, në veçanti ata ku luan Partizani.

Me aq sa e keni ndjekur Partizanin dhe si ju duket këtë sezon, kur dihet se nuk ka pasur mundësi që të bëjë merkato?

Partizanin e kam ndjekur dhe më duket në rrugë të mbarë, por mendoj se ekipin e ka penalizuar shumë bllokimi i merkatos pas pezullimit nga FIFA. Mospasja mundësi për të afruar lojtar e penalizon.

Një ekipi pa merkato, çfarë mund t’i kërkohet, kur dihet se i janë larguar dy lider, Trashi dhe Telushi?

Normal, lojtarë si Trashi dhe Telushi është e vështirë t’i zëvendësosh kur e ke edhe merkaton e hapur, jo më në situatën ku u ndodh Partizani këtë verë. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se Partizani ka në përbërje lojtarë shumë cilësorë, ndaj objektivat duhet të jenë ata, për të cilët klubi lufton historikisht.

A e shikoni Partizanin këtë sezon për titull dhe nëse po, pse?

Sa i përket titullit mendoj se është ende herët që të flitet, pasi janë luajtur vetëm pesë javë kampionat, por them se Partizani ka kualitetin dhe përvojën që të shpallet kampion në fund të sezonit.

Luani me ekipin e Dritës dhe së fundmi fituat një derbi me përmbysje ndaj Gjilanit, ku edhe shënuat në fund. Të premten është radha e ish-skuadrës suaj, Partizani, që të luajë derbin e kryeqytetit. Si e shikoni këtë takim të radhës që luhet pa adrenalinën e tribunave të tifozëve?

Ndeshjet derbi gjithnjë mbeten të paparashikueshme dhe ata mbarojnë vetën në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit. Kjo u pa më së miri në derin e Gjilanit, ku Drita mori një fitore të merituar në minutat e fundit. Sa i përket derbit të kryeqytetit shqiptar, mund të them se do të jetë një ndeshje e mirë dhe shumë e luftuar, sepse derbi luhet për t’u fituar. Mungesa e spektatorëve në tribuna do të jetë një shije e keqe për derbin, sepse me tifozët është krejt ndryshe.

fazliu

Partizanit i ka ecur në derbi, por në sezonin e fundit u thye dominimi. A besoni se “demat” mund të kthehen te suksesi të premten?

Është e vërtetë që Partizanit i ka ecur shumë në derbet e sezoneve të fundit, me përjashtim të edicionit të fundit. Gjithsesi, unë mendoj se në ketë derbi Partizani do të rikthejë shkëlqimin dhe do ta fitojë atë.

A keni kontakte me ndonjë ish-shok skuadre te Partizani dhe sa ju mungon derbi i Tiranës?

Sigurisht që i ruaj kontaktet dhe ndonjëherë komunikoj me disa shokë që kanë mbetur te Partizani. Normal me mungon derbi i kryeqytetit shqiptar, sepse është një ndjenjë e veçantë. Derbi luhet si brenda fushës edhe jashtë saj me atmosferë nga tifozët një javë para ndeshjes.

Nëse do t’ju kërkohej që të visheshit sërish i kuq, do ta pranonit?

Po të më kërkohej që të vishem sërish i kuq, aty nuk e di se çfarë të them, sepse aktualisht jam fokusuar në Kosovë. Kam krijuar familjen, ndaj e kam paksa të vështirë të iki nga Kosova, por Partizani do të jetë gjithmonë në zemrën time.

Si ish-lojtar, keni ndonjë koment për Flamurtarin, që ka zbritur në Kategorinë e Parë?

Për Flamurtarin nuk di çfarë them, sepse atje ka vite që janë në situatë të keqe…

ILIR CARA

 

 

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.