Me mendjen në Washington DC – 27 qershor

Jun 23, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

DR. ARIAN STAROVA arian starova

Më 27 qershor, në Wash ington DC zhvillohet një takim i nivelit të lartë ndërmjet delegacioneve zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e SHBA-së. Më 18 qershor, pikërisht nëntë ditë përpara takimit të delegacioneve qeveritare të Kosovës dhe Serbisë në Uashington dhe përgjatë vizitës së ministrit të Jashtëm  rus, Lavrov, në Beograd, në “Rossiyskaya Gazeta” dhe “Serbian Kurir” u botua njëkohësisht një shkrim me autorë të përbashkët ministrat e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov dhe Ivica Daçiç. Përmbajtja, autorësia e këtij shkrimi dhe koha e botimit të tij besoj se do t’ia vlenin të shqyrtoheshin imtësisht.

Megjithatë, janë të paktën edhe katër arsye të tjera për ta bërë këtë. E para, ngulmimi ruso-serb në përhapjen e të pavërtetave naive dhe të përsëritura, të cilat ndërfuten si punëprishëse në debatin ndërkombëtar mbi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. E dyta, rëndësia themelore e një marrëveshjeje sa më të shpejtë të mundshme Kosovë-Serbi në dobi të të dyja vendeve dhe të sigurisë e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. E treta, paralajmërimi se Rusia dhe Serbia nuk do ta njohin Kosovën, qoftë edhe duke e sakrifikuar anëtarësinë e Serbisë në Bashkimin Europian. E katërta, vetëdijesimi i shqiptarëve se arritja e një marrëveshjeje të tillë historike nuk mund të bëhet pa lëshime të ndërsjellë.

Paraprakisht do të doja të merresha me pjesën “tymnajë” të atij shkrimi. Ndonëse diçka e pazakontë për një shkrim me dy bashkautorë, të cilët janë aktorë të mirënjohur të politikës ndërkombëtare, në të janë rreshtuar disa fakte të gënjeshtërta të stërthëna, por për të cilat nuk mund të heshtet, të cilat duket se bashkautorët e shkrimit i kanë lëshuar pa i besuar, vetëm si tymnajë demagogjike për opinionin publik. Në të mund të lexohet se gjendja në Kosovë është e keqe, se kriminaliteti është i përhapur, se gjendja politike është e rrëmujshme dhe e rrezikshme për sigurinë rajonale, se pavarësia e Kosovës që shpërfilli ligjin ndërkombëtar dhe Rez. 1244 ka dështuar dhe se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së nuk e njohin, se Gjykata Ndërkombëtare e krimeve të luftës nuk po vepron, se serbët janë të pasigurt, se është ndotur me lëndë radioaktive territori serb nga bombardimet e 1999-ës, se vazhdon artikulimi publik në Prishtinë dhe Tiranë për Shqipërinë e Madhe, se nuk është bërë asgjë për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe [Zajednica] etj. Përmendja e fakteve të tilla është po aq e gënjeshtërt, sa sikur të thuhej se Krimea [Ukrainë], Abkhazia dhe Osetija e Jugut [Gjeorgji], nuk janë pushtuar nga Rusia.

Megjithatë, raportet e ndryshme ndërkombëtare mbi Kosovën tregojnë krejtësisht të kundërtën e asaj çka thonë bashkautorët e shkrimit. Ata flasin për sukseset e arritura nga Kosova si shtet i pavarur, por është e natyrshme që ashtu si edhe të gjithë shtetet e tjerë, ky vend të ketë probleme dhe sfida të larmishme të zhvillimit. Edhe dialogu Kosovë-Serbi, ndonëse i ndërprerë, për rreth dy vjet tregon se pavarësia e Republikës së Kosovës është tashmë një fakt gjeopolitik.

Si për ta hedhur vetë poshtë pjesën e gënjeshtërt (dështimi i pavarësisë së Kosovës) të shkrimit të tyre, të dy bashkautorët e pranojnë në heshtje domosdoshmërinë e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Problemi i tyre, edhe kur e ritheksojnë idenë e respektimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKBsë, që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, është diçka tjetër. Sipas burimit mediatik informues “EurActiv”-it më 18 qershor, Vuçic është i gatshëm që ta sakrifikojë edhe anëtarësimin në BE të Serbisë, duke u shprehur me këto fjalë: “Duke iu përgjigjur një oferte të mundshme [për Serbinë] që ta njohë Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe që ne të mos marrim asgjë si shkëmbim, përveç anëtarësimit në BE, përgjigjja jonë do të jetë jo”.

Synimi i vërtetë i shkrimit ka qenë parapërgatitja e opinionit publik për takimin e nivelit të lartë në Washington DC, më 27 qershor. Këtij synimi i shërbeu edhe vizita e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, në Serbi dhe takimi i tij me Presidentin Aleksandër Vuçiç.

Nëpërmjet disa ideve të shprehura atjekëtu si në shkrimin e lartpërmendur, edhe në deklaratën e përbashkët për shtyp VuçiçLavrov, të tilla si “qëndrimi i SHBA-së BE-së ndaj çështjes së Kosovës është shpërfillës ndaj mendimeve të shteteve të interesuar”, “ShBA dhe BE janë duke konkurruar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, “çdo zgjidhje e arritur duhet të respektojë Rezolutën 1244 të PKB-së”, “Serbia është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit strategjik me Rusinë”, “Serbia i është mirënjohëse Rusisë për mbështetjen e tërësisë tokësore dhe të sovranitetit të saj”, “miratimi i Rusisë është i domosdoshëm për çfarëdo marrëveshjeje të arritur”, “Rusia do të pranojë vetëm atë marrëveshje që është e pranueshme për Serbinë”, etj., Serbia dhe Rusia e shprehën fare të qartë qëndrimin e tyre ndaj takimit të Washingtonit.

Përfundimi i parë i sigurt që do të mund të thuhej për takimin e 27 qershorit duket se është vështirësia e madhe e këtyre bisedimeve dhe përballja e të dyja palëve me sfida të forta. Dhe, natyrisht, ai takim nuk mund të jetë i përqendruar vetëm në çështjet ekonomike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Rrjedhimisht, ky takim do të pasohet nga të tjerë, sigurisht edhe BE do të luajë rolin e saj si në Uashington, edhe në Europë. Dhe as Rusia si pjesëtare e Këshillit të Sigurisë të OKB-së me të drejtë vetoje nuk do të mund të shpërfillet. Dhe pashmangësisht, të dyja palët biseduese shqiptare dhe serbe do të duhet të mendojnë për lëshime të ndërsjellë. Sado të dhimbshëm të mund të jenë këta lëshime nuk duhet harruar diçka shumë e rëndësishme – Kosova dhe Serbia duhet të mendojnë për të shkëmbyer të sotmen e marrëdhënieve të tyre të acaruara me të ardhmen e tyre paqësore, të sigurt dhe bashkëpunuese. Brezat e ardhshëm njerëzore nuk duhen lënë të mbeten peng i disa pak mendësive penguese të sotme, që është bërë e zakonshme që sot të fshihen nën maska ultrapatriotike.

Megjithë pamundësinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi dhe pavarësisht trysnisë pozitive amerikane për këtë, është folur shumë për shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes, aq shumë sa kjo temë është shndërruar në vijë ndarëse të “patriotëve” dhe “tradhtarëve” të hamendësuar në Kosovë dhe në Shqipëri. Përvoja e marrëdhënieve ndërkombëtare ka treguar se marrëveshjet e frymëzuara nga mendësi të hapura dhe logjika e lëshimeve të ndërsjella janë arritur shpejt, duke e menduar edhe kursimin e kohës në dobi të palëve, kurse mendësitë e ngurtësuara i kanë zvarritur marrëveshjet, duke ua kthyer marrëdhëniet shteteve në pranga penguese të zhvillimit. Le të mos i harrojmë humbjet e të dyja vendeve në dy vjetët e ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi. Unë mendoj se është në interesin e shqiptarëve dhe të serbëve arritja e një marrëveshjeje sa më të shpejtë përfundimtare ndërmjet tyre. Natyrisht, pa asnjë detyrim, por vetëm me mirëkuptimin e plotë të të dyja palëve.

E gjej tejet të vështirë të flas më konkretisht edhe më tej mbi çka mund të arrihet në Washington DC, më 27 qershor, por, sigurisht, ai do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur. Le të shpresojmë se do të ketë më shumë sesa kaq.

Duke e përfunduar këtë përpjekje-analizë, do të guxoja të thosha se ajo çka do të ndodhë dhe do të arrihet në Uashington, do të ndikojë fort edhe përtej kornizave konkrete të problemit Kosovë-Serbi duke formësuar ecurinë e ardhshme të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjen e problemeve të ngjashme të hapësirës gjeopolitike euroaziatike, të cilat u kanë krijuar vështirësi sfiduese atyre marrëdhënieve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura