“Më morën në qafë edhe disa nga shokët e mi”, ekspertiza që fundosi Fadil Paçramin: Shkruan letërsi borgjeze

Aug 10, 2018 | 11:11
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ

“Më kryqëzoi Enveri me Partinë, po më morën në qafë edhe disa nga shokët e mi, shkrimtarë e poetë”. Ajo çfarë pohonte para disa vitesh për gazetën “Panorama” Fadil Paçrami, njëri ndër protagonistët kryesorë të të ashtuquajturit “grupi armiqësor në kulturë”, në pamje të parë të kujtonte fatin e përbashkët të mjaft prej të dënuarve politikë, viktima të akuzuesve legalë, partiakë, hetues a gjyqtarë dhe njëherazi të një tabori denoncuesish të fshehtë, spiunë, bashkëpunëtorë të policisë sekrete dhe dëshmitarë të rremë.

Po brenga e tij ishte përtej këtij fakti të njohur, jo vetëm për mënyrën e procedimit, por kryesisht për statusin e veçantë të denoncuesve tinëzarë. “Nuk kishte në rastin tim,-shpjegonte në atë intervistë Paçrami,-nga ata lloj spiunësh që përgjonin te radha e qumështit kujt mund t’i rrëshqiste gjuha që të demonstronin devotshmërinë e tyre, por një soj tjetër përgjuesish, me kollare e zyra në Lidhjen e Shkrimtarëve, që sa morën vesh se më kishte rrëshqitur këmba lart në udhëheqje, nxituan të fusnin në skanerin e partishmërisë tërë krijimtarinë time”.

Fadil Paçrami
Fadil Paçrami

“Lënda e përftuar nga ky lloj hulumtimi,-kujtonte dramaturgu i njohur,-u bë shtylla kurrizore e aktakuzës që më kumtuan në hetuesi dhe gjykatë”. Ai pohonte me dhimbje, se ishte tronditur shumë kur i kishin kumtuar ekspertizën e ishkolegëve, por çuditërisht hezitonte të përmendte emrat e tyre. Arsyen e kësaj e lidhte me mungesën e dokumentacionit zyrtar që identifikonte ekspertizën e famshme dhe autorët e saj.

Prandaj, nuk rreshti duke trokitur në arkiva, por deri në çastet e fundit të jetës s’mundi ta gjente, prandaj dhe nuk i zuri kurrë në gojë emrat e tyre. Më në fund, gazeta “Panorama” ka siguruar dokumentin origjinal me ekspertizën e kolegëve të Paçramit dhe e publikon për herë të parë, duke i rezervuar komentet për lexuesit… 

Dokumenti

AKT Mbi veprimtarinë armiqësore, antiparti e antishtetërore të armikut Fadil Paçrami, në fushën e letërsisë e të arteve. Në bazë të vendimit të ekspertimit të hetuesisë e të Sigurimit të Shtetit, ne, Duro Musafai, kryeredaktor i gazetës “Drita”, Dalan Shapllo, shkrimtar, Foto Stamo (piktor), Llazar Siliqi, (poet), në lidhje me veprimtarinë armiqësore të shprehur në krijimtarinë letrare artistike nga armiku Fadil Paçrami, konkludojmë sa më poshtë: Fadil Paçrami, në dramat e tij, nisej nga propagandimi i ideve të tij antimarksiste dhe antikombëtare, duke shtrembëruar dhe falsifikuar realitetin.

Kjo gjë del në mënyrë shumë të qartë në pjesën “20 ditë” (1969), shtrembëruese e realitetit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në të, Fadil Paçrami, ndër të tjera, filozofon se cilët janë humanistë, ne apo nazistët. Por në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare as që shtrohej çështja se cili është humanist e cili barbar; duhej vrarë armiku apo jo. Fashistët kishin ardhur në vendin tonë si okupatorë, na kishin rrëmbyer lirinë dhe synonin të na shndërronin në skllevër.

Fashizmi e nazizmi kishin kryer aq krime barbare, sa që popujt që i kishin provuar në kurrizin e tyre këto krime, i kishin demaskuar prej kohësh me vulën e barbarëve më të mëdhenj të historisë. Edhe ato shtresa që qëndronin ende në pasivitet nuk dyshonin për egërsinë dhe barbarizmin e armiqve dhe për drejtësinë e luftës së ashpër çlirimtare. Përpara padrejtësive, përbuzjes dhe krimeve të kryera me shekuj në kurrizin e popullit shqiptar nga armiq të shumtë e të egër zaptues, shfrytëzues e mashtrues të ndryshëm, çdo ashpërsi e jona as që vihet në dyshim nga masat, të cilave duhet t’u drejtohen përherë veprat letrare.

Tabloja epike e 19 ditëve të betejave për çlirimin e Tiranës, bërë 20 ditë nga Fadil Paçrami, është varfëruar e shtrembëruar rëndë. 19 ditët e ndiejnë veten keq në atë kafene ku i ka futur autori. Dhe mbasi mbyllet perdja, përpara spektatorëve qëndrojnë në radhë të parë dy nazistë kryelartë, të dhënë jo sikur janë në ditët e fundit të ekzistencës së tyre, por në kulmin e fuqisë së tyre.

Kurse komunisti Agim është një personazh i zbehtë dhe pa botë të brendshme. Kurse banorët e qytetit, të marrë me zor për të hapur një kanal nga kafja te bunkeri nazist, s’bëjnë tjetër veç i binden komandës së nazistëve: “Çohu, ulu dhe barkas të gjithë!”. Qytetarët lihen në pasivitet dhe, në vend që të ngrenë barrikada, siç ka ndodhur në realitet, me vullnet të Fadil Paçramit hapin kanale për armikun ose më mirë varrin e tyre.

pacrami faksimile 1

2. Në pjesën “4 shkurti” (shkruar në 1972, por që nuk arriti të shfaqej e botohej), asnjë prej personazheve s’ka emër e mbiemër, s’ka kurrfarë individualiteti dhe individualizmi gjuhësor, gjë që shpie në deheroizëm revizionist. Në të, heronjtë nuk janë aspak “komunisti”, “partizania”, “partizani” “njëri nga njësiti gueril”, (kështu emërohen personazhet pozitive që zënë një vend krejt të vogël në këtë pjesë).

Hero në “4 shkurt” është “kuislingu i parë”, të cilit i bëhet gjyqi, porse në gjyq qëndron plot dinjitet, mbron “pikëpamjet” e veta dhe deklaron shërbëtori tradhtar i nazistëve se “njeh vetëm një gjyq, atë përpara historisë”. “Ju,-e sulmon kuislingu gjyqin revolucionar partizan,-shikoni vetëm bardhë e zi. Logjikë fëmijësh”. Kurse komunistët paraqiten te “4 shkurti” pa kurrfarë bote shpirtërore dhe njerëzit nga populli “kalojnë si hije prapa një perdeje të bardhë si ekran të shtyrë nga nazistët esesë”.

3. Në “Lagjja e vjetër” (1969), F. Paçrami hedh baltë pikërisht mbi patriotët tanë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ai monton vrasjen e një kapteri fashist për t’i detyruar pesë punëtorët që banojnë së toku, të kalojnë në anën e popullit. Është e qartë se këtë kalim ata duhej ta bënin jo se i zë bulluri, por si rezultat i punës së partisë. Punëtorët, komunisten Besa, këtë mysafire të padëshiruar për të, në fillim janë gati bile t’ua dorëzojnë karabinierëve, dhe më vonë, për shkak të strehimit të saj, midis punëtorëve plas grindja.

Punëtorët, edhe pas vrasjes së kapterit nga halli, akoma vazhdojnë të ankohen se për sherrin e komunistes Besa, u arrestuan gjithë ata njerëz, për shkak të saj u vra kapteri, për shkak të saj do ta pësojnë edhe ata një ditë. Punëtorëve u mungojnë në këtë pjesë edhe vetitë më elementare të mikpritjes shqiptare apo të besës dhe solidaritetit, kur vjen puna kundër armiqve që na kanë pushtuar. Atyre u mungon jo vetëm ndërgjegjja klasore, por edhe patriotizmi. I tillë është falsifikimi i autorit ndaj realitetit dhe kështu i ka pasqyruar ai punëtorët.

4. Krahas vënies së armiqve në qendër të vëmendjes (“20 ditë”), “Viti ‘61″ dhe “4 shkurti’, për të paraqitur “dramat” e përfaqësuesve të klasës punëtore apo të njerëzve të lidhur me këtë klasë (“Në tufan”) (“Mbi gërmadha”), duke pretenduar se idetë tona dalin kryesisht përmes shembullit negativ (“Shtëpia në bulevard”), (“E bardha dhe e zeza”), (“Ngjarje në fabrikë), në pjesët teatrale të F.Paçramit kemi një synim të ndërgjegjshëm për të vënë në qendër të vëmendjes përfaqësuesit e inteligjencës teknike.

Inxhinier është Shpendi në “Mbi gërmadha”, inxhinier është Bashkimi tek “E bardha dhe e zeza”, inxhinier është Besniku në “Shtëpia në bulevard”, teknik-gjeolog është Gëzimi në “Rrugë të pashkelura”, inxhinier janë Jashari dhe Loni në “Ngjarje në fabrikë”, inxhinier Petritin në “Vitin ‘61″, për të përfunduar me inxhinier Saimirin në “Çështja e inxhinier Saimirit”. Ky fakt ka të bëjë me mbivlerësimin e revolucionit tekniko-shkencor, që shikohet kryesisht jo si vepër e masave, por e mendjeve të ndritura, e “kokave të mëdha”, për të cilët Fadil Paçrami, duke pasur parasysh vetveten, i pëlqente të filozofonte.

pacrami faksimile 2

Mbivlerësimi i revolucionit tekniko-shkencor u bën jehonë teorive reaksionare bashkëkohore mbi zëvendësimin e luftës së klasave e revolucionit, pikërisht me revolucionin tekniko-shkencor që i zgjidhka fare mirë të gjitha problemet e shoqërisë së sotme. Ky fakt ka të bëjë me kultin e intelektualit dhe me shoqërinë të drejtuar nga intelektualët. Në “Ngjarje në fabrikë” (1967), siç ka theksuar shoku Enver në plenumin e IV: “Gazetari, si në perëndim, bëhet gjykatësi i vijës së partisë dhe i njerëzve”. Në këtë fakt fshihet synimi i njohur i F.Paçramit për t’u bërë jo vetëm “Papa i letërsisë dhe arteve”, siç e përfytyron veten, por edhe “teoricien i madh”, “shef mbi Partinë”.

Në pjesën “Viti ‘61″ nuk dalin arsyet e vërteta ideologjike të prishjes me Bashkimin Sovjetik. Veç kësaj, në gojën e një punëtori nga F.Paçrami është vënë fraza “gjithnjë kështu ndodh me ne”, kurse, përsëri në gojën e një punëtori tjetër, ka vënë shprehjen “Ç’fat edhe ky yni, sa fillojmë të marrim pak veten, do të ndodhë diçka”. Në këto fjali të vëna me qëllim në gojën e punëtorëve (qenë ata që nën udhëheqjen e partisë-maja e shpatës së klasës punëtore, përballuan si gjithë populli ynë, me heroizëm, siguri dhe optimizëm bllokadën revizioniste), ka fatalizëm dhe frymë demobilizimi.

6. Pjesës “Nuk kam mall për vjetërsira” (1972), Fadil Paçrami i ka vënë një titull domethënës për të dhe provokues, pra, vjetërsirat, konservatorizmi, janë rreziku kryesor, pra: hapja e rrugës së ndikimeve liberale, borgjezo-revizioniste). Në pjesë vetëm për vullnet të autorit, mësuesi përparimtar i fshatit, Fatosi, për çudi dhe jashtë çdo logjike të brendshme të personazhit, na del më vonë ngurrues, pengues dhe i prapambetur. Me këtë gjë, F.Paçrami synon të paraqesë si ligj plakjen e brezit, që nga i ri bëhet i vjetër, kurse e re mbetet vetëm ajo që është biologjikisht e re.

7. Idenë minuse të rrezikshme për socializmin, të luftës së brezave, F.Paçrami e ka shprehur qartë në pjesën “Çështja e inxhinier Saimirit”, që është, ndër të tjera, një përpjekje e ndërgjegjshme për përçarje, një sulm kundër unitetit të brezave. Në këtë “manifest” të F.Paçramit, në pragun e denoncimit të veprimtarisë së tij armiqësore, shohim konkretisht sesi kontradiktat në gjirin e popullit trajtohen si kontradikta të mprehta antagoniste, ku njerëzit tanë stigmatizohen me egërsi si intrigantë, servilë, burokratë e konservatorë, duke iu kundërvënë atyre një figurë pseudopozitive si inxhiner Saimiri (shëmbëlltyre e vetë F.Paçramit) apo si personazhi binjak i Saimirit, inxhinierja Holta.

Në të gjejmë kultin e “luftëtarit” kundër konservatorizmit, që del “si tema e ditës sot dhe jo vetëm e Saimirit”, pra, qartë si rreziku kryesor. Kjo pozë e luftëtarit kundër konservatorizmit është një maskë për të mbuluar përpjekjet e vërteta për t’iu hapur rrugë ndikimeve borgjezo-revizioniste. Në të gjejmë identifikimin e marshimit tonë përpara në udhëtimin drejt së panjohurës, identifikimin e eksperimentimit me novatorizmin, gjejmë kultin e ajkës, e novatorëve të shquar, të cilët bëjnë gjëra që janë të paarritshme për masat, që janë mbi nivelin e tyre “mediokër”.

Në të gjejmë kultin dhe ekskluzivitetin e guximit, në fakt e një parimi megaloman e agresiv, si dhe idenë se forca sulmuese, goditëse, është intelektuali novator, është vetëm rinia. Kjo ide ka të bëjë me synimet që kishte F. Paçrami për ta joshur me demagogji rininë tonë revolucionare, guximtare e novatore, e edukuar nga partia, me anën e qëllimeve të veta antiparti e antikombëtare.

Me qëllim të caktuar në “Çështja e inxhinier Saimirit”, aksioni dramatik në vend që të përqendrohej në kantierin ku ka ndodhur shembja e një korpusi kryesor në një ndërtim industrial të projektuar nga inxhinier Saimiri, spostohet e kalon në universitet, pikërisht midis të rinjve, që të vendosin ata dhe jo kolektivi punëtor e vetë gjykata, se kush ka faj e kush ka të drejtë.

Me shumë nervozizëm, Fadil Paçrami, përmes Holtës, deklaron se “është e lehtë t’i themi tjetrit se i pëlqen vetja, ta quajmë edhe mendjemadh…E përse? Sepse guxon të thotë një mendim…të bëjë diçka të re, kërkon dhe hedh një hap në një rrugë të pashkelur”, dhe pastaj revoltohet (sikur në vendin tonë, që është bërë në botë shembull i shquar e i rrallë i guximit të vërtetë revolucionar, guximi është një veti që dikush e frenon). “E çfarë duam? Të mos guxojë?!…Këtë duam: të mos guxojmë?!”

Bile, në këtë pjesë del qartë mendimi se për zullumet që mund të bëjnë përfaqësuesit autentikë të së resë si Saimiri (apo si Fadil Paçrami) nuk ka pse të japin llogari… Lufta e së resë me të vjetrën, me absolutizmin që i është bërë, zëvendëson praktikisht luftën e klasave. Gabimet, sado të rënda qofshin, kur bëhen në emër të “kërkimit të së resë”, nuk u dashkan dënuar as nga gjykimi i masës e as nga gjykata, e cila ka mundësi të qëndrojë (dhe në çështjen e inxhinier Saimirit qëndron, në pozita konservatore!).

Saimiri, që në korpusin e shembur është thirrur në Gjykatën Popullore me apriorizmin, prepotencën dhe arrogancën, që e karakterizojnë, i bindur qind për qind në pagabueshmërinë e vet, megjithëse nuk ka e nuk paraqet asnjë provë të pafajësisë, deklaron në mënyrë të prerë: Në projekt nuk ka gabime! Dhe kur prokurorët e pyesin sesi duhet ta kuptojnë këtë, Saimiri me vetëbesim i përgjigjet: Si shprehje e luftës së të resë me të vjetrën! Saimiri e sulmon prokurorin, duke deklaruar se “akuza po kërkon arsyetime të padenja”, kurse Holta paralajmëron se “mundet që edhe Saimirin ta dërgoni në gjyq, por mos pandehni se arritët ndonjë fitore”. Saimiri, kur merr fletëthirrjen për në gjyq, thotë i habitur: “Të them të drejtën, këtë nuk e prisja, nuk ma merrte mendja se do të shkonte deri këtu”.

F.Paçrami, duke luftuar për të imponuar pikëpamjet e veta armiqësore, bashkohet me shqetësimin e inxhinier Saimirit: “Është e tmerrshme,-ankohet Saimiri,-kur sheh se nuk të besojnë në ato që thua, në ato për të cilat lufton… Ka edhe nga ata që më thurnin lavde para se të ndodhte ajo që ndodhi. Sot heshtin”. Me gojën e një personazhi “pozitiv”, Festimit, që flet në prani të prokurorit, shprehet qartë pikëpamja se “është më mirë që prokurori dhe gjyqi të mos ndërhyjnë në këtë çështje” (e pra është shembur një korpus kryesor!).

Prokurori na e bën të qartë se në ndonjë mbledhje atje në “Pallatin e madh të Kulturës”, është thënë hapur se hedhja në gjyq e inxhinier Saimirit është një shembull, që tregon sesi ndodh që e vjetra, për t’u mbajtur gjallë, nuk u shmanget edhe mjeteve të tilla ekstreme. E vjetra, pra, për të qëndruar në këmbë, përdorka te ne edhe mjete të tilla ekstreme (!) si organet e drejtësisë! Gjyqi, pra, si mjet për mbrojtjen e së vjetrës! Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë e F.Paçramit kundër vetë shtetit tonë të ri të diktaturës së proletariatit.

Llazar Siliqi, Dalan Shapllo, Duro Mustafai, Foto Stamo

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura